Të ndjesh që je e bukur

03/02/2005 U ndodh të gjitha femrave herët a vonë. Ndonjëherë mjafton thjesht një puçërr, flokët që nuk duan të marrin formë, apo thjesht një vajzë e bukur në rrugë dhe fillon ankthi: “O Zot, jam e shëmtuar!” Befas, fillon pasiguria, të ikën dëshira për të dalë, nuk di më si të vishesh apo të bësh tualet. Rregullat e mëposhtme do të ndihmojnë në kapërcimin e këtyre ndjesive negative që do t’ju bëjnë të ndjeheni e rrjedhimisht, të jeni, të bukura dhe seksi 24 orë në 24. Së pari, duhet ta doni veten dhe ta pranoni ashtu siç është. Vetëm nëse e doni veten, do të jeni në gjendje ta përballoni jetën me kokën lart, me siguri dhe natyrshmëri. Është pikërisht kjo siguri dhe qetësi, me të cilën do të përballoni botën, ku do të ndjeheni femra më e bukur dhe tërheqëse. Dy: vlerësoni pikat tuaja të forta. Askush nuk është i përkryer, madje as topmodelja juaj e preferuar. Gjithë sekreti qëndron në vlerësimin në maksimum të pikave tuaja të forta. Për të pasur ide me të qarta, provoni një herë të bëni listën me pjesët më të bukura të trupit tuaj. Mundohuni t’i vlerësoni dhe çmoni më shumë. Do të vëreni që, duke u përqendruar në pikat e forta, nuk do të ndjeheni më keq nga pjesët “problematike”. Rregulla e tretë është të mos krahasoheni me asnjërën. Kurrë mos e bëni këtë! Përqendrohuni mbi vetveten, duajeni dhe thuajini vetes se jeni të bukura. Për shembull: nëse po mbani dietë bashkë me një shoqen tuaj, nuk do t’ju ndihmojë shumë të dini se ajo ka rënë 4 kg. E rëndësishme është sa kg keni humbur ju; pavarësisht në janë 2, 3 a 4. Më shumë rëndësi kanë rezultatet tuaja, jo të të tjerëve. E katërta, në mëngjes vishni rrobat që ju bëjnë të ndjeheni më mirë. Vishuni dhe bëni tualet me qetësi, mos u nxitoni. Qëndrojini besnike stilit tuaj. Pasi të keni zgjedhur veshjen dhe tualetin, mos mendoni më! Mundohuni ta hiqni mendjen gjatë gjithë ditës dhe të mos ndikoheni nga kostumi i ri i shoqes së punës. Ndërkohë, mos harroni se jeni të bukura dhe përballojeni ditën me siguri. Rregulla nr.5: kujdesuni për tualetin gjatë drekës dhe në mbrëmje. Mos e kaloni ditën me buzëkuq dhe krehër në dorë. Rrini të qeta për pamjen tuaj të jashtme dhe rregullohuni sërish vetëm pas pushimit të drekës apo darkës, për ta përballuar të forta pjesën që mbetet të ditës. Së gjashti, duhet të mos i pyesni të tjerët si dukeni. Besojini shijes suaj dhe mundohuni të mos i pyesni të tjerët për pamjen tuaj të jashtme. Duke kërkuar këshilla, në përgjithësi nuk bëjmë gjë tjetër veçse kërkojmë aprovim prej të tjerëve dhe kjo tregon pasiguri nga ana juaj duke ulur edhe vlerat në sytë e të tjerëve. Pas kësaj, një tjetër këshillë e mëtejshme, e shtata, është t’i kushtoni kujdes 15 minuta në ditë trupit tuaj. Një ditë lyeni gishtat me manikyr, ditën tjetër bëni një maskë hidratuese për fytyrën ose një vaskë qetësuese. Paraqitja juaj e jashtme do të jetë shumë e kujdesshme, ndërkohë që i njëjti trajtim i përditshëm i trupit do t’ju bëjë të ndjeheni të qetësuara pas një ditë të gjatë në punë. E teta, përsëritini vetes se jeni të bukura. Mund të duket një budallallëk, por kjo të jep shumë ndihmë po ta thuash me vete. Përsërisni, sa herë të ndjeheni e pasigurtë, fjalët në vijim: “Jam e bukur” dhe mos harroni çastet në të cilat ndjeheni veçanërisht të bukura dhe tërheqëse. Menjëherë pas kësaj, do të ndjeheni më mirë. Dhe rregulla e fundit, por jo e tillë pë rnga rëndësia: mundohuni të mos vareni nga ajo që mendojnë të tjerët. Kjo u tha edhe më sipër: mbani dhe ruani stilin tuaj, jini të kënaqura nga rezultatet që keni arritur vetë, duajeni veten dhe mundohuni të mos vareni apo të mos ia vini veshin asaj që thonë të tjerët. Vetëm kështu do të ndjeheni më të bukura. Por nuk mbaron me kaq: njerëzit që ju rrethojnë do të vërejnë qetësinë dhe sigurinë tuaj dhe... për ta do të jeni më e bukur dhe tërheqëse.