S’ndalet Edvini – në panik refuzon që Arben Malaj të ketë përfaqësues në komisionet e votimit
Ylberistët u shfaqën mbrëmë të vendosur të mos i lejojnë rivalët e Ramës të kenë përfaqësuesit e tyre në komisonin e votimit për kryetarin e ri të PS. Kryesia konfirmoi se PS-ja është e ndarë mëdysh, ndërkohë që arroganca e Edvinit paralajmëron çarjen e re të së majtës
TIRANE – PS-ja ndahet në dysh, ndërsa ballafaqimi në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së kësaj partie, tregojë se forcat ishin të barabarta. Ndërsa kundërshtarët e Edi Ramës, përbeheshin nga Arben Malaj, Ben Blushi, Saemira Pino, Eva Allushi, Mimoza Hafizi, etj, përkrahësit e Edi Ramës, ishin “xhaketat e vjetra” të kësaj partie, sikurse janë Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade dhe Fatmir Xhafa.
Përballë një shpërndarje të barabartë forcash edhe brenda kryesisë së PS-së, Edi Rama është përpjekur të përdorë autoritetin dhe kërcënimet e tij, ndaj kundërshtarëve. Nëpërmjet Namik Dokles, Gramoz Ruçit dhe Arta Dades, Edi Rama ju ka bërë të ditur kundërshtarëve të tij se nuk do të lejojë ndryshimet në Status, por nuk do të lejojë as zërat ndryshe, apo fraksionet në parti. Jo vetëm kaq, por mësohet se në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë, është vendosur që kandidatët rivalë të Edi Ramës, për kryetar të PS-ës, të mos kenë përfaqësuesit e tyre në komisionin e votimit për kryetar, sipas parimit “një anëtar një votë”
Ndarja e forcave për gjysmë në Kryesinë e PS-ës, u paralajmërua faktikisht që para fillimit të mbledhjes së mbrëmshme të këtij forumi të kësaj partie. Paralajmërimi më i mirë i saj ishte pranimi i mbledhjes së Kryesisë së PS-ës, nga gjysma e anëtarësisë së këtij forumi që mbështet Edi Ramën, përballë presionit dhe të gjysmës tjetër, që vetëm një ditë më parë kishin kërkuar zhvillimin urgjent të kësaj mbledhje.
Jo më larg se dita e martë e kësaj jave, tetë drejtues të lartë të PS-ës, kërkuan mbledhjen e kryesisë së partisë, para Kongresit të Jashtëzakonshëm, si një mënyrë presioni ndaj Edi Ramës që të mos shmangë strukturat vendimmarrëse, përgjatë periudhës së vakuumit, në kushtet e një partie pa kryetar.
Tetë firmëtarët, anëtarë të kryesisë dhe të sekretariatit të Partisë Socialiste kërkonin dy ditë më parë të mos shpërfillen strukturat e partisë, në vendimmarrjen politike, para dhe pas Kongresit të jashtëzakonshëm, deri edhe në zgjedhjen e kreut të ri të kësaj partie. Tetë anëtarë kryesie dhe tri anëtarë të sekretariatit të PS-ës, kërkuan mbajtjen e një mbledhje të këtij forumi pak ditë përpara zhvillimit të Kongresit të Jashtëzakonshëm i cili pritet të diskutojë qëndrimin ndaj zgjedhjeve, por edhe për vazhdimin e kryesisë së PS-së pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit aktual Edi Rama.
Nënshkruesit e kërkesës zyrtare si Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Edlira Haxhiymeri, Eva Allushi, Saemira Pino, Andis Harasani dhe Mimoza Hafizi, kërkonin të zbatohet statusi i Partisë Socialiste.
Si shkak kryesor për mbajtjen e mbledhjen e kryesisë, firmëtarët përmendin edhe mosmbledhjen e saj për një kohë të gjatë, saktësisht që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në shkresën e dërguar Kryesisë dhe Sekretarit Ekzekutiv të partisë socialiste përmendej neni 27 i Statusit të kësaj partie.
“Në zbatim të nenit 27 të statutit sipas të cilit, ‘Kryesia e PSSH mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj’, në kushtet kur Kryesia e PSSH nuk është mbledhur për një kohë të gjatë pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, në prag të Kongresit të Jashtëzakonshëm, si dhe në kushtet kur mandati i kryetarit të PSSH është ndërprerë, e vlerësojmë të nevojshme thirrjen e Kryesisë”, thuhej midis të tjerave në kërkesën e tetëshes së anëtarëve të kryesisë dhe sekretariatit të PS-ës.
Ndër pikat kryesore renditen mbajtja e një kongresi të hapur për median dhe përfshirje në rendin e ditës të propozimeve të Ben Blushit për ndryshimet në statusin e partisë. Sipas nënshkruesve të kësaj kërkese, mbledhja e radhë së kryesisë të partisë socialiste, duhet të diskutojë edhe për zgjedhjet parlamentare, në prag të hapjen e sezonit të ri të Kuvendit, për përfshirjen e rendit të ditës, në statusin e partisë socialiste shqiptare, për përgatitjen dhe administrimin e kongresit, për garantimin e transparencave në zgjidhjen e kongresit si edhe për të diskutuar mbi organizimin e përmbajtjen e procesit të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Socialiste.
Përpos këtyre kërkesave të dy ditëve më parë, mësohet se edhe në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS-së, mes debateve Ben Blushi ka ripërsëritur qëndrimet dhe kërkesat e tij, për domosdoshmërinë e miratimit, të platformës së kongresit, miratimin e ndryshimeve statusore, si dhe zgjedhjen e kryetarit të PS-ës, përmes procedurave transparente.
Nga ana e tij, edhe Arben Malaj ka bërë publike qëndrimet dhe kërkesat e tij, sipas të cilit, tri shtyllat kryesore kanë qenë, menaxhimi korrekt i kongresit, pranimi i platformës së re në PS dhe një proces transparent për zgjedhjet e forumeve drejtuese në përgjithësi dhe të kryetarit të partisë në veçanti.
Mbledhja e mbrëmshme e Kryesisë së PS-ës, konfirmoi ndarjen përgjysmë edhe të anëtarësisë së PS-së. Prej ditësh, Edi Rama po kupton se nuk do ta ketë të lehtë në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, për të bindur anëtarësinë për një rikandidim të tijin për kryetar të kësaj partie. Zërat kundër tij në Kongresin e jashtëzakonshëm, mësohet se po vijnë duke u shtuar në radhët e delegatëve të këtij kongresi. Jo vetëm kaq, por vetëm pak ditë para këtij kongresi, mësohet se numri i delegatëve kundër Edi Ramës, apo e thënë ndryshe, ka arritur në gjysmën e numrit të përgjithshëm të delegatëve.
Konfirmimin për zgjerimin e kësaj mbështetje, pas bërjes publike të këtij fakti nga Mimoza Hafizi, Anëtarja e Kryesisë së PS-ës, për pasojë edhe Anëtare e Asamblesë së Përgjithshme të PS, e njohur si një nga mbështetëset e platformës me 10 pika të Ben Blushit, e kanë bërë edhe Asambletë lokale të PS-ës, në Korçë, Kuçovë etj, që kanë shprehur haptazi pakënaqësitë e tyre ndaj Edi Ramës, si dhe mbështetjen për kandidatura të tjera, për kreun e kësaj partie.