E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gangsterët e Nju Jorkut, në uniforma policësh

Korrupsion, trafik droge, bashkëpunim me mafien... çdo vit, mbi njëmijë agjentë të departamentit të policisë së Nju Jorkut përfundojnë në telashe, sepse kryejnë krime të cilat duhet t’i luftojnë

I arrestuari i fundit quhet Rafel Jimenez. Ai është ndaluar më 23 mars të këtij viti, ndërsa transportonte një pako me dhjetë kilogramë pluhur të bardhë, në të cilën ai besonte se kishte kokainë. Mallin e kish marrë nga një magazinë e Long Island dhe po e transportonte në një shtëpi në Bronks. Informuesit të FBI-së, misioni i të cilit ishte që ta fuste në kurth duke u shtirur sikur ishte një trafikant, Jimenez i kishte thënë se mund të shpërndante pa problem deri në një kuintal kokainë, me një shpërblim prej 1200 dollarësh për kilogram. Më 5 mars të po këtij viti u arrestuan Richard LeBlanca, Orlando Garcia, Brian Chicho. Një muaj më parë, të tre agjentët kishin kryer një vjedhje me armë në një fabrikë parfumesh në Nju Xhersi. Së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë, ata kishin vjedhur më shumë se 100 kuti me produkte kozmetike, për një vlerë prej një milion dollarësh. Agjentët e policisë u kishin treguar 11 pengjeve, të cilët i kishin mbajtur të mbyllur për tri orë, teserën e policëve të Nju Jorkut. Të njëjtën teserë që kishte Jimenez-i ndërkohë që transportonte kokainën; e njëjta që iu hoq Miguel Burgos, i cili për të ndihmuar trafikantët e drogës me të cilët punonte, u kishte dhënë një radio marrëse-dhënëse, që ata të dëgjonin të gjitha bisedat mes policëve; ose si ajo e Jacques Mackenson, që përfundoi në burg për përdhunim të vazhdueshëm kundrejt një minoreneje.

Kush mendon se bëhet fjalë për raste të veçanta, gabohet rëndë. Që prej vitit 1992 e deri në 2008-n janë arrestuar pothuajse dymijë agjentë policie të Nju Jorkut, një mesatare prej 119 agjentësh në vit. Ajo që ka hetuar për secilin prej tyre është “Internal affairs bureau”, ose siç e kanë pagëzuar me emrin “Rat squad”, që në grupin e agjentëve gjurmon kolegët të cilët merren me punë të pista. Me anë të një buxheti të majmë prej 62 milionë dollarësh, zyra punëson 650 agjentë të cilët luftojnë kolegët e “korruptuar” (policët që për pagesa shtesë u jepen aktiviteteve të dhunshme kriminale ose përdhunimeve).

Që 34500 agjentë të policisë së Nju Jorkut nuk janë të gjithë shenjtorë, ky nuk është ndonjë zbulim i kohëve të fundit. Bashkëpunimi mes agjentëve dhe pronarëve të bordellove solli në vitin 1894 formimin e një komisioni hetimor, i cili në fund vendosi të zgjidhte president të këshillit të policisë Theodore Roosvelt. Por puna e komisarit u harrua shpejt. Në vitin 1912, togeri i policisë, Charles Becker, punësoi katër spiunë për të nxjerrë personin i cili po e akuzonte se merrte para nga të burgosurit. Po ashtu, në vitet ‘50 kryebashkiaku William O’Dwyer dhe shefi i tij i policisë u detyruan të jepnin dorëheqjen kur u zbulua se një tjetër përkrahës i kryebashkiakut, Harry Gross, kishte një libër ku mbaheshin shënim pagat e një skuadre të tërë policie për të mbrojtur kasat e kazinove.

Por vetëm në vitin 1993, kur agjenti Michael Dowd u arrestua ndërsa shiste drogë, departamenti i policisë e ktheu departamentin e hetuesisë në këtë që është tani. Ray Kelly, atëherë dhe sot shef i policisë së Nju Jorkut, njoftoi ardhjen e një epoke të re. Megjithatë, po të shikosh 600 faqet e dokumenteve të tërhequra nga zyra kryesore e policisë së Nju Jorkut, nuk mund të thuhet se agjentët e kanë harruar zakonin e tyre të vjetër. Vazhdojnë të sillen si agjentë jobesnikë. Natyrisht që krimet e lidhura me konsumin ose shitjen e drogës janë ulur nga 231 raste në vitin 2008, kundrejt 653 rasteve që kanë qenë në vitin 1993. Ndërsa numri i përdhunimeve është rritur nga 367, në 394. Nëse episodet e gjumit ose dehjes në punë janë dyfishuar nga 64 në 153, abuzimet fizike janë shtuar nga 10, në 180 raste në vit.

Shpesh herë, abuzimet i detyrojnë viktimat t’i denoncojnë civilët për krimet e kryera. Pasi u akuzuan për dhunë fizike, tani tri policët nga Bruklin duhet të përballen me akuzën e 440 mijë dëmeve nga ana e Michael Mineo-s, një djaloshi 26-vjeçar, i cili ishte arrestuar prej tyre ndërsa tymoste një cigare me hashash. Mineo theksonte se pasi ishte keqtrajtuar, policët ia kishin hequr pantallonat dhe ishin përpjekur ta digjnin me një mangall. Kjo praktikë është eksperimentuar edhe në vitin 1997 nga dy agjentë të departamentit të Bruklinit, të cilët janë tashmë në burg, pasi u dënuan për përdhunimin e Abner Louima, një haiatiani të arrestuar në ‘97-n para një diskoteke. Por pas këtyre rasteve të tmerrshme, fshihen edhe episode dhune të tmerrshme. Në janar të vitit të kaluar, një grua e akuzuar për vjedhje u godit në kokë me pistoletë nga disa policë.

Brenda “Internal affairs bureau” gjendet një divizion special, “Group one”, i cili merret vetëm me hetimin e drejtuesve të lartë të policisë, njerëz si Eddie Maldonado, që përveçse drejton shërbimin e sigurisë dhe mbrojtjen e policisë për të gjithë politikanët amerikanë dhe të huaj të cilët udhëtojnë nga Nju Jorku, merret edhe me mbrojtjen e yjeve si Jennifer Lopez dhe basketbollistëve të “Nba”.

Maldonado u arrestua sepse, ndërsa kolegët e tij përgatisnin forcat e sigurisë për vizitën e Presidentit Obama, ai gjendej jashtë shtetit për një nga punët e tij private të sigurisë. Veç të tjerash, “Group one” nuk u kujdes në kohë për Bernie Kerik, shef i policisë së Nju Jorkut nga viti 2000 deri në 2001-shin, i cili është konsideruar edhe si një nga heronjtë e 11 shtatorit, por që prej shkurtit të këtij viti është në burg, ku vuan dënimin prej katër vjetësh për korrupsion dhe evazion fiskal. Mes akuzave të tjera, mbi të rëndon edhe ajo që ka marrë 250 mijë dollarë nga një ndërtues i lidhur me mafien për rikonstruksionin e apartamentit të tij.

Natyrisht që të gjitha këto raste janë të jashtëzakonshme për një departament policie që ende sot është në krye të statistikave të qyteteve më të mëdha amerikane për rezultatet e arritura. Në Nju Jork, nga viti 1990 e deri në 2009-n krimet janë ulur me 80 për qind: numri i krimeve është ulur me 79,2 për qind, dhuna kriminale me 61,7 për qind, ndërsa vjedhjet me 81,5 për qind. Edhe një herë në vitin 2009 numri i krimeve është ulur mesatarisht me 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar, por e reja është se dikush ka filluar të vërë në dyshim statistikat dhe t’i akuzojë hapur policët për manipulim.

Në shkurt të këtij viti, dy kriminologë kanë bërë të ditura rezultatet e bashkëbisedimeve të tyre me shefa policie të dalë në pension: shumë prej tyre kanë pohuar se ndonjëherë agjentët përpiqen t’i bindin viktimat e krimeve të tyre të mos bëjnë denoncime. Kështu, dyshimi i numrave të fshehur rrezikon të transformohet në një skandal të ri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›