Mjerë ai vend që ka nevojë për heronj
Heshtje
Federconi - (Sheh në dritare orën me diell në kopsht) Ora pesë.
Virgjinia lutet me zë më të lartë.
Andrea - S’pres dot më. Ata po shtrembërojnë të vërtetën.
Andrea dhe murgu i vogël zënë veshët. Por nuk dëgjojnë ndonjë kambanë. Pas një pauzë të vogël gjatë së cilës dëgjohet vetëm murmurima e Virgjinisë që lutet, Federconi tund kokën në shenjë mohimi. Andrea dhe murgu i vogël varin krahët poshtë.
Federconi – (Me zë të ngjirur) S’ndihet asgjë. Ora pesë e tre minuta.
Andrea – Qëndroi.
Murgu i vogël – Nuk hoqi dorë.
Federconi – Jo. Oh, si lum unë.
Përqafohen. Gëzimi i tyre s’ka të përshkruar.
Andrea – Pra forca s’pin ujë. S’bëhen dot të gjitha me forcë. Injoranca u mund, ajo nuk paskej qenë e pamposhtme. Kështu pra: njeriu s’ka frikë, s’i trembet vdekjes.
Po sot çdo gjë ndryshoi. Njeriu ngriti kokën. I sfilitur nga vojtjet, ai thotë mund të rroj. Ç’fitore e madhe u arrit nga që një njeri tha: jo!
Atë çast dëgjohet tingëllima e këmbanës të katedrales së Shën Markut. Të gjithë ngrinë në vend.
Virgjinia – (ngrihet) Kambana e Shën Markut! Shpëtoi nuk u mallkua!
Nga rruga vjen zëri i tellallit që lexon heqjen dorë të Galileit.
Zëri i tellallit – “Unë Galileo Galilei, mësues i matematikës dhe i fizikës në Firence heq dorë nga ato që kam pohuar se Dielli vërtitet gjoja rreth qendrës së Gjithësisë dhe qëndron në vend pa lëvizur. E mohoj, këtë dhe i mallkoj me zemër të qëruar dhe me besim të sinqertë të gjitha këto lajthitje dhe herezi ashtu sikundër dhe çdo lajthitje e mendim tjetër që vjen në kundërshtim me kishën e shenjtë”.
Errësohet. Kur bëhet përsëri dritë dëgjohet akoma tingëllima e këmbanës e cila pastaj pushon. Virgjinia ka dalë. Nxënësit e Galileit kanë mbetur aty.
Federconi – Ai kurrë s’i ka shërbyer punën siç duhet. Ti s’je në gjendje të blesh as një palë pantallona dhe as t’i shtypësh veprat e tua. Ke duruar e ke duruar tërë kohës vetëm se kjo ishte një punë për shkencën”.
Andrea – (Me zë të lartë) Mjerë ai vend që nuk ka heronj.
Hyn Galileu. Ka ndryshuar aq shumë gjatë procesit sa s’njihet pothuajse fare. Ai i dëgjoi fjalët e Andreas. Pas një hop në prag të derës që ta përshëndesin. Por nxënësit zmbrapsen prej tij dhe ai kalon ngadalë; me hapa të pasigurta, nga që s’sheh mirë nga sytë, vete tek një karrige dhe ulet.
Nuk e shoh dot, le të shporret.
Federconi – Qetësohu.
Andrea- (I thërret Galileut) Shpëtove plëncin tënd të shtrenjtë.
Galilei – (I qetë) Nëmëni një gotë ujë.
Murgu i vogël i sjell Andreas një gotë ujë. Askush s’ia var tani Galileit, i cili i tkurrur dhe i heshtur, vë veshin në përgjim. Dëgjohet prapë zëri i tellallit.
Andrea – Po të më ndihni, jam prapë në gjendje të lëviz.
Murgu dhe Federconi i ndihnin Andreas që të bëjë për nga dera. Dëgjojnë zërin e Galilelit dhe ndalen.
Galilei – Jo! Mjerë ai vend që ka nevojë për heronj.
Bie perdja
Përpëra perdes së rënë lexojnë:
“Mos vallë nuk është e qartë se një kalë që bie nga një lartësi prej tri a katër bërryle mund të thyejë këmbët, ndërsa një qen do mos pësonte gjë, si gjithashtu sa edhe një mace që do të binte nga një lartësi tetë a dhjetë bërryle, a një karkalec që do të binte nga maja e një kulle dhe një milingonë po gjer edhe nga hëna. Dhe ashtu sikundër dhe kafshët e vogla që janë përafërsisht më të forta dhe më solide se sa të mëdha, ashtu po dhe bimët e vogla mbahen më mirë. Një lis dyqind bërryle i gjatë nuk mund të ketë degët e tij në përpjestim me një lis të vogël dhe natyra nuk mund ta lerë një kalë të bëhet i madh as njëzet kuaj bashkë dhe as një gjigant që të rriste dhjetë herë në madhësi, pa ndryshuar përpjesëtimin e gjymtyrëve veç atë të eshtrave, të cilat do të duhej të forcoheshin për tej një trashësie të përpjesshme.
Mendimi i zakonshëm se makinat e mëdha dhe ato të voglat janë gjithë po aq të forta, del qartë pra se është i gabuar.”
Galilei “Discorsi”