Klos, drejtori i shkollës mohon të ketë rrahur 12-vjeçarin
Drejtori i shkollës 9-vjeçare të Klosit, i cili akuzohet se ka goditur dhe shkaktuar dëmtime serioze për shëndetin e një 12-vjeçari, mohon të ketë ushtruar dhunë mbi nxënësin. Nexhmi çollaku e ka cilësuar ngjarjen si një skenar të përgatitur, me prapavijë politike. “Nuk kam pasur arsye ta godas djalin. Asnjëherë në punën time si drejtor dhe mësues nuk e kam pasur metodë pune goditjen e fëmijëve. Shkaku i përkeqësimit të shëndetit të nxënësit 12-vjeçar M. Q. ka ardhur jo si pasojë e goditjes nga ana ime, por si pasojë e një aksidenti që ai ka pësuar para 6 viteve”, ka sqaruar drejtori i shkollës, Nexhmi çollaku. Ai nuk e mohon faktin se pas ngjarjes u ka kërkuar falje prindërve të nxënësit, por kjo falje, sipas tij, është kërkuar me kushtin “nëse vërtet i kam shkaktuar dëmtime fëmijës”, thotë ai. Madje ai ka pohuar se 12-vjeçari M. Q., është një nxënës i urtë dhe pa probleme si dhe me një përparim mesatar në mësime. Edhe pse kjo ngjarje nga ana e drejtorit të shkollës konsiderohet si e montuar dhe me prapavijë të pastër politike, për shkak të reformës në arsim, në emër të së cilës u larguan një numër i konsiderueshëm mësuesish nga puna. Ndonëse ka lëshuar akuzat, ai nuk ka dhënë emra konkretë personash që mund të kenë përgatitur këtë “skenar”. Ndërkaq drejtori i Zyrës Arsimore të Rrethit Mat, Flamur Stafhasani, i pyetur për këtë ngjarje, thotë për “Shqip” se “mesa di unë, drejtori i shkollës nuk e ka goditur fëmijën. Nuk e kam studiuar thellë problemin, por siç më kanë thënë, ai është i mbyllur si rast. Aktualisht jemi në sezon provimesh dhe nuk kam pasur kohë të merrem me këtë rast. Vetëm para dy ditëve e mora vesh nëpërmjet televizorit”, deklaron Stafhasani. Ndërkohë burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat bëjnë me dije për “Shqip”, se rreth para tri javësh, familja Qipi dhe konkretisht Liliana Qipi, mamaja e 12-vjeçarit, ka depozituar pranë këtij institucioni një kallëzim penal për drejtorin e shkollës, për goditjen që ai i ka bërë fëmijës sa saj, duke i shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore. çështja, sipas kësaj prokurorie, është ende nën hetim dhe nuk është arritur në asnjë konkluzion. Mësohet se deri më tani janë marrë në pyetje fëmija i dëmtuar, familjarë dhe dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu konfirmohet se djali i dëmtuar është dërguar nga ana e Prokurorisë për ekzaminim në Mjekësinë Ligjore në Tiranë.
#