E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça-Mançester, duel për historinë

Barcelona dhe Mançester Junajtid do të sfidohen sot në Romë për të shkruar historinë. Dy skuadrat më të mira në botë për momentin kërkojnë të ndërtojnë perandorinë e tyre pikërisht në "qytetin e përjetshëm". Trajneri Pep Guardiola ka në dispozicion një skuadër, që mund të hyjë në analet e klubit katalan si Barça më e mirë e të gjitha kohërave. "Blaugranat" nuk kanë arritur ta fitojnë asnjëherë kampionatin, Kupën e Mbretit dhe Champions League në të njëjtin sezon. Por, nëse dy të parat tashmë janë bërë pjesë e dhomës së trofeve në "Kamp Nou" për "kupën me veshë të mëdha", spanjollët do të luftojnë 90 minuta (ndoshta edhe më shumë) me kampionët në fuqi. Në kampin tjetër, Sër Aleks Ferguson synon trofeun e katërt sezonal (plus Community Shield - Superkupën e Anglisë). Por, objektivi kryesor i teknikut legjendar është të udhëheqë "Red Devils" në librin e rekordeve: që prej lindjes së Champions, asnjë klub nuk ka arritur ta fitojë për dy edicione radhazi.

Pra, në një mënyrë ose një tjetër, sot në kryeqytetin italian do të shkruhet historia. Dhe jo rastësisht në ndeshjen më të rëndësishme të këtij viti përballen dy skuadrat që kanë dominuar gjatë këtij sezoni, si në vendet e tyre ashtu edhe në Evropë. Më të mirat, më spektakolaret dhe skuadrat që kanë më shumë talent në kontingjentin e tyre. Barcelona kundër Mançesterit është një festë e vërtetë e futbollit, ku emocionet janë të garantuara. Pas festimeve disaditore nëpër rrugët e Romës, gjithçka do të spostohet në stadiumin "Olimpiko". Të gjithë shpresojnë që episodet e dhunës të mos e prishin magjinë e mbrëmjes së sotme: mediat angleze kanë paralajmëruar sistematikisht tifozët e Junajtid nga rreziqet që u kanosen në "Stab City", qytetin e thikave. Frika më e madhe është ajo e hakmarrjes për shkak të sherreve të vjetra që mbështetësit e "Djajve" kanë pasur me "ultrasit" lokalë. 50 mijë tifozë nga dy vendet pritet të udhëtojnë drejt Italisë për të ndjekur finalen, ndërsa flitet se 5 mijë prej tyre nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në stadium, ose disponojnë bileta false. Në Romë është ndaluar përdorimi i çdo lloj pijeje alkoolike deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndërkohë që forcave vendase policore i kanë ardhur në ndihmë edhe kolegë nga Spanja dhe Anglia.

Duke u kthyer te futbolli i luajtur, të gjithë janë kureshtarë të njohin edhe formacionet e të dyja skuadrave. Në orët e fundit kanë qarkulluar zëra se Ferguson (i cili ka në dispozicion edhe Rio Ferdinand) mendon të lërë në stol Berbatov dhe Tevez, për të aktivizuar Park. Koreani është "xholi" që trajneri i Mançesterit përdor gjithmonë në ndeshjet e rëndësishme. Por, problemet e Barçës në mbrojtje (Markez i dëmtuar, Alvesh dhe Abidal të pezulluar), mund ta shtyjnë Sër Aleks të luajë me tre sulmues. Në kampin tjetër, Guardiola ka rikuperuar Iniestën dhe Henri, por duhet të sajojë repartin difensiv: Jaja Ture mund të sakrifikohet në qendër të mbrojtjes, përkrah Pike, lëvizje që do të spostonte Pujol në të djathtë. Ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të luajë Silvinjo.

Barcelona

4-3-3

Trajneri: Pep Guardiola

Valdes

Pujol Ture Pike Silvinjo

Ksavi Keita Iniesta

Mesi Eto‘o Henri

Man. UTD

4-4-2

Trajneri: Sër Aleks Ferguson

Van der Sar

O‘Shi Ferdinand Vidiç Evra

Park Karrik Skolls Anderson

Runi Ronaldo

Champions

Të gjithë parashikojnë një Barcelonë-Mançester shumë të ekuilibruar

Bukmejkërsat, të pavendosur për

kampionin e ardhshëm të Evropës

Në këtë sezon, në ndeshjen më të rëndësishme, kuotat e basteve janë të kënaqshme. Rezultati më i pritur nga të gjithë për ndeshjen Barcelona-Mançester Junajtid është barazimi 1-1, që kuotohet me 6,00 dhe në disa pika me 7,00. Fitoret 1-0 të Mançesterit apo Barçës kuotohen njësoj. Sipas parashikimeve, pritet një ndeshje me pak gola (jo më shumë se dy gola të shënuar në kohën e rregullt). Është në perspektivë një ndeshje, ku do të realizohen gola nga të dyja skuadrat: kuota më e mirë është 1,77 për fitoret e secilës prej tyre. Duket se ka një ekuilibër total në lidhje me fituesin e ndeshjes, edhe pse një epërsi e lehtë kalon në anën e katalanasve. Për ata që parashikojnë X në gjithë 90-minutëshin, kuota është 3,20. Ekuilibër vihet re edhe për bastet e pjesshme, e thënë më saktë rezultati për 45 minuta dhe për 90 minuta. Mbizotëron X/X, i kuotuar në 4,50. Interesant është fakti se disa agjenci mendojnë se, nëse Barça kalon e para në avantazh do të jetë e pakapshme pastaj, edhe pse anglezët do në nxjerrin në pah shpirtin luftarak (Mançesteri është mjeshtër në finalet e Champions). Me 4,75 kuotohet kalimi në avantazh i Barçës në pjesën e parë. Dyshimet janë të pakta edhe për minutën e golit të parë. Të gjithë janë dakord se strategjitë do të lihen mënjanë pikërisht në 15 minutat e para, pasi njëra nga skuadrat do të shënojë. Goli i mundshëm në këtë periudhë kohore kuotohet 3,50. Në lojë hyjnë edhe televizionet me minireklamat e tyre gjatë ndeshjes. Bukmejkërsat anglezë kuotojnë edhe mundësinë që njëra nga dy skuadrat do të shënojë gjatë transmetimit të publicitetit: kjo mundësi është kuotuar me 200 kundrejt 1. Anglezët vënë baste edhe për penalltitë. Një tjetër finale që vendoste nga gjuajtja e 11-metërshave (ashtu sikurse ka parashikuar Murinjo) kotohet 10,50, një nga kuotat më interesante. Me 7,50 kuotohet shënimi i një goli gjatë ndeshjes me një 11-metërsh. Por në fund, mbi të gjitha pritet të jetë një sfidë mes "Topit të Artë" në fuqi Kristiano Ronaldo dhe aspirantit për t‘ia marrë këtë çmim, Leo Mesit. Nëse portugezi shënon para argjentinasit kuotohet 6,00, ndërsa goli i Mesit në fillim kuotohet me 7,00.

Spanjollët

Ja pesë arsyet pse

do të fitojë Barcelona

Këto janë pesë arsyet përse sipas nesh do të fitojë Barcelona:

1) Entuziazmi i Guardiolës - Ka fituar "La Liga" në përvojën e parë si trajner. Koha provoi zgjuarsinë e tij në shitjen e Decos e Ronaldinjos. Pas ikjes së tyre, Barcelona filloi të fluturojë. Pep vuri disiplinën e fortë, ai që nuk bënte atë që ai thoshte, ikën.

2) Në qarkullimin e topit është e paarritshme në Evropë dhe botë - Kush e ka ndjekur Barçën në këtë sezon, ka zbuluar një skuadër të fantashkencës. Topi kalon nga njëra anë në tjetrën me një shpejtësi dhe saktësi të pabesueshme. Duket sikur e fsheh topin.

3) Askush nuk ka fituar Championsin dy herë radhazi - Kjo mund të jetë një pikë tjetër avantazhi në favor të Barcelonës. Në futboll vlen shumë të luash mirë gjatë një ndeshjeje finale, por edhe skepticizmi është një detaj për të mos u nënvlerësuar. Kurrë.

4) Mesi duhet të mundë Ronaldon - Talenti argjentinas nuk mund të gabojë: Për t‘i marrë "Topin e Artë" portugezit duhet të fitojë Champions. Ka bërë një ecuri shumë të mirë në turet e mëparshme dhe ka demonstruar se është një fenomen absolut në "La Liga".

5) Ksavin e Injestën në mesfushë nuk i ka askush - Sulmi i Barçës me Henrin, Eto‘o dhe Mesi nuk diskutohet, as kualiteti i Guardiolës, apo aftësitë e mbrojtjes, por forca e vërtetë e Barçës qëndron në mesfushë: Ksavi dhe Injesta janë yje të vërtetë...

Kualiteti

Aftësia e Guardiolës, mbrojtja e pakalueshme, mesfusha e papërmbajtshme, sulmi vrasës dhe fenomeni "Mesi"

Anglezët

Ja pesë arsyet pse do

të fitojë Mançester. UTD

Këto janë pesë arsyet pse do të fitojë Mançester Junajtid:

1) Kundërsulmi vrasës - Keni parë Çelsi-Barcelona? "Blues" bllokuan mesin dhe katalanasit harruan fare të sulmojnë. Mançesteri mund të mbrohet si Çelsi, por në ndryshim nga "Blues"-at, ata disponojnë një kundërsulm vrasës me lojtarë si Ronaldo, Runi, Park, Tevez e Giggs.

2) Këta "djaj" dinë të bëjnë gjithçka - Mançesteri i sotëm është një skuadër eksperte. Një mbrojtje të pakalueshme (Van der Sar i pathyeshëm për 1311 minuta), kundërsulmi funksionon për mrekulli. Sulmi është i jashtëzakonshëm me një nuhatje të pagabueshme.

3) Një skuadër e pashtershme - Një gjë është e qartë. Grupi i Junajtid ofron kualitet dhe sasi, të cilat i mungojnë Barcelonës. Mjafton të mendosh se në pankinë rrezikojnë të ulen Tevez, Berbatov, Skolls e Gigs. Ferguson është i lirë të improvizojë gjithçka.

4) Kristiano Ronaldo në formën më të mirë - Ka luajtur me "Topin e Artë në xhep për disa muaj. Pastaj pati një rënie, për t‘u rikthyer në eliminimin e Interit, Portos e Arsenalit. Ka rigjetur formën më të mirë dhe është një kërcënim për cilëndo skuadër.

5) Barcelona nuk ka mbrojtje - Nuk mund të thuhet se Barcelona ka repart solid në mbrojtje. Katalanasit fitojnë duke u fshehur topin kundërshtarëve. Por në rastet kur sulmohet, mund ta vërë në vështirësi cilado skuadër. Do t‘i mungojnë Marquez, Dani Alvesh e Abidal.

Trajneri

Guardiola do trofeun

pas 17 vjetësh

Në njërën prej sfidave brenda sfidës në finalen e Champions protagonist është Pep Guardiola. 38-vjeçari mund të bëhet tekniku i gjashtë në histori që e fiton trofeun si trajner, pasi e ka fituar si lojtar. Ai triumfoi në këtë aktivitet më 20 maj 1992, 17 vjet më parë, kur Barça fitoi 1-0 në "Uembli" përballë Sampdorias. Pesë të tjerët janë italianët Trapatoni e Ançeloti, holandezët Krujf e Rajkard dhe spanjolli Miguel Munoz (dy herë si trajner dhe dy herë si lojtar me Realin e Madridit).

Tregu i zi

Biletat në tribunë

kushtojnë 3 mijë euro

Ashtu si ndodh zakonisht në aktivitetet e rëndësishme sportive, edhe përpara finales në Romë ka "lulëzuar" tregu i zi. Një biletë në tribunë për supersfidën Mançester-Barcelona kushton deri në tremijë euro, ndërsa çmimet për vendet e tjera në stadiumin "Olimpiko" arrijnë deri në 1500 euro. Sipas shifrave zyrtare, janë afro pesëmijë tifozë anglezë dhe spanjollë që nuk kanë bileta. Në rrugët e kryeqytetit italian nuk kanë munguar personat me tabela në qafë ku shkruhet: "Dua një biletë për Champions".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›