E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare

03/02/2005  "Ekspansion" ndërkontinental

Viti 2005 do të jetë një "ekspansion" i vërtetë ndërkontinental i artit shqiptar. Galeria Kombëtare do të realizojë disa ekspozita jashtë vendit, nga Austria në Rusi, Kinë dhe SHBA. Ndërkohë që një numër rekord ekspozitash pritet të realizohet edhe në ambientet e Galerisë

Pavarësisht debateve apo replikave, gjatë vitit të kaluar, Galeria Kombëtare për 2005-ën parashikon ekspozimin e fondeve të saj, ndoshta më "agresive" se kurrë, edhe jashtë kufijve të vendit, rezulatat i marrëveshjeve ndërinstitucionale, si me muzeun "Andrea Lubjov" në Rusi, me Muzeun e Vjenës apo edhe me Galeritë Kombëtare të Pekinit dhe Shangait. Paralelisht, eksizton edhe një marrëveshje e hapur me Qendrën Ndërkombëtare Meridian, e cila është organizatorja e ekspozitës së 67 artistëve amerikanë, por që njëkohësisht ka marrë përsipër edhe organizimin e një ekspozite të artit shqiptar në SHBA. "Ne jemi duke e parë me përparësi çeljen e kësaj ekspozite dhe për këtë jemi në kërkim të fondeve. Duhet një fond shumë i plotë financiar, për vetë faktin se kjo ekspozitë do të udhëtojë për rreth një vit e gjysmë në SHBA dhe Qendra Meridian, po kontribuon shumë në këtë drejtim", ka thënë për "Metropol", drejtori i Galerisë Kombëtare, Abaz Hado. Në fakt, edhe udhëtimi drejt Kinës së largët, në pranverë, vjen si rezultat i një tjetër kooperimi, ku, para disa muajsh, Galeria jonë mikpriti një ekspozitë të Artit Popullor Kinez, nga pavjoni i këtij arti në Galerinë e Pekinit. "Do të përpiqemi që në Kinë të prezantohemi me një ekspozitë tërësore të artit shqiptar, që synon të tregojë rrugën e zhvillimit të tij ndër vite. Kur themi një prezantim tërësor, nënkuptojmë një pasqyrim të gjitha etapave të artit tonë, përfshi edhe artin modernist dhe atë postmodernist, në total rreth 45 vepra, kryesisht në pikturë", tha Hado. Dalja e veprave të artit jashtë kufijve do të realizohet konform të gjitha rregullave. Hado ka pohuar se, "nga Galeria nuk do të dalë asnjë vepër e pasiguruar. Lëvizjet do të kryhen konform ligjit të trashëgimisë, një procedurë tepër rigoroze, por edhe konform të gjitha standardeve ndërkombëtare". Madje, këtë vit pritet të realizohet edhe ekspozita e artit ikonografik shqiptar në muzeun "Andrea Lubjov", e cila nuk mundi të organizohej vitin e kaluar, sikundër ishte njoftuar, për mungesë fondesh "kryesisht nga pala ruse".

Promovimi i artit shqiptar

Hapja e ekspozitave jashtë vendit është vetëm njëri aspekt i lëvizjeve për promovimin e artit shqiptar jashtë kufijve shqiptarë. Për të dytin vit radhazi, Galeria do të ndihmojë edhe për pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në Bienalen e Venecias. "Kemi një bashkëpunim edhe me një student shqiptar, që studion aktualisht për menaxhim arti në Itali, i cili po ndërmjetëson midis Bienales së Venecias dhe Galerisë për të mundësuar pjesëmarrjen e artistëve tanë në këtë aktivitet. Sigurisht që përzgjedhja do të bëhet nga kuratori i Venecias, por Galeria do të jetë mbështetëse, në mënyrë që edhe Shqipëria të ketë pavionin e saj në këtë Bienale", shpjegon Hado. Sipas drejtuesit të institucionit, strategjia e Galerisë për vitin 2005 është fokusuar në një hapje maksimale, në mënyrë që ky institucion të "bëhet pjesë e iniciativave ndërkombëtare, me tepër se sa ajo është aktualisht, duke mundësuar zgjerimin e njohjes së artit dhe artistëve shqiptarë kudo në botë dhe të prezantojmë një Galeri me standarde sa më bashkëkohore". Eshtë për t'u theksuar se gjatë vitit të kaluar, ky institucion ka tërhequr një numër rekord vizitorësh, element që përbën një tjetër prioritet për tempullin e artit shqiptar. "Duhet theksuar se buxheti i këtij viti është në parametra më të lartë se ai i vitit të kaluar, duke na krijuar kështu hapësira më të mëdha si për veprimtaritë e ndryshme, ashtu edhe për projektet artistike. Një kontribut i madh për institucionin tonë janë edhe donacionet, të cilat, shpresojmë të na sigurojnë një aktivitet sa më normal, duke llogaritur edhe të ardhurat që vijnë nga vizitorët dhe dyqani i artit", ka nënvizuar Hado.

Restaurimet, thembra e Akilit...

Restaurimet përbëjnë thembrën e Akilit në projektet e Galerisë. Vetë fondi i madh financar që duhet për to është treguesi kryesor. Ndërhyrjet restauruese janë tepër të kushtueshme dhe, për më tepër, duhet të realizohen nga laboratorë të specializuar (që, në fakt, nuk ekzistojnë në Shqipëri). Megjithatë, Hado është optimist dhe shpreson që gjatë këtij viti të zgjidhen përfundimisht disa probleme në këtë drejtim. "Vëmendja kryesore është përqendruar në krijimin e një sistemi me ajër të kondicionuar, i cili do të mundësojë krijimin e temperaturave konstante, në mënyrë që të krijojë kushtet optimale për ruajtjen e veprave të artit që ndodhen në Galeri. Sigurisht që u jemi drejtuar kompanive të huaja tepër serioze, për të realizuar një projekt të qëndrueshëm. Për të qenë sa më të sigurtë në cilësinë e tyre, kemi komunikuar edhe me galeri të ndryshme evropiane, ku këto kompani kanë kryer instalacione të tilla, për të qenë sa më të sigurtë në lidhje me eksperiencat dhe cilësinë që ofrojnë këto kompani". Hado thekson, gjithashtu, se edhe mënyra që po operohet për restaurimin e "Motrat Tone", ku synohet që të thithen sa më shumë fonde nga donatorë të ndryshëm, është një opsion i ndjekur nga institucioni për të përballuar këtë sektor. Nga ana tjetër, ai sqaron se laboratori që ka marrë përsipër këtë restaurim është një nga më të mirët, jo vetëm të Francës, por edhe në Evropë, po të kihet parasysh fakti se "edhe Muzeu i Luvrit i realizon të gjitha restaurimet në po këtë laborator". Krijimi i një katalogu i fondit të Galerisë, që e preokupon seriozisht drejtorin Hado, është një tjetër mangësi e këtij institucioni. "Eshtë në projekt, i cili kërkon shuma të mëdha dhe, për fat të keq, vitin e kaluar, e ndërsa kishim siguruar një pjesë të rëndësishme të këtij fondi, nga një donator shumë prestigjoz, një sulm i paparë ndaj institucionit e frenoi donatorin, duke e pezulluar projektin, të cilin shpresojmë ta realizojmë gjatë këtij viti", ka pohuar Hado, i cili beson që viti 2005 do të sjellë në Galeri një publik edhe më të shumtë dhe, njëkohësisht edhe një numër rekord ekspozitash dhe artistësh.

Projekt-axhenda e ekspozitave që do të realizohen në GKA

Ekspozitat e përhershme të GKA-së:

1. Onufri 2005

2. Marubi 2005

3. Bienale e Tiranës

4. Nëntori

5. My changes 2005 (10 gra artiste)

Ekspozita që do të organizohen nga dhe në GKA:

1. Ekspozitë me veprat e artit të fondit të GKA dhe krijimtari e artistëve bashkëkohore në Kinë.

2. Ekspozita me veprat e fondit të GKA dhe krijimtari e artistëve bashkëkohorë në Kosovë

3. Ekspozitë e artit mesjetar

4. Ekspozitë e titulluar: "Artistë Shqiptarë në Akademitë italiane"

5. Ekspozitë e peisazhit, pronë e fondit të GKA

6. Ekspozitë me krijimtarinë e diplomave të studentëve të Akademisë së Arteve 2005

7. Ekspozitë e filaterisë shqiptare

8. Drejtoria e shkollës nëntëvjeçare "Fan S. Noli", në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të qytetit Tiranë, propozon një ekspozitë me vizatime të shkollës "Jasper", Xhorxhia, USA, në shkëmbim të eksperiencave dhe marrëdhënies së binjakëzimit të të dy shkollave.

9. Skënder Kamberi, piktor. Do të organizojë ekspozitën "Pranvera" me një grup artistësh shqiptarë.

10. Nikolet Vasia dhe Shpresa Beqiri, piktore.

11. Pashk Pervathi, piktor.

12. Gjergji Lako dhe Vangjo Vasili, piktorë.

13. Isuf Sulovari, piktor.

14. Sara Marko, piktore.

15. Lumturi Blloshmi, piktore.

16. Hasan Nallbani, piktor.

17. Sali Shijaku, piktor.

18. Shyqri Nimani, piktor. Jeton në Kosovë.

I19. Maks Vela, arkitekt dhe piktor.

20. Lira Sulo, historiane dhe piktore.

Ekspozita që do të hapen nga artistë të huaj:

1. Monica Yon Rosen, 1943, artiste. Jeton në Suedi.

2. Artistët gjermanë - Grehard Altenbourg dhe Rexhina Shmeken.

3. Ekspozitë fotografike e artistëve italiane "Shqipëria front i harruar i Luftës".

4. Sinops, ekspozitë dhe takim studentësh shqiptarë dhe italianë.

5. Olafur Eliason

6. Phill Collins

Ekspozita të propozuara nga artistë shqiptarë që jetojnë jashtë saj.

1. Leonard Pervizi, piktor, është diplomuar në Akademinë Mbretërore të arteve të Bukura në Bruksel. Jeton në Belgjikë.

2. Valdet Hamidi, 1946, piktor është diplomuar në Pejë, në Akademinë e Arteve të Bukura në Londër dhe në Akademinë Mbretërore të Arteve në Bruksel. Jeton në Paris.

3. Anila Kati, 1956, piktore, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Jeton në Firence.

4. Zini Veshi, piktor, është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Jeton në Shtetet e Bashkuara të

Amerikës.

5. Robert Aliaj Dragoti, piktor. Jeton në Greqi.

6. Gjelosh Gjoka, piktor. Jeton në Gjermani.

7. Zoi Shyti, piktor. Jeton në USA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›