Kongresi VII i Okulistëve, Tirana merr pjesë për herë të parë
Kongresi i Shtatë i Shoqatës së Okulistëve të Europës Juglindore do të zhvillohet në Tiranë, në datat 18-20 qershor. Oftalmologjia është një shkencë mjekësore, që gjatë 20 viteve të fundit ka përparuar shumë, në sajë të zhvillimit tekniko-shkencor. Ky seminar dyditor do të shpalosë në Tiranë për herë të parë teknikën e fundit të operacionit të Kataraktës me Femtosecond LASER.
Katarakta është një perde që formohet mbi kristalin ose lenten natyrale të syrit, e cila pengon depërtimin e dritës në sy. Gjatë kataraktës, e cila mund të jetë e lindur ose e fituar, kristalini humbet transparencën e tij. Për të mos ndodhur një fatkeqësi e tillë, për cilindo person që shfaq këto simptoma, okulistët e huaj kanë zbuluar mënyrën sesi mund të ndërhyhet në raste të tilla. Ky novacion do të përbëjë lajmin kryesor në Kongresin Botëror të Oftalmologjisë (World Ophthalmological Congress), që fillon punimet këtë fundjavë në Berlin. Ky takim ka si synim të perfeksionojë teknikisht kirurgjinë e syrit. Femtosecond Laser bën të mundur lëngështimin e kataraktës, ndërsa më pas kryen kapsulotominë, incizionin primar, sekondar apo atë të harkuar kur është e nevojshme. Ky event përbën jo vetëm një risi për vendin tonë, por edhe një sfidë të madhe për të gjithë okulistët shqiptarë. Kjo për shkak se nëpërmjet këtij kongresi, okulistët tanë do të kenë mundësi të marrin dije nga oftalmologët më të mirë të Europës Juglindore, si edhe nga profesorë të kualifikuar nga e gjithë bota. Qëllimi i këtij kongresi është njohja me të rejat e fundit shkencore në fushën e Oftalmologjisë. Interesimi i madh që po tregohet për këtë event ka bërë të mundur që përveç okulistëve shqiptarë të regjistrohen edhe oftalmologë të rajonit. Në këtë kongres do të marrin pjesë 70 oftalmologë nga Kosova, mbi 40 nga Maqedonia, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovakia, Rumania dhe Ukraina. Kongresi organizohet nga komiteti organizator lokal në bashkëpunim me bordin drejtues të Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Juglindore dhe Komunitetin e Oftalmologëve Shqiptarë. Ky aktivitet i madh shkencor mbështetet nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.