E Shtunë, 31 Tetor 2026

"I kërcënuar për të favorizuar Shumakerin"

Në ditët e kaluara kishte thënë se publiku nuk di as gjysmën e asaj se çfarë përjetoi ai te Ferrari. Ndoshta një ditë do të munden ta lexojnë "të vërtetën në një libër". Kjo ditë ka ardhur, edhe pse Rubens Barrikelo nuk ka zgjedhur një libër për të treguar të vërtetën e tij për periudhën e kaluar te Ferrari.

SHPËRTHIMI - Braziliani, praktikisht pa një makine pas shkarkimit që i bëri Honda duke e përjashtuar nga testet e para, ka akuzuar ashpërsisht Ferrarin se ka favorizuar Majkëll Shumakerin. Në një intervistë të dhënë për emisionin brazilian "Fantastico", ai është shprehur se ka qenë i detyruar që të linte të parakalonte gjermanin në rastin e garës së Austrisë në 2002-shin. Në atë rast braziliani, i cili ishte në të tretin vit me Ferrarin, kishte fituar "pole position". Kur duheshin dhjetë xhiro nga fundi, ai ishte para pilotit gjerman. "Në xhiron e tetë para fundit, ka filluar lidhja me bokset. Më thoshin që duhet të lija Majkëll Shumakerin që të më parakalonte. Me kalimin e xhirove, intensiteti i diskutimit arriti tonet e larta. Pse e lashë të më parakalonte vetëm në xhiron e fundit? Mbërrita në hyrje të xhiros së fundit, i vendosur se nuk do ta lija të më parakalonte. Por më thanë se nëse nuk do ta bëja, do të kishte një rishikim të kontratës. Ky për mua ishte një urdhër: më mirë që ti të heqësh këmbën nga gazi se sa të përfundosh në shtëpi, si një i papunë".

SEZONI REKORD - Në fund të sezonit, Shumakeri fiton titullin, me 144 pikë kundër 77 të Barrikelos. Rubens më ka shpjeguar se do të kishte dashur të pyeste nëse gjermani e njeh këtë situatë: "Do të doja të mësoja nëse është në dijeni të të gjithë asaj se çfarë po ndodhte, sepse nuk ishte e drejtë ta bëja para të gjithëve. Më thanë që të mos prisja që të vendoste ai. Por në shtëpi i kam dokumentet me të gjitha provat, që demonstrojnë se ai ishte në dijeni të asaj se çfarë po ndodhte". Akuzave të rënda të Barrikelos për Ferrarin, përgjegjësi i zyrës së shtypit, Luka Kolajani, nuk u ka dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje: "Nëse këto fjalë janë të vërteta, le t‘i lemë kohë që t‘i vërtetojë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›