E Hënë, 2 Nëntor 2026

E ardhmja, në duart e Kushtetueses

03/02/2005  Iraku pas votimit

Katër detyra për deputetët: roli i Islamit, federalizmi, ndërtimi i qeverisë, trupat e huaja

Eshtë e qartë se qeveria e re ka ambicie të ushtrojë pushtetin e saj, por duhet të ketë mjete. Këtu lind baleti i deklaratave. Bushi ka premtuar: “Do të largohemi kur të na e kërkojnë”. Më pas ka shtuar: “Jam i sigurtë se Bagdadi do të na kërkojë të qëndrojmë”.

Një punë ndoshta e sforcuar i pret 275 deputetët e Asamblesë Kombëtare tranzitore që duhet të nisë punë nga mesi i shkurtit. Përveçse të emërojë presidentin, dy zëvendësa dhe një kryeministër për Irakun, deputetët i pret përpunimi i një karte kushtetuese. Nuk ka asgjë më të vështirë në një vend që është mozaik vërtetë etnish dhe fesh. Katër janë detyrat kryesore të Asamblesë.

Kushtetuta

Problem qëndror: sa peshë do të zërë Islami? Shiitët fetarë – fituesit e mundshëm – janë të matur. Kanë thënë se nuk janë kundër një kryeministri laik, megjithatë përmes karizmatikut Ajatollah Al Sistani kanë bërë të ditur se feja duhet të jetë në burim frymëzimi. Të tjerë kanë shtuar: ligjet nuk duhet të bien ndesh me parimet islamike. I sigurtë kundërshtimi i minorancës laike sunnite, që mund të ushtrojë të drejtën e vetos – në vjeshtë – kur të votohet projektkushtetuta. Ligji i përkohshëm thotë se, nëse 2/3 e votuesve në tre prej 18 provincave irakene votojnë kundër, projekti bie. Dhe sunnitët kanë kontrollin në të paktën 4 rajone (atje ku terrorizmi dhe kryengritësit janë më të fortë). Eshtë e sigurtë që ata do t'i kundërvihen planit. Megjithatë, për të evituar një provë force duhen ndryshime. Hipotezat janë të ndryshme: më shumë referime ndaj fesë, përafrim kuotash të përpjesshme për të garantuar hapësirë për të gjithë, lëshime sunnitëve. Sistani ka reaguar menjëherë, duke thënë se është kundër. Një tjetër ndërlikim.

Federalizmi

Mbi tavolinë është projekti i një shteti federal. Por ka nevojë të studiohen mekanizmat, autonomitë dhe pushtetet. Ekzistojnë rreziqet e fragmentimit, sidomos në veri, ku kurdët të ndarë në dy parti të mëdha, kërkojnë në bllok më shumë pushtet. Kanë një forcë të tyren ushtarake, kanë në dispozicion ujë dhe naftë, kontrollojnë një pjesë të mirë të territorit. Dhe tani duan që në rajonin e tyre të përfshihet edhe qyteti strategjik i Kirkukut. Zgjerimi drejt jugut alarmon të tjerë komponentë etnikë (sunnitë, turkomanë) dhe shqetëson Turqinë, e cila ka qenë gjithmonë kundër lindjes së një entiteti kurd në kufirin e saj juglindor. Ideja nuk u pëlqen as qeverive të tjera arabe dhe as Iranit.

Qeveria

Ekspertët këmbëngulin se në formimin e qeverisë do të kenë një rol të rëndësishëm partitë në minorancë. Për shembull, komunistët dhe monarkikët. Tratativat do të vazhdojnë për disa javë dhe mund të përshpejtohen nga fakti që, liderët njihen mirë, pasi shumica i përkasin diasporës irakene. Mes favoritëve për detyrën e kryeministrit, janë kryeministri aktual Allavi (shiit laik) ose ish-ministri i financave, Adel Abd Mahdi (shiit fetar). Në garë për poltronën është edhe Masud Bazani, udhëheqës i partisë demokratike të Kurdistanit. Shiitët, që ashtu si edhe kurdët kanë vuajtur nën represionin e Sadamit, duan përfaqësim. Por të tjerë këshillojnë maturi për të mos rritur tensionet me sunnitët.

Forcat e huaja

Pas zgjedhjeve, irakenët mund të marrin mbi vete më shumë përgjegjësi në drejtimin e shtetit. Dhe në këtë kuadër do të ridalë tema e pranisë së koalicionit. Uashingtoni synon t'ua kalojë forcave irakene përgjegjësinë për sigurinë. Diplomacia diskuton për strategjinë e tërheqjes. Thuajse të gjithë partitë irakene janë shprehur për largim të trupave, por pozicionet e tyre ndryshojnë në lidhje me kohën e largimit. Eshtë e qartë se qeveria e re ka ambicie të ushtrojë pushtetin e saj, por duhet të ketë mjete. Këtu lind baleti i deklaratave. Bushi ka premtuar: “Do të largohemi kur të na e kërkojnë”. Më pas, ka shtuar: “Jam i sigurtë se Bagdadi do të na kërkojë të qëndrojmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›