Rama: Të gjitha palët në opozitë, të kontribuojnë për zgjedhje të rregullta
Lideri i opozitës, Edi Rama ditën e djeshme ka dhënë një konferencë për shtyp për mediat në lidhje me situatën aktuale të procesit zgjedhor. Lidhur me pyetjen se për cilën do të arrihet një konsensus, për shtyrje të datës së zgjedhjeve apo për mosdhënie të së drejtës së votimit për ata që nuk kanë pasaporta, Rama tha se PS do të vazhdojë të japë kontributin, ndërkohë që vazhdojnë të besojnë se procesi mund të shpëtohet dhe se procesit duhet ti jepet një shans duke garantuar aplikimin për kartë identiteti, për çdo shtetas pa pasaportë, që sot nuk e bën aplikimin pasi gjendja ekonomike nuk ia lejon.
Duke kujtuar deklaratën e Berishës dje në mbledhje se qeveria ka deklaruar se në vitin 1997, ka dhënë karta falas, Rama u shpreh se nuk është në asnjë mënyrë rasti për ta kthyer propozimin tonë në çështje politike, apo për të bërë politikë me propozimin tonë, qoftë pro apo kundër. Ai theksoi se ky është rasti për të qenë të gjithë bashkë, në një mendje, se procesi duhet shpëtuar nga rreziku i qartë i dështimit. Rama nënvizoi se ky proces mund të shpëtohet, duke ju dhënë mundësinë reale të aplikimit, të gjithë shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe duke mos patur sot kartë identitetit, praktikisht humbasin të drejtën e tyre kushtetuese për votim. Ky propozim vjen në kushtet kur koha po ngushtohet dhe procesi i aplikimeve është shumë i ulët në raport me kohën. Të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh, se me këtë ecuri jemi duke shkuar në qorrsokak, u shpreh Rama. Kreu socialist, Rama theksoi se këtë qorrsokak mund ta shmangim, duke nxjerrë nga buxheti i shtetit atë mbështetje që ju duhet këtyre njerëzve, që të bëjnë aplikimet dhe jo duke i kthyer këta njerëz nesër në pre të skemave korruptive apo në shënjestër të parave që do të hidhen në qarkullim për të blerë votën e tyre. Rama vlerësoi se ky propozim, vjen si rezultat i një gjykimi shumë objektiv dhe i domosdoshmërisë për të kontribuar për një proces. Këtë proces, u shpreh Rama ne e shohim ende si një shprehje e vullnetit të përbashkët për zgjedhje të ndershme, e shohim si një proces të ndarë mes qeverisë dhe nesh dhe me të cilin ne sot e gjithë ditën vazhdojmë të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm dhe si përfaqësues të përgjegjshëm të qytetarëve, duke mos kërkuar dhe mos synuar për asnjë çast që të bëjmë politikë. Lidhur me pyetjen se PS do të marrë pjesë në zgjedhje, nëse vazhdon kjo situatë, Rama u shpreh se ne jemi këtu për ta ndjekur procesin ditë pas dite. Ju jeni këtu për të vazhduar për të nxjerrë një lajm sa më tërheqës. Ai vijoi se puna jonë nuk është të bëjmë lajm, por të bëjmë detyrat tona. Lideri Rama theksoi se detyra e opozitës sot është, që të gjithë së bashku, të gjitha palët, të japin kontributin maksimal, që të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën për të votuar dhe asnjë prej tyre të mos e humbasë këtë të drejtë, dhe më keq akoma, që asnjë shqiptar të mos kthehet pre e pazareve të paligjshme, për të blerë votën e tij apo të saj.