E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaqi Vishi, njeriu që i fali Vlorës paqe dhe buzëqeshje

Nuk kam qëllim të shtjelloj këtu jetën e aktorit vlonjat, çka e kanë bërë që afro dhjetë vjet përpara zotërinjtë B. Gaçe e I. Ali në monografinë e tyre “Aktori Gaqi Vishi” (Maluka, 2001). Duke dashur të vë në dukje se sa me vlerë është sot të përkujtojmë ata që, nën diktaturë, e mbajtën gjallë humorin, u falën bashkëqytetarëve pak buzëqeshje, pak çaste paqeje në detin e dhimbjes së gjithanshme, po sjell për lexuesin e “55-s” diçka prej mbresave të pashlyera që morra me vete nga tubimi përkujtimor me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Gaqi Vishit. Ia vlen të përshëndetet nisma e Bashkisë së qytetit të Flamurit, për t’i dhënë aktorit vlonjat “Mirënjohjen” qytetare, pas vdekjes. Artdashësit që mbushën sallën e kinoteatrit “Petro Marko”, të mërkurën, më 16 të këtij muaji, jetuan afro dy orë me humorin e aktorit të pavdekshëm, qoftë ata që e kanë njohur Gaqin së gjalli, qoftë ata që e kanë njohur përmes ekranit a nga të thënat për të, që mund t’i dëgjosh në çdo familje vlonjate, në çdo mjedis të qytetit.
E qeshura është një dukuri njerëzore, sikurse edhe e qara. Thonë se edhe kafshët qeshin, siç edhe qajnë. Por të qeshësh kur, fjala vjen, ke një brengë, kur më parë mund të qash sesa të qeshësh, do të thotë ta harrosh brengën për disa çaste, t’i gjesh mjetin për ta lehtësuar, të shmangësh të qarët. Nuk është pak, në mos një bar që të shëron shpirtin. Në vitet ’60 te shekullit që kemi lënë pas, Gaqi ishte në kulmin e pjekurisë së tij artistike. Të kaloje disa çaste me Gaqin, me Leka Krutën, me Myqerem Ferrën, me këngën vlonjate, interpretuar mjeshtërisht nga treshja Meliha Doda – Kostandin Thana – Reshat Osmani, nën tingujt e orkestrinës së estradës, drejtuar nga i talentuari Mishel Lako, donte me thënë të harroje se në mbledhjen e organizatës profesionale dikush të kishte përmendur ndonjë “kleçkë” nga biografia, të harroje se ndonjë prej shokëve a prej të afërmve të tu kishte rënë në burg, të harroje, shpatën e Damokleut mbi krye, të harroje, me një fjalë, diktaturën.
Ja pse qytetarët e Vlorës i janë mirënjohës Gaqi Vishit dhe plejadës së aktorëve humoristë vlonjatë, të cilët kultivuan te më të rinjtë dashurinë për artin skenik, kultivuan atë traditë të mrekullueshme që, më pas, i dhuroi skenës katërshen e parodistëve të njohur anembanë hapësirës shqiptare.
Në atë kohë kur edhe muret kishin veshë, të dëgjoje anekdotat që tregonte Gaqi me një guxim qytetar të admirueshëm, ishte barabar si të shfryje mllefet e mbledhura shuk nga jeta e përditshme. Mbrëmjeve të ngrohta të brigjeve joniane, ai vinte shpesh në Turizmin e Skelës. Nuk e mbaj mend nëse vinte për të peshkuar si im atë dhe doktori gazmor Pavllo Flloko apo thjesht që të çlodhej. Por mbaj mend mirë se Gaqi çoku “lajthiste” në prani të tyre, edhe se rreth e qark mund të kishte ndonjë sy të hapur a ndonjë vesh të ngritur. Ndërsa shijonim rrëfenjat e tij plot kripë, por edhe me piper, të sajuara ashtu, si pa të keq, shkuleshim së qeshuri. E qeshura na ndiqte pas edhe të nesërmen e të pasnesërmen kur bisedonim në familje a në rrethe shumë të ngushte miqsh. Qesh e ngjesh, humori i Gaqit godiste aty ku synonin të godisnin fushatat propagandistike të partisë shtet. E kam dëgjuar asohere nga goja e tij anekdotën e mëposhtme, ndërsa kritikohej “paaftësia e organeve të pushtetit për të ecur në një hap me kohën” – siç thuhej - dhe ngrihej me të madhe forcimi i tyre. U kërkoj të falur autorëve të monografisë, që po e sjell anekdotën e Gaqit sipas variantit që mbaj mend, pavarësisht se thelbi është i njëjtë me atë që kanë botuar ata.
“Një kuadër i lartë i pushtetit shkoi të bisedonte gju më gju me popullin në fshatin e tij të lindjes. Ma atë rast, i madh e i vogël u mblodhën te sheshi përpara shkollës. Pasi foli e foli për problemet e ditës, kuadri i lartë zbuloi se në fshat diçka ‘nuk ecte me kohën’. Shkollës ende nuk i kishin vënë një emër. Pse? - pyeti. Nuk u binte në sy kooperativistëve kjo e metë e madhe? Më plaku i të gjithëve të pranishmëve iu përgjigj: Presim të na vdesë ndonjë nga kuadrot tanë që kemi dërguar në Tiranë. Qoftë larg, sa më parë të ndodhë e keqja, aq më mirë për të dhe për fshatin.”
Gaqi Vishi doli në pension në vitin 1971, në moshën kur ende mund t’i jepte skenës së humorit, ndoshta, më tepër seç i kishte dhënë deri atëherë. Mirëpo, ligjet e ngurta të asohershme! Atë e nxorën në pension që të plakej para kohe, ashtu siç u plakën shumë e shumë njerëz të talentuar. Një dekadë e ca më vonë Gaqi u nda nga kjo jetë gjithë duke i falur qytetit të tij gazin dhe buzëqeshjen.
Sot, njëzet e tre vjet pas vdekjes së Gaqi Vishit, të ngazëllehesh me portretin, me personazhet e krijuara prej tij, me bëmat e Gaqit në skenë, në takime miqsh e shokësh, të përjetosh ato vite përmes kujtimeve të Leka Krutës, të Qiriako Savës etj., të shëtisësh dorë për dorë me Sharlotin vlonjat rrugëve të qytetit bregdetar, ku na çoi dokumentari i televizionit “Amantia” dhe “guida” skenike e Afrim Agalliut, është një homazh mbase pak i vonuar për të, por i domosdoshëm, që i jep frymëmarrje historisë së munguar të artit tonë. E them këtë me bindjen se koha po zhyt në mjegullën e harresës shumë talente të spikatura të artit shqiptar, pa të cilët sot nuk do të ishim këtu ku jemi. Le të shpresojmë të kemi më tepër veprimtari të tilla të bukura në të ardhmen, jo vetëm në Vlorë, por kudo në Shqipëri. Mbështetja e fuqishme dhe e gjithanshme e shtetit përmes institucioneve përkatëse do të ishte kapaku i florinjtë që do ta dëshironim të gjithë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›