Felps me i madhi ne histori

Pas 22 medaljeve olimpike të fituara dhe rekordeve të njëpasnjëshëm të thyer, Majkëll Felps i përshëndeti të gjithë dhe ndërron mënyrë jete.
“Mund të tërhiqem i qetë dhe të them se arrita gjithçka që dëshiroja në karrierën time”, ishin disa nga fjalët e legjendës së notit nga Baltimora.
Ai konfirmon se nuk do të ketë asnjë hap mbrapa dhe i ka dhënë fund karrierës sportive. “Synimi im ishte të bëhesha notari më i madh i të gjitha kohërave dhe ia arrita qëllimit”, tha Felps, që tashmë nga pishina ka ndërmend të shkojë në det: “Dua të notoj me peshkaqenët e bardhë, janë kafshët e mia të preferuara”, shtoi kampioni absolut i notit.
Pas 16 medaljeve të fituata në Athinë 2004 dhe Pekin 2008, nga të cilat 14 ishin të arta, Felps i mbylli Lojërat Olimpike “Londër 2012” me 4 medalje të arta në 100 metra styil flutur, 200 metra miks, stafetën 4x200 stil i lirë dhe stafetën 4x100 miks, por edhe me dy argjendi në 200 metra stil flutur dhe 4x100 stil i lirë.
Triumfi në garën 4x100 stil miks të fundjavës që kaloi ishte gara e tij e fundit dhe Felps thekson se në Londër përjetoi një javë fantastike, të cilën nuk do ta harrojë kurrë.
Ai i dha fund karrierës me 22 medalje olimpike, me në total 18 të arta, duke u bërë sportisti që ka fituar më tepër medalje në historinë e Olimpiadës. Felps del në pension në moshën 27-vjeçare, por tashmë pas 20 vjetësh në sportin e notit dhe emrit të shkruar me gërma të arta, ai kërkon të shijojë jetën larg sportit dhe nuk ndihet i frikësuar nga faza e radhës larg pishinave.