E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një akt i turpshëm!

Prof. Dr. Agim Vinca

Pas disa tentimesh të pasuksesshme, përfshirë edhe atë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit Ali Aliu (Presheva), që ishte një skandal i paparë, policia e Kosovës arriti ta arrestonte dje liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Albin Kurtin.
Pamjet që mund të shiheshin në ekranet e televizioneve të Kosovës (me përjashtim të RTK-së proqeveritare) t’i kujtonin ditët më të errëta që ka kaluar ky vend dhe posaçërisht ato të kohës së Millosheviçit, të cilat ende janë të freskëta në kujtesën e njerëzve.
Arrestimi i Albin Kurtit u bë me shumë zhurmë e tërsëllëm, me forca të mëdha policore dhe me dhunë, që u ushtrua ndaj tij dhe pjesëtarëve të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, të cilët tentonin më kot ta mbronin udhëheqësin e tyre.
Policia përdori sprej dhe gaz lotsjellës ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes!”, e nuk munguan as shkelmat dhe shkopinjtë e gomës dhe si pasojë e situatës që u krijua me këtë rast pati të lënduar nga të dyja palët. Nga britmat që lëshonin të rinjtë e të rejat që u qëlluan drejt në fytyrë me çurgje spreji e gazi lotsjellës, por edhe nga të skuqurit në fytyrat dhe gjymtyrët e tyre, nuk është vështirë të konkludohet se fjala është për mjete me efekte të rënda, por kjo nuk është e keqja më e madhe e këtij arrestimi.
Arrestimi i liderit të “Vetëvendosjes!”, Albin Kurtit, në ditën e djeshme, më 12 qershor 2010, do të mbahet mend, më shumë se për gazin lotsjellës, për arsyet e mëposhtme, që hedhin hije të zezë mbi këtë akt të turpshëm.
1. Arrestimi i Albin Kurtit nga Policia Speciale e Kosovës, sipas fletarrestimit të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, u bë në një ditë të shënuar e festive: më 12 qershor, pra pikërisht në 11-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që praktikisht shënon Ditën e çlirimit të Kosovës dhe që zyrtarisht kremtohet si Ditë e Paqes, pra është festë zyrtare e Republikës së Kosovës.
2. Arrestimi i Albin Kurtit u bë në ditën kur organizata të cilën e udhëheq ai, Lëvizja “Vetëvendosje!”, shënonte 5-vjetorin e formimit dhe të fillimit të veprimtarisë së saj.
3. Arrestimi i Albin Kurtit u bë dy ditë pasi Lëvizja “Vetëvendosje!” protestoi në Prizren në mbrojtje të logos së proskribuar të këtij qyteti dhe pikërisht më 10 qershor, pra në ditën e mbajtjes së Kuvendit historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 132 vjet më parë.
Lëvizja “Vetëvendosje!” iu kundërvu kështu edhe një herë vendimit absurd të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zhvleftësimin e stemës së komunës së Prizrenit në të cilën shihen: Shtëpia e Lidhjes, viti i mbajtjes së saj (1878) dhe emri i qytetit (Prizren), në emër të kinse “cenimit të multi-etnicitetit”!
4. Arrestimi i Albin Kurtit u bë vetëm pak kohë pasi lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje!” shpalli vendimin e organizatës të cilën e kryeson për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Kosovë. Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm e vendimtar në veprimtarinë e kësaj organizate: ambicien për ta marrë pushtetin dhe për të udhëhequr me Kosovën, me çka mund të thuhet se Lëvizja “Vetëvendosje!” e kaloi Rubikonin. (Ky vendim duket se i dogji dikujt, prandaj u dha urdhri për arrestimin urgjent të “Samsonit kosovar”, Albin Kurtit, pavarësisht nga fakti që ky arrestim në Ditën e paqes linte shije të hidhur dhe prishte atmosferën festive).
5. Arrestimi i Albin Kurtit dje, në selinë e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, u bë në kundërshtim me vullnetin e 175 mijë qytetarëve të Kosovës, të cilët nënshkruan një peticion (më të madhin që është nënshkruar ndonjëherë në këtë hapësirë) për lirimin e Albin Kurtit nga aktakuza e ngritur padrejtësisht ndaj tij, që e shpall atë përgjegjës për humbjen e dy jetëve njerëzore më 10 shkurt 2007 në Prishtinë, dëshmorëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të vrarë nga forcat e policisë së UNMIK-ut.
Ky peticion, i mbështetur jo vetëm nga mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, iu dorëzua nga Këshilli për Mbrojtjen e Albin Kurtit edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por duket më kot, pa efekt.
Imazhi i ditës së djeshme, që ishte zyrtarisht ditë feste, nuk i bën nder aspak shtetit më të ri në botë, që njihet me emrin Republika e Kosovës.
Ky akt i turpshëm e aspak dinjitoz ndodh mu në kohën kur prestigji i këtij shteti të ri e pa sovranitet të plotë ka rënë dukshëm për shkak të zhvillimeve të kohëve të fundit në skenën politike kosovare dhe madje, në ditët kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me kushtetutshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, si dhe fillimi i bisedimeve (teknike) të udhëheqjes së Kosovës me Serbinë.
Ky nuk është arrestimi i parë i Albin Kurtit. Në ’99-n ai u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata Serbe, për të cilën deklaroi publikisht, në gjyq, se nuk e njihte, ashtu siç ka deklaruar sa e sa herë (edhe brenda mureve të burgut, e edhe në bankën e të akuzuarit) se nuk e njeh as Gjykatën e UNMIK-ut dhe të EULEX-it, për shkak se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.
Ky nuk është pra, arrestimi i parë i Albin Kurtit, por urojmë që të jetë i fundit dhe që gabimi i bërë dje, më 12 qershor, të ndreqet sa më parë: me lirimin e tij të pakusht nga burgu dhe nga aktpadia e padrejtë e absurde.
Apo mos vallë ky vend nuk mund të jetojë pa të burgosur politikë dhe pa martirë as në mbarim të dekadës së parë të shekullit XXI?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›