E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaku: Me Flamurtarin fitoj "Këpucën e Artë"

"Dua të shënoj shumë dhe të fitoj trofe me këtë skuadër"

Sulmuesi i ardhur në këtë merkato vere te Flamurtari, Sebino Plaku, është ambientuar mjaft mirë me pjesën tjetër të grupit. Këtë e tregojnë edhe dy golat që ka shënuar në dy ndeshjet miqësore. Ai në kampionatin e kaluar ka qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit të Tiranës, duke e ndihmuar që të merrte pjesë në Kupat e Evropës. Në një prononcim për "Panorama Sport", sulmuesi i Flamurtarit Sebino Plaku u shpreh: "Ambiciet e mia dhe të Flamurtarit nuk janë vetëm për kampionatin, por për më tepër. Synimi ynë është të ngjitemi në katet e sipërme të tabelës, pse jo të fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë. Ndërsa, në lidhje me aspektin personal dua të shënoj sa më shumë gola, në mënyrë që të fitoj 'Këpucën e Artë'. Pikërisht ambiciet e skuadrës dhe drejtuesve të saj janë arsyet që më kanë bindur për të firmosur për Flamurtarin këtë sezon. Më vjen mirë që do të jem pjesë e kësaj skuadre, e cila ka objektiva të mëdha dhe nuk bëhem aspak pishman për zgjedhjen e bërë".
Përgatitjet
Flamurtari po u jep dorën e fundit përgatitjeve në tokën maqedonase, ndërkohë që sot do të kthehen në Shqipëri. Përsa i përket përgatitjeve, sulmuesi Sebino Plaku u shpreh: "Skuadra ka ndryshuar ndjeshëm nga dita në ditë, duke marrë edhe formën e saj të plotë. Përveç stërvitjes kemi zhvilluar edhe dy ndeshje të cilat na ndihmojnë të shohim formën tonë. Kam shumë besim se në sezonin e ri do të jemi një skuadër e fortë dhe pretendente për të fituar titull", ka përfunduar sulmuesi i Flamurtarit Sebino Plaku, i cili në dy ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar vlonjatët ka shënuar dy gola. Sulmuesi, me shumë mundësi sezonin e ri do të jetë një nga titullarët kryesorë që do të përfaqësojë Flamurtarin. Megjithëse trajneri Gugash Magani ende nuk e ka përcaktuar 11-shen bazë që do të përfaqësojë vlonjatët në sezonin e ardhshëm futbollistik. Madje, kreu i pankinës vlonjate, edhe në ndeshjet miqësore të zhvilluara deri më tani, ka gërshetuar "veteranët" me të rinjtë të cilët shpresojnë që të fitojnë një fanellë titullari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›