Galliani: “Nuk do ta ndërroja Kakanë me Kristiano Ronaldon”

Lufta mediatike në prag të ndeshjes së dytë gjysmëfinale midis Milanit dhe Mancester Junaitid vazhdon të jetë në kulmin e saj, ku protagonistë janë të gjithë, duke filluar nga drejtuesit e deri te futbollistët. "Më mirë Kaka apo Kristiano Ronaldo?" A do t'ia vlente një këmbim midis lojtarëve. Gazeta britanike "The Sun" si gjithmonë merr një rol të dorës së parë duke sjellë në fokus një deklaratë të administratorit të Milanit, Adriano Galiani. "Jo, nuk do ta ndërroja kurrë Kakanë me Kristiano Ronaldon, më shumë do të pëlqeja që t'i shihja duke luajtur bashkë. Me Ronaldon përpara Kakasë dhe Kristianon prapa, do të ishim të qetë dhe do të shkonim në kinema dhe do të pyesnim se si cfarë ka bërë Milani duke mos pasur asnjë lloj preokupimi, por jeta nuk të lejon të kesh gjithcka që dëshiron", - është shprehur numri dy i kuqezinjve.
Kaka beson te shanset e Milanit për t'u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampioneve me gjithë humbjen 3-2 të pësuar nga Mancester Junaitid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në "Old Traford". "Ishte një rezultat i hidhur që na kushtëzon të mos gabojmë në ndeshjen e kthimit por, unë jam i bindur se ne mund të kualifikohemi", deklaroi braziliani, autori i dy golave të mrekullueshëm gjatë një ndeshje të shkëlqyer si ajo së martës në Mancester. "Ne duhet të luajmë ashtu si Junaitid luajti kundër nesh", shtoi ai për gazetën sportive italiane "La Gazzetta dello Sport". "Ne duhet të tregojmë provë karakteri dhe t'i shfrytëzojmë në mënyrë të plotë energjitë tona. Do të jetë një luftë". Milani pësoi edhe një goditje tjetër të ashpër: dy futbollistë thelbësore mund të mungojnë në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet javën e ardhshme në "San Siro". Mbrojtësi dhe kapiteni, Paolo Maldini, u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të një dhimbje në gju, ndërkohë që i pasigurt është dhe aktivizimi i mesfushorit shkatërrues Xhenaro Gatuzo, i cili la fushën për shkak të një dëmtimi në këmbë. "Reagim madhështor", kështu e konsideroi përmbysjen e rezultatit, trajneri i Mancester Junaitid, Aleks Fergusoni. "Në tërësinë e lojës, ne ishim ekipi më i mirë, sidomos në pjesën e dytë, dhe e meritonim të fitonim", pohoi ai, pas fitores 3-2 të Mancesterit ndaj Milanit.
"San Siro", e ezauruar
Milan-Mancester, takimi i vlefshëm për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve do të luhet në një stadium plotësisht të ezauruar. Klubi kuqezi bëri të ditur se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion për ndeshjen e 2 majit. Për saktësi janë shitur 67.500 bileta të cilat kanë sjellë një të ardhur totale prej 3.171.291 euro.