E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gallup" : Policët dhe mjekët, kampionë për ryshfet

Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan për ryshfetin. Policët dhe bluzat e bardha janë dy figurat që i kanë nxirë faqen Shqipërisë në monitorimin e Ballkanit të "Gallup" për vitin 2008-të. Nga sondazhi i "Gallup", 32% e shqiptarëve pranojnë se kanë dhënë ryshfet gjatë 12 muajve të vitit 2008, 9% nuk janë përgjigjur dhe 58% shprehen se nuk kanë dhënë ryshfet. Shqipëria mban vendin e parë, duke u pasuar nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. Duke iu referuar të dhënave nga "Gallup" për monitorimin e Ballkanit, në Shqipëri një e treta e të intervistuarve, ose ndryshe 32%, kishin përjetuar një korrupsion të tillë. Sipas të dhënave, zyrtarët që kërkonin ryshfet ishin më shpesh të raportuar si policë apo personel nga shërbimet mjekësore. Në sondazh gjithashtu theksohet se vetëm 9% e shqiptarëve kanë besim te qeveria, 27% nuk kanë besim fare dhe 32% janë me qëndrim të lëkundur. Në të njëjtin parametër ndodhen edhe gjykatat dhe partitë politike. Performanca e qeverisë është një tjetër pikë e prekur, ku qeveria shqiptare vlerësohet me notën dobët. 43% e të intervistuarve i kanë dhënë vlerësimin dobët qeverisë, 27% shprehet se qeveria ka punuar mjaftueshëm, 23% i japin notën mirë dhe vetëm 4% pranojnë se kabineti "Berisha" meriton notën shkëlqyeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›