E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galaktikët e Realit, 90 minuta në terr për 2 milionë euro

Ndeshja kundër modestëve të Gramozit zgjati 3 orë e 30 minuta. Kaka e Kristiano Ronaldo fitojnë trofeun e tretë “Taçi Oil Cup”
Dash Frashëri

Reali i Madridit fitoi trofeun e tretë “Taçi Oil Cup”, dhe një shumë prej 2 milionë eurosh, por takimi midis gjigantëve spanjollë dhe modestëve të Gramozit të Ersekës, i përfunduar 2-1 me fitoren e “los galactikos”, u shndërrua në ndeshjen më të gjatë në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar, një ndeshje që nisi në orën 18:00 dhe përfundoi, pas 3 orë e 30 minutash, në orën 21.30. Dy yjet më të çmuar të Realit të Madridit, Kaka dhe Kristiano Ronaldo, vlera e përbashkët e të cilëve shkon në 158 milionë euro, ose pesë herë më shumë se sa mund të jetë në treg vlera e stadiumit “Qemal Stafa”, nuk do ta mendonin kurrë se pas elozheve që i bënë Shqipërisë, në vizitën e tyre të dytë në vendin tonë, do të përjetonin atë “black out” në impiantin e rrënuar ndërkombëtar të topkëmbës. Gramozi –Real Madrid ishte parashikuar si akti i tretë i një feste të madhe sportive në Shqipëri, pas dy të parave ky mysafiri “Vip” ishin italianët e Milanit, por gjithçka u shndërrua në “terr”, të paktën për 90 minuta, aq sa zgjat një lojë futbolli. Ndërkohë që pritej të fillonte pjesa e dytë e ndeshjes, sapo dolën sportistët e dy ekipeve, në orën 19:00, u ndërpre energjia elektrike. Në fakt, defekti ishte vetëm në katër kullat e ndriçimit të stadiumit, pasi në ambientet e brendshme të impiantit kishte drita, duke përfshirë edhe dhomat e zhveshjes.

NDESHJA

Në një stadium tërësisht të shitur, e ku të pranishëm ishin më shumë se 15 mijë tifozë në “Qemal Stafa”, përfshirë disa prej personalitet të larta të vendit nderuan legjendën e Partizanit dhe Kombëtares, i cili u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një ataku kardiak. Futbollistët e Gramozit (të kompozuar edhe me lojtar nga skuadra të tjera, Tirana e Besa ) dhe të Realit të Madridit nderuan figurën e Panajot Panos, duke u përkulur me respekt pranë një banderole gjigante me emrin e Jotit, e pasi vendosën lule, më pas mbajtën një minutë heshtje në nderim të figurës së legjendës shqiptare të futbollit. Pa u ndezur mirë motorët e dy skuadrave, sulmuesi i Gramozit, Marko Dos Santos, depërtoi nga e majta e sulmit të kolonjarëve, harkoi perfekt për Daniel Xhafajn, sulmuesi i Besës iu shmang mbrojtësi të Real Madrid, Serxhio Ramosit, duke shënuar në minutën e 3-të golin për formacionin e Agim Canajt e duke befasuar jo vetëm madrilenët, por dhe 15 mijë të pranishmit në stadiumin “Qemal Stafa”. Në minutën e 13-të, Raul Gonzales, shpërdorojnë rast të shkëlqyer për të barazuar rezultatin, por sulmuesi madrilen goditi më kokë mbi traun e portës së mbrojtur nga Orges Shehi i Besës, por që në këtë ndeshje përfaqësoi Gramozin e Ersekës. Dy minuta më pas, lojtari më shtrenjtë në botë, Kristiano Ronaldo (93 milionë euro), ekzekutoi një goditje të lirë nga rreth 22 metra, por Shehi grushtoi, duke i hequr mundësinë portugezit të shënonte golin e tij të parë në “Qemal Stafa”. Kaka dhe Raul kombinuan bukur brenda zonës së vogël, por Shehi e devijoi në goditje këndi gjuajtjen e Gutit. Në minutën e 17-të, Kaka depërtoi midis tre mbrojtësve të Gramozit, gjuajti tokazi, por Shehi, në superformë e devijoi gjuajtje, dhe topi i mbërritur sërish të braziliani përfundoi jashtë, por i rikthyer në lojë nga ish-lojtari i Milanit, topi u godit nga Kristiano Ronaldo, por goli ishte i pavlefshëm. Marko dos Santos elektrizoi stadiumin në minutën e 19-të, kur pas një inkursioni nga e majta e sulmit të Gramozit, me disa lëvizje të bukura me top fitoi një goditje këndi. Pas gjashtë minutash, fantazisti Devi Muka dha një top të shkëlqyer për Daniel Xhafaj, sulmuesi i Bësës u fut bukur në zonë, por Dudek ia hoqi topin nga koka sulmuesit vlonjat. Në të 26’, Muka ekzukutoi një goditje këndi, por pa rrezik për Metcelder më shokë, por në minutën e 28-të, Marko Dos Santos, shmangu bukur Serxhio Ramosin, ky i fundit shkaktoi faull brenda zonës, por gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci lejoi vazhdimin e lojës. Pas një topi të bukur të Kristiano Ronaldos, Kaka lëshoi një silurë në minutën e 30-të, por sfera kaloi gati gjysmë metra mbi shtyllën horizontale të portës së Gramozit. Në minutën e 31-të, Granero ekzekutoi një goditje nga këndi, Ramos goditi me kokë, Shehi grushtoi, topi u rikthye Raul Gonzales, por sërish me një durrsaku me një pritje spektakolare në dy kohë nuk lejoi prekjen e portës. Në një ditë të jashtëzakonshme portieri i Besës, por në këtë ndeshje më fanellën e Gramozit. Në të 33’ Raul-Kaka-Kristiano Ronaldo prodhuan një kombinacion të bukur, por Semina ia hoqi nga këmbët topin yllit portugez brenda zonës së vogël, duke e devijuar topin në goditje këndi. Kristiano Ronaldo nxori nga repertori i tij një veprim spektakolar me topin, harkoi ëmbëlsisht për Kaka, dhe braziliani pak metra larg portës godit me kokë, duke mposhtur Shehin në minutën e 37-të. Në të 39’, Granero ekzekutoi nga e djathta një goditje të lirë, topi mbërriti në zonën e Gramozit, sfera u pastrua jashtë zonë nga mbrojtja e më pas Kaka goditi fluturimthi nga rreth 20 metra, por jashtë kuadratit. I pari karton i verdhë i takoi Realit të Madridit, Gutit. Kristiano Ronaldo i dha një asist Raul Gonzales, golashënuesi më i mirë i historisë së Real Madrid, tentoi një harkim të ëmbël mbi Shehin, por ky i fundit u tregua në lartësinë e duhur, duke shmangur golin e dytë të 31-herë kampionëve të Spanjës. Pjesa e dytë me 90 minuta vonesë, për shkak të djegies së transformatorit që ushqente me energji elektrike katër kullat ndriçuese të stadiumit “Qemal Stafa”. Zëvendësuesi i Realit, Karim Benzema, pati një rast të mirë për të shënuar në minutën e 76-të ndeshjes, por topi i goditur nga sulmuesi francez goditi shtyllën jashtme. Pas katër minutash ishte ish-sulmuesi i Olimpikut të Lionit, i cili duke përfituar nga një rreshtim i gabuar i mbrojtjes së Gramozit (ishin të gjithë lojtarët e skuadrës kolonjarë në pjesën e dytë), shënoi golin e dytë të Realit të Madridit në minutën e 80-të, duke i dhuruar skuadrës së tij trofeun “Taçi Oil Cup”. Presidenti i kompanisë shqiptare ia dorëzoi kapitenit të skuadrës iberike, Raul Gonzales, por jo me shkëlqimin që duhej ta meritonte kjo ndeshje e rrallë dhe historike për futbollin shqiptar.

Gramozi – Real Madrid 1-2
Tiranë, 20 janar 2010, stadiumi “Qemal Stafa”
Shënues: Xhafaj 3’/ Kaka 37’, Benzema 80’
(Ndeshje u ndërpre pas përfundimit të pjesës së parë, për 90 minuta, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, duke filluar nga ora 19:00 në 20:30)
GRAMOZI: Shehi (Besa); Vrapi (Besa), Semina (Gramozi), Kukaj (Gramozi), Lila (Tirana), Dragusha (Besa), Babaj (Gramozi), Devolli (Tirana), Muka (Tirana), Dos Santos (Gramozi) dhe Xhafaj (Besa). Trajner Agim Canaj
REAL MADRID: Dudek, Ramos, Garay, Metzelder, Marcelo, Gago, Granero, Guti, Kaka, Kristiano Ronaldo dhe Raul. Trajner Manuel Pelegrini
Gjyqtar: Sokol Jareci (Shqipëri, FIFA), Gerant Qirici, Arben Pregja. Gjyqtar i katërt Ervis Peza

NDËRPRERJA E ENERGJISË
Ndërkohë që pritej të fillonte pjesa e dytë e ndeshjes, sapo dolën sportistët e dy ekipeve, në orën 19:00, u ndërpre energjia elektrike, duke ardhur pas 1 orë e 30 minutash. Në fakt, defekti ishte vetëm në katër kullat e ndriçimit të stadiumit, pasi në ambientet e brendshme të impiantit kishte drita, duke përfshirë edhe dhomat e zhveshjes. Në impiantin ndërkombëtar ishin rreth 65 media ndërkombëtare të akredituara, midis tyre 30 gazetarë spanjollë, të cilët kanë shoqëruar klubin spanjoll të kryesuar nga presidenti Florentino Perez dhe drejtori i përgjithshëm, Jorge Valdano. Tifozët e shumtë, rreth 15 mijë të pranishëm në “Qemal Stafa”, kanë pritur për më shumë minuta, ndërkohë që situata kaloi në kaos të plotë. Në stadium ishin të pranishëm një numër i madh zyrtarësh të lartë, përfshirë ministra të kabinetit të kryeministrit Berisha, e ministrin e energjetikës, Dritan Prifti. Vetëm ardhja me urgjencë e një gjeneratori solli energjinë në stadium pas 90 minutash në terr.

Topi, numri 10 i Realit të Madridt

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti priti në selinë e Presidencës, presidentin e Realit të Madridit, Florentino Perez, dhe drejtues e ish-futbollistë të klubit të famshëm spanjoll të Real Madridit, të cilët mbërritën në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore Gramozin. Fondet e mbledhura nga zhvillimi i kësaj ndeshjeje miqësore do të shkojnë në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, trajneri i Realit të Madridit, Manuel Pelegrini, si dhe disa prej drejtuesve dhe ish-futbollistëve të kësaj skuadre, të mirënjohur nga dashamirësit dhe tifozët e futbollit në mbarë botën për talentin dhe virtuozitetin e tyre si Emiljo Butragenjo dhe Horge Valdano. “Futbolli dhe çdo lloj sporti është mision i madh qytetar dhe kjo vlen më shumë për një klub historik siç është Reali i Madridit. Ne ju falënderojmë që jeni të pranishëm në Tiranë dhe ky event koinçidon me atë raport të shkëlqyer që ne kemi me Spanjën, e cila në këtë periudhë kryeson edhe Presidencën e Bashkimit Evropian. Ju vini në një moment kur Shqipëria është tërësisht e fokusuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”. Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi mesazhin e madh njerëzor të solidaritetit për zonat e përmbytura në veri të Shqipërisë, së cilit i bashkangjitet edhe skuadra legjendare e Realit të Madridit. Presidenti i Realit dhe drejtuesit e përfaqësuesit më të spikatur të Klubit madrilèn e falenderuan Kreun e shtetit për mikpritje, duke theksuar se “është shumë e vështirë të marrësh kaq shumë kënaqësi në kaq pak kohë” dhe i dhuroi Presidentit Topi një fanellë të ekipit me emrin e tij dhe numrin 10.

Perez: “Real Madridi, shkollë në Shqipëri”

Presidenti madrilen tregoi respektin e tij për legjendën Pano

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, premetoi se klubi që ai drejton do të hapë një shkollë me emrin e Realit, në Veri të Shqipërisë. Duke iu drejtuar presidentit të Republikës, Bamir Topi, tha: “Real Madridi identifikohet me akte si ky. E kemi thënë shumë herë, siç jua thashë edhe më parë, ne kemi trashëguar një klub historik, i cili dekadë pas dekada pushtoi zemrat e sportdashësve anembanë botës. Gjatë dekadave kemi arritur t’i pasurojmë këto vlera. Real Madridi përfiton gjithmonë nga imazhi dhe prestigji i tij për të transmetuar këto vlera atje ku shkojmë. Sot jemi shumë të lumtur që jemi në Shqipëri në këtë qytet shumë të bukur e të jashtëzakonshëm që është Tirana. Njerëzit janë shumë dashamirë dhe mikpritës dhe na kanë trajtuar në mënyrë të mrekullueshme qysh kur kemi mbërritur. Dëshirojmë t’u përgjigjemi me mirënjohjen tonë, me vlerat tona, me ato që Real Madridi shpërndan në të gjithë botën. Do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Real Madridit të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Në këto shkolla futbolli që krijojmë me Fondacionin ‘Real Madrid’ janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si Klub. Së fundi, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet Presidentit të Republikës për humbjen e këtij lojtari legjendar të Shqipërisë, të cilin do ta përkujtojmë sot pasdite në fushën e lojës dhe padyshim që ai do të jetë gjithmonë gjallë dhe i pranishëm në mendjet e të gjithë sportdashësve shqiptarë. Ju faleminderit shumë për këtë mikpritje të mrekullueshme!”

Kaka: “Jam i lumtur që u riktheva në Tiranë”

Braziliani ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Gramozin, së bashku me shokun e skuadrës, Kristiano Ronaldo. E ka nisur me të qeshur, ndaj edhe ka ndalur pak të shpjegohet në këtë drejtim: “Ne qeshim shumë me Kristianon, sepse jemi shumë miq. Ne flasim të njëjtën gjuhë dhe kuptohemi mjaft mirë, kështu që bëjmë edhe shumë shaka.” I pyetur për rikthimin e tij të dytë në Shqipëri, Kaka tha: “Unë jam shumë i lumtur që jam sërish në Tiranë. Herën e parë isha këtu, po me të njëjtin qëllim, si pjesë e Milanit. E di se ish-skuadra ime ka tifozë të shumtë këtu në Shqipëri, ashtu sic besoj se ka edhe Reali i Madridit. Milani po shkon shumë mirë tani në Seria A. Ata kanë në gjirin e tyre një Ronaldinho të madh, ndërsa unë tashmë jam në Madrid. Jam shumë i lumtur që kisha mundësi për t’iu bashkuar skuadrës dhe për të ardhur bashkë me të këtu në Shqipëri, për herë të dytë”.
Kaka nuk pranoi të komentojë mbi rinovimin e Pepe Guardiolës: “Kjo është një çështje, për të cilën ne si lojtarë të Realit nuk jemi të interesuar. Një gjë është e rëndësishme, që të mbështesim pa rezerva trajnerin tonë. Ne duhet të shqetësohemi për ekipin tonë, nuk kemi pse merremi me çfarë ndodh në ekipet e tjera” .
Në fund, Kaka foli në lidhje me nivelin e tij fizik, që nuk është i njëjtë si në Milano: “Pas lëndimit, unë janë përmirësuar shumë, kështu që do të kem progres edhe në lojë, kjo është mëse e natyrshme.” Trajneri i Real Madrid, Luis Manuel Pellegrini, foli në lidhje me rinovimin e trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola: “Ajo që ai ka bërë, është spektakolare, sepse Guardiola ishte edhe vitin e tij të parë si trajner. Personalisht, që kur e ka marrë këtë vendim klubi katalanas, kam qenë i sigurt për suksesin e tij.” I pyetur në lidhje me ndeshjen që do të luajë skuadra e drejtuar prej tij në Tiranë, Pellegrini pohoi: “Unë do ta shikoj dhe drejtoj skuadrën time si çdo trajner, si një lojë më shumë. Shpresoj që të gjithë ta shijojnë këtë ndeshje dhe për një gjë ju garantoj: do të jetë një shfaqje e mirë”. Real Madridi zbarkoi dje rreth orës 12.45 në Tiranë për ndeshjen me Gramozin e Ersekës, që nis në orën 18.00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa“, në kuadrin e Kupës “Taci Oil“, ku të ardhurat prej saj do të shkojnë për familjet e përmbytura në zonën e Shkodrës. Menjëherë pasi janë sistemuar në hotel “Sheraton“ në Tiranë, Krostiano Ronaldo, Kaka dhe trajneri Pelegrini kanë dhënë një konferencë shtypi. Ndërkohë, pas drekës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të presë në selinë e presidencës kreun e klubit madrilen, Florentino Perez, gjë të cilën më pas do ta bëjë në Kryeministri edhe kryeministrit Sali Berisha. Pra, sikurse duket, Reali i Madridit do të ketë edhe një “axhendë politike“ në këtë vizitë në kryeqytetin shqiptar. Në konferencën për shtyp, portugezi Kristiano Ronaldo tha: “Shpresojmë që me praninë tonë këtu të kënaqim tifozët dhe të krijojmë një mundësi që me të ardhurat e ndeshjes të ndihmojmë fëmijët në nevojë, sepse i tillë kam qenë edhe vetë në hapat e parë të jetës.“ I pyetur për performancën personale të tij tek Reali, Ronaldo u përgjigj: “E kam të qartë detyrën time te Reali. Nuk kam shënuar ende gol për vitin 2010, por nuk jam i shqetësuar për këtë, sepse gjithmonë e kam bërë punën time më së miri, si me Manchester United, edhe tashmë që jam pjesë e Realit të Madridit”. Së fundi, në lidhje me jetën e tij në kryeqytetin spanjoll, portugezi tha: “Unë isha shumë i lumtur në Manchester, por vendosa të provoja një aventurë të re. E ku mund të kishte më mirë se te Reali i Madridit? Jam edhe më shumë i lumtur në Madrid, unë dhe familja ime, sepse në të gjitha planet nuk mund të pretendojmë më shumë.“

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›