E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madoff

Shokët e qelisë tregojnë për jetën e re të bankierit mashtrues: “Kështu e përballon dënimin prej 150 vjetësh” Ditët në burg, mes zënkave, mashtrimeve dhe provokimeve

“Viktimat e mia... le të shkojnë në djall”. Siç është shkruar në regjistrin e burgut të sigurisë së mesme të Butnerit në Karolinën e Veriut, Bernie Madoff duhet të qëndrojë në burg deri në 14 nëntor të vitit 2139. Por, për sjellje të mirë i kanë bërë një ulje dënimi prej 20 vjetësh. Kështu që nuk i mungon koha për t’u marrë me gjithçka që do: “Klientët e mi? I bëra të pasur për 20 vjet dhe mua më dënuan me 150 vjet burg”. Ata që tregojnë sekretet e mashtruesit më të madh në botë, i cili i mahniti të gjithë me skemën e tij “Ponzi”, janë ish-shokët e qelisë. “New York Magazine” shkoi për t’i takuar një për një sapo dolën nga burgu, për t’i pyetur se për çfarë flet dhe se si e kalon kohën Madoff (që ndërkaq punon si pastrues i dyshemeve në zyrat e burgut dhe paguhet me 14 cent ora). Një portret shumë i ndryshëm nga ai i njeriut të penduar dhe të përulur në pranverën e vitit të shkuar (u dënua me 150 vjet burg më 29 qershor të vitit 2009), kur kërkonte mëshirën e klientëve që kishte mashtruar: “E kuptoj dhimbjen e madhe që ju kam shkaktuar, një trashëgimi që po jua lë fëmijëve dhe nipërve të mi. Shpresoj që një ditë të arrini të më falni”, pati thënë atëherë me zë të mekur. Por çfarë pendese, sot Madoff duket arrogant dhe mendjemadh. Një i burgosur tregon se ishin duke parë njëherë një kronikë televizive që kishte lidhje me të. Atëherë i habitur djaloshi i ishte drejtuar me fjalët: “Po si arrite të gjeje aq shumë miliona”? Ndërsa Madoff iu përgjigj: “Jo miliona, miliarda”. Po ashtu, një tjetër e kishte pyetur: “E kupton çfarë ke bërë? U ke marrë kursimet e një jete shumë njerëzve të moshuar”? Ai, pasi e kishte parë me një shikim të egër, i ishte kthyer: “Po, e kam bërë, dhe çfarë pastaj”? Një tjetër kujtonte këto fjalë prej tij: “Mund të merrja hartën e botës dhe ta vendosja gishtin në një cep të çfarëdoshëm të globit. Aty me siguri do të kisha një shtëpi të zhytur në luks”. Edhe me njerëzit që ishin më lart tij, shpesh lëshonte fraza provokuese të tipit: “Po përse nuk më merrni t’ju jap një ide për koordinimin e bilancit? Nuk e mbani mend që unë kam qenë kryetari i Nasdaq”? Gjëja më befasuese është se përreth tij është krijuar një atmosferë admirimi dhe zilie. Kjo nisi me hyrjen e tij në burg, kujtojnë ata që ishin pas hekurave, kur u krijuan dy rreshta me njerëz që duartrokisnin. Të gjithë e njohin, bëjnë shaka me të, e trajtojnë si një person VIP. Një ish-grabitës banke, K.C White, që në burg u shndërrua në një artist, i bëri një portret me kokë poshtë. Ai e mori dhe tha: “Faleminderit, po s’kishe pse harxhoheshe. Unë e kam kokën lart”. Në burg, Bernie është bërë mik i mafiozëve dhe narkotrafikantëve, të cilëve u jep këshilla për investimet. Por duke qenë se kësaj here nuk kishte të bënte me pleq që zhgënjeheshin, por me të burgosur të rrezikshëm, nuk munguan edhe të rrahurat. Kështu i ndodhi me një amerikano-latin, i cili e zhdëpi në dru kur nuk i dolën këshillat e tij. Por ish-shokët e tjerë të qelisë tregojnë respekt dhe dashuri: “Ka qenë një hero në kohën e tij”, thotë Robert Ross. Po ashtu, Shanon Hay, me profesion shpërndarës droge, kujton se një mbrëmje Madoff i pati thënë: “Unë nuk e kam kuptuar kurrë përse të gjithë bënin garë për të m’i dhënë mua paratë. Shih, është e vërtetë që ndonjë e kam mashtruar, por këtë e kam bërë me racionalitet. Mashtroja ata më të pasurit, që mund t’ia lejonin vetes. Por të gjithë janë dakord në një pikë: nuk e ka humbur intuitën e tij prej financieri dhe mashtruesi njëkohësisht. Në ekonomitë e vogla të burgut, një i burgosur lan rrobat e të tjerëve dhe tarifa standarde është dhjetë dollarë. Pikërisht Madoff, më i pasuri nga të gjithë, e ka bindur që t’ia lajë për tetë dollarë. “Kemi qenë për muaj me radhë ngjitur me njëri-tjetrin. Nuk më ka ofruar kurrë as një akullore”, tregon një tjetër ish-shok burgu. Madoff, një djalë njujorkez, u përfshi në botën e financës që në moshën 22-vjeçare. Me 5000 dollarë të fituara nga një punë vere në plazh, ai iu fut rrugës së vështirë të bursës dhe shumë shpejt u shndërrua në një individ të suksesshëm dhe të pasur të komunitetit hebre të Nju Jorkut. Ai ngriti fondacione bamirësie dhe u bë edhe kryetari i "Nasdaq". Madoff si person të jepte shumë siguri dhe nuk të linte asnjë linjë dyshimi. Ata që kishin investuar në fondin e tij, e konsideronin veten me shumë fat dhe pjesë të një sekreti magjik financiar, çka pjesërisht ishte e vërtetë, veçse jo për mirë. Sekreti ishte se strategjia investuese e Madoff-it nuk kishte asgjë të përbashkët me gjetjet gjeniale pozitive. Ai ishte thjesht një mashtrues, që pas fasadës së gjeniut të investimeve fshihej një njeri i vogël, i ulur në një tavolinë plot me letra, pa kompjuter e vetëm me një makinë llogaritëse. Veprimtaria e tij ishte thjesht një skemë "Ponzi", e quajtur kështu sipas emrit të mashtruesit të famshëm amerikan të viteve ‘20. Ajo do të zgjaste
për sa kohë do të kishte edhe investitorë të rinj për t‘u futur me para e për të shlyer interesat e investitorëve të vjetër. Arrestimi i Madoff-it nga agjentët e FBI-së, të cilët kontrolluan gjithë apartamentin e tij në Manhatan, erdhi vetëm disa orë pasi ai u kishte treguar gjithçka dy djemve të tij, Andrej dhe Mark. Mark, 42 vjeç, ndodhej në krye të një dege të biznesit të të atit, po ashtu edhe djali tjetër, Andrej, 40 vjeç. Sipas avokatëve, asnjëri prej tyre, madje askush nga familja nuk kishte dijeni në lidhje me të vërtetën e financave të të zotit të shtëpisë. Sipas prokurorëve, ai u kishte thënë një ditë para arrestimit të bijve, se tashmë gjithçka kishte marrë fund dhe se biznesi i tij s‘ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe, një skemë gjigande mashtrimi, të cilën ai e kishte çuar përpara për vite me radhë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›