Turqia, në vendin që rri pezull mes islamit dhe Europës
Ditët e inatit të madh duket se kanë përfunduar dhe tashmë e vetmja gjurmë e dukshme është një poster i madh që ka mbetur varur në një mur në sheshin “Taksim”, në të cilin shkruhet: “Izrael vrasës. Poshtë duart nga anijet tona”. Retorika zyrtare që pasoi ngjarjen e një jave më parë, kur komandot izraelite sulmuan anijen e ndihmave që po shkonte drejt Gazës, ka qenë e ashpër në shtatë ditët e fundit, duke kaluar edhe në deklarata ekstreme e megjithatë të shumtë kanë qenë ata ekonomistë vendas që bënë një pyetje të thjeshtë: Sa do t’i kushtojë Turqisë një prishje e marrëdhënieve me Izraelin? Koha do ta tregojë nëse bëhet fjalë vetëm për retorikë, apo do të merret në të vërtetë ndonjë masë, por në veshët e turqve dhe të hebrenjve do të ushtojë për një kohë të gjatë deklarata e Presidentit të vendit, Gul: “Turqia nuk do të harrojë”. E megjithatë, kjo lloj retorike mund ta çonte situatën edhe në ekstremet e saj. Së pari mund të ishte krijuar një klimë e superngarkuar, që do të kishte shërbyer si pretekst për islamistët ekstremistë, të gatshëm për t’iu hedhur përsipër kujtdo që bie ndesh me linjën e tyre, duke filluar nga bashkatdhetarët e tyre jomyslimanë e deri te hebrenjtë. Ndërkohë, retorika dhe qetësimi i saj tregojnë edhe një paqartësi të qëndrimit të ri turk në Lindjen e Mesme. A do të mund të vazhdojë ajo të sillet si një fuqi rajonale, çka sigurisht nuk do t’i pëlqente aspak Izraelit? A e ka vallë Turqia vendosmërinë dhe mjetet për të ngulmuar, për të sfiduar, pra për të qenë pjesë e një loje në të cilën kërkon të hyjë, duke mos e kuptuar ndoshta plotësisht se nga cilat rregulla të pamëshirshme drejtohet?
Gjatë demonstrimit të forcës javës që shkoi, veç turqve, edhe arabët valëvitën të ekzaltuar flamujt turq dhe shprehën me zë të lartë entuziazmin ndaj Kryeministrit Erdogan. Gjatë atyre ditëve, Europa u përshkua nga drithërima e idesë se mos otomanët e rinj ishin duke përfituar nga vakumi i krijuar në Lindjen e Mesme. Katër ditë më parë, mijëra myslimanë u grumbulluan para xhamisë së Fatih Camit dhe u lutën para 9 qivureve të aktivistëve të vrarë të mbuluar me flamur turk dhe palestinez. Në fakt është një vend me simbolikë të veçantë, që organizatorët e ceremonisë- partia e vogël islamiste Sadet, në opozitë -me siguri që e kanë ditur mirë. Në një ndërtesë të vogël, në një cep të oborrit, ndodhen eshtrat e sulltan Mehmetit, atij që sipas vetë pllakës që ndodhet në hyrje të ndërtesës, “shkatërroi perandorinë bizantine dhe pushtoi Stambollin”, mundi serbët, rumunët, kroatët, shqiptarët dhe arriti që t’u mbijetonte 13 tentativave që iu bënë për ta asgjësuar fizikisht me urdhër të venedikasve.
Por herën e 14-të nuk ia doli dot mbanë dhe ajo u shndërrua në fatalitet për të. Kështu sulltani vdiq i helmuar nga Jakup pasha, ose mjeshtër Jakupi (hebre). I shkreti Jakup, u shndërrua në një kurban të zakonit të atëhershëm, që kur ndodhte ndonjë vrasje apo ndonjë gjëmë, fajin për këtë e kishin zakonisht hebrenjtë, ose të paktën ata ishin të dyshuarit e parë. E megjithatë, në historinë e perandorisë që po lindte me Mehmetin, hebrenjtë nuk shiheshin aspak me sy të keq. Kështu, ata patën role të dorës së parë në administratë dhe gjetën te turqit mbështetje dhe strehim kur persekutoheshin nga të krishterët. Dhe kjo traditë shekullore përbën shpjegimin se përse marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit në fillimin e tyre ishin më miqësore. Turqia ishte shteti i parë mysliman dhe për një kohë të gjatë i vetmi që arriti të njihte shtetin e Izraelit të krijuar në vitin 1949. Më pas, në vitin 1954, reparte të marinës hebreje bënë një paradë në mes të Stambollit, mes turmës së njerëzve që i përshëndesnin. Sigurisht që një veprim i tillë do të ishte i pamundur sot, me rrjedhën që kanë marrë ngjarjet. Sipas shumë vëzhguesve dhe analistëve të marrëdhënieve mes hebrenjve dhe Turqisë, në detin e Gazës nuk u vranë vetëm 9 persona, aktivistë të paqes, por u mbyt dhe u fundos një epokë e tërë, ajo e marrëdhënieve të dashurisë mes dy vendeve. Po cili ishte shkaku kryesor i këtij fundi? A ishte islami ai që i ndau të dyja vendet dhe i shndërroi brenda natës në armiq? Apo ndoshta interesi personal? Në vitet ‘70, Turqia nuk ishte më pak laike dhe qemaliste se më parë, por u largua nga Izraeli për t’u afruar më shumë me arabët e Gjirit e për të ngritur ekonominë e shkatërruar.
Nafta dhe paratë e nxjerra prej saj ishin një burim i madh fitimesh deri në vitin 1989, kur të dyja vendet, pra Izraeli dhe Turqia, zbuluan që ndanin të njëjtën situatë: izolimin ndërkombëtar. Ishin informatat e Mosadit dhe fotografitë ajrore të ofruara prej tij ato që u dhanë mundësinë turqve që të spiunonin ndaj Partisë Punëtore të Kurdistanit të Oçalanit, kur anëtarë të saj stërviteshin në Siti. Këto interesa të përbashkëta sollën një riafrim mes dy vendeve dhe një aleancë strategjike (1996) që vazhdon edhe sot të funksionojë. Në ato vite ndodhnin gjëra që për vende të tjera myslimane konsiderohen të pamundura. Për shembull, në stadiumin e Stambollit, tifozët e Fenerbahçes valëvisnin një flamur hebre me yllin e Davidit, për nder të një lojtari izraelit të skuadrës. Turistët turq në Izrael dhe anasjelltas, turistët hebrenj në Turqi, gëzonin maksimumin e ndereve dhe favoreve që u rezervoheshin të huajve. Por kjo perspektivë ndryshoi në vitin 2002, kur erdhi në qeveri AKP, ose ekuivalentja e një partie të demokracisë së krishterë e variantit mysliman. Sipas shumë njohësve të kësaj partie, ajo nuk ishte armiqësore ndaj Izraelit. Ajo nuk e denoncoi kurrë marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik, që vazhdon mes shërbimeve sekrete të të dyja vendeve edhe sot e kësaj dite, dhe as nuk i ndërpreu projektet e bashkëpunimit ushtarak, që kanë një qarkullim parash prej 2 miliardë dollarësh. Por duke qenë se është një parti islamiste, ajo synon që të shtrijë lidhjet e saj me vendet arabe, duke zgjeruar kësisoj zonën e influencës së Turqisë edhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo është edhe një nga arsyet që zuri pozicionin e “ndërmjetësit”, pra për shkak të marrëdhënieve shumë të mira me vendet arabe dhe Izraelin, si dhe me perëndimorët. Pikërisht në cilësinë e këtij roli pati mundësinë që të organizonte një lloj dialogu në distancë mes sitianëve dhe izraelitëve. Por ngjarja që e përkeqësoi menjëherë situatën ishte marrëveshja përmes së cilës Turqia dhe Brazili ranë dakord me Teheranin në lidhje me një kompromis për çështjet bërthamore. Prej këndej lindi pyetja: Cila është arsyeja që Turqia e ndihmon Teheranin për t’u shpëtuar sanksioneve të kërkuara nga Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar? Në fakt, bëhet fjalë për një interes legjitim. 10 miliardë dollarë është shifra e shkëmbimeve tregtare me Iranin. Dhe në rast të vendosjes së sanksioneve, kjo shifër do të zhdukej. Por përmes një iniciative të tillë, Turqia u shfaq si një fuqi rajonale e pavarur, në gjendje që të frikësonte Izraelin dhe të mos i bindej më Uashingtonit për çdo dëshirë të tij. Dhe sipas shumë izraelitëve, Turqia e tejkaloi atë që konsiderohet si linjë e kuqe. Por këtë Ankaraja e kuptoi pak me vonesë. Fondacioni islamik që organizon “Flotën e lirisë” është i lidhur me Saadet, po ajo parti që doli të priste arkivolet e 9 viktimave të sulmit hebre. Qeveria ndërkohë nuk iu kundërvu një veprimi të tillë edhe për shkak të zgjedhjeve që do të organizohen vitin e ardhshëm, duke mbajtur një qëndrim asnjanës dhe të tërhequr ndaj kësaj iniciative. Për sa i përket reagimit ndaj ngjarjes, bëhet fjalë më tepër për një reagim të ashpër verbal, se sa konkret. Sipas një sondazhi të fundit, 60% e turqve kanë deklaruar se prisnin veprime konkrete nga qeveria e tyre ndaj ngjarjes dhe jo vetëm fjalë. Më pas qetësohet që të ulë gjakrat edhe me ndihmën e mendimtarit të famshëm sufi, Feitullah Gulen, që është edhe mbështetës i partisë në pushtet- i cili në një intervistë të fundit të dhënë për një gazetë amerikane dënon si izraelitët, ashtu dhe flotën e lirisë –që sipas gjykimit të tij do të kishte bërë mirë që të kërkonte lejen e autoriteteve hebreje për të shpërndarë ndihmat. Ndërkohë, Ankaraja është duke u marrë me vlerësimin e dëmit. Sulmi izraelit duket se për momentin e ka privuar nga roli i “ndërmjetëses” për paqen në Lindjen e Mesme, çka i jepte një vlerë shumë të madhe Turqisë në sytë e perëndimorëve. Tani i duhet që të gjejë një dimension të ri. Përplasja me Izraelin mund të ketë edhe pasoja ekonomike. Ndërkohë i ka afruar me vendet arabe dhe duke qenë se zemra shpesh rreh pranë portofolave të fryrë, simpatia që ka ngjallur Turqia mund të shndërrohet në diçka më konkrete. Në sytë e shumë liderëve arabë, qeveria turke ka cilësitë që u mungojnë shumë vendeve të tjera në rajon: ajo është një demokraci dhe jo një shtet policor; ka sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Por nëse arabët e konsiderojnë Erdoganin si një Nasser të ri, apo për një shpatë të re të islamit, me siguri që shumë shpejt do të përballen me zhgënjime. Për Turqinë, zgjedhja filo-perëndimore dhe filo-europiane është një zgjedhje përfundimtare. Dhe kjo është një siguri për luhatjen, por jo ndryshimin përfundimtar të situatës.
#