Galeria e Arteve, Arti i fotografisë, në ekspozitën Jetojmë së bashku

Jetojmë së bashku titullohet ekspozita, e cila ka në fokus të saj dialogun ndërkulturor, i konsideruar së fundmi si pika kyçe e bashkëjetesës mes shteteve. Ekspozita u hap në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve nga Këshilli Britanik me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ekspozita tërhoqi këtë pasdite vëmendjen e shumë vizitorëve. Ndër ta ishin dhe Ministri i Kulturës, Ardian Turku, Ambasadori Britanik në Tiranë, Fraser Wilson, drejtoresha e Këshillit Britanik Clare Sean, etj.
Kjo ekspozite synon të eksplorojë multidimensionin e dialogut ndërkulturor në Europën moderne, duke punuar në disa sfera njëherësh; studim fenomeni dhe dialog institucional, arsimin etj. Ekspozita nëpërmjet artit të fotografisë sjell çështje të kohezionit social, multikulturalismit, migrimit dhe bashkëjetesës. Në qendër të kësaj ekspozite me 60 fotografi ishte dialogu ndërkulturor në Europë. Kjo nismë është në kuadër të Vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor i shpallur nga Këshilli i Europës. Risia që sjell kjo ekspozitë është përfshirja në të e artistëve të rinj, të cilët kanë realizuar 20 punime nga 60 të paraqitura, duke sjellë në to këndvështrime të ndryshme. Fotografia e një shtëpie të vjetër ku në kulmet e saj lidheshin tre antena satelitore ishte e para foto e kësaj ekspozite. Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite drejtori i GKA, Rubenc Shima u shpreh se ekspozita shpreh dhe disa aspekte të realitetit shqiptar. Kjo ekspozitë është një kërkim i shkurtër fotografik në disa aspekte të përgjithshme që realiteti shqiptar ofron për vëzhguesin e interesuar. Synimi i këtij projekti është evidentimi i kontrasteve që ekzistojnë në përballjen me diversitetin njerëzor, me pranimin dhe format e ndryshme të reagimit ndaj tij, theksoi ai gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës. Ndërsa drejtoresha e Këshillit Britanik Clare Sean, u shpreh se qëllimi i këtij projekti ka qenë ballafaqimi i realiteteve të ndryshme në botë. Në këtë ekspozitë është fiksuar diversiteti i metropolit të vetëm shqiptar, Tiranës, në të gjithë dimensionet e tij kulturore, fetare, krahinore, etj. Qëllimi i këtij projekti ka qenë ballafaqimi i realiteteve të ndryshme në Europën moderne, që nxjerr në pah vlerat që na bashkojnë dhe kontradiktat që na ndajnë, tha ndër të tjera ajo. Syri i fotografëve të rinj, punimet e të cilëve në këtë ekspozitë janë përzgjedhur nga konkurse të ndryshme fotografie të zhvilluara në vendin tonë, ka tërhequr momente tejet të zakonshme të jetës së përditshme të cilët janë shndërruar në shembuj të bashkëjetesës kulturore. Një fotografi e tregut të Medresesë, ku dy shitës kinezë qëndrojnë në një ambient shqiptar, tregon jetesën e pasforcuar të dy kulturave të ndryshme. Ekspozita u ndoq me interes dhe nga Ministri i Kulturës Ardian Turku, i cili në këtë ekspozitë bëri dhe paraqitjen e tij të parë zyrtare si titullar i MTKRS. Më vjen mirë që në ditën time të parë të punës marr pjesë në një aktivitet të tillë të ideuar dhe të realizuar nga të rinjtë, të cilët janë ata që do të çojnë vendin tonë përpara,u shpreh ministri Turku. Punimet e artistëve të rinj të paraqitura në këtë ekspozitë janë më të mirat e përzgjedhura nga konkurse të ndryshme për të rinjtë si Konkursi i Fotografisë Dixhitale, Konkursi i Fotografisë mes Shkolla dhe aktiviteti Treasure Hunt (gjej thesarin) i organizuar nga Këshilli Britanik në muajin nëntor 2008. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 31 Mars. Ekspozita është eventi përmbyllës i një projekti dy vjeçar të British Council në Europën Juglindore.
*********************************************************************
Në këtë ekspozitë është fiksuar diversiteti i metropolit të vetëm shqiptar, Tiranës, në të gjithë dimensionet e tij kulturore, fetare, krahinore, etj. Qëllimi i këtij projekti ka qenë ballafaqimi i realiteteve të ndryshme në Europën moderne që nxjerr në pah vlerat që na bashkojnë dhe kontradiktat që na ndajnë....