E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara në PS, debat për mënyrën e votimit

Platforma "Blushi" që synon ndryshimet në statut shkaktoi dje debate të ashpra mes anëtarëve të Kryesisë së Partisë Socialiste. Deri në orët afër mesnatës mbledhja dhe replikat vijonin rreth krizës në të cilën ndodhet partia më e madhe e opozitës. Kreu i selisë rozë Edi Rama iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tetë anëtarëve për të mbledhur Kryesinë me të njëjtin rend ditë siç ata kërkuan. Burime nga takimi konfirmuan se objekt replikash dhe mosmarrëveshjesh në këtë mbledhje ishin ndryshimet në statut. I pari që e ka marrë fjalën ishte kandidati për kryetarin e PS, Arben Malaj i cili e ka mbështetur fjalimin e tij në tre shtylla kryesore. Malaj ka kërkuar që të ketë një menaxhim korrekt të Kongresit të 29 gushtit për të vijuar me kërkesën për ndryshime statutore. Në këtë pikë, Malaj është kundërshtuar nga anëtarët e Kryesisë që janë skeptik ose kundër kalimit të platformës që mban emrin e Blushit të paktën në kongresin e 29 gushtit. Mësohet se Malaj është shprehur i vendosur kur është përgjigjur se "po ju keni ndryshuar Kushtetutën brenda pak ditësh". Malaj është ndalur edhe tek procesi zgjedhor duke kërkuar tranparencë, ndërsa ka premtuar që nëse bëhet kryetari i PS-së do të lejojë legalizimin e fraksioneve. Ndërkaq, fjalën e ka marrë edhe Ben Blushi, i cili ka mbajtur një fjalim. Burimet thonë se ai ka folur për platformën dhe për sa më shumë transparencë si në Kongres ashtu edhe në procesin zgjedhor, por nuk ka konfirmuar se mund të kandidojë. Blushi është ndalur specifikisht tek transparenca e Kongresit dhe ka kërkuar publikimin, deri edhe në internet të emrave të delegatëve. Pak para orës 21.00 kandidati për kryetar Arben Malaj la mbledhjen ndërsa deklaroi për mediat se kishte një takim shumë të rëndësishëm. Pas tij e kanë marrë fjalën Kastriot Islami, Saemira Pino, Eva Allushi, ndërsa nga grupi mbështetës i Edi Ramës ka folur Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Kombëtare apo dhe anëtarë të tjerë si Namik Dokle. Rendi i ditës së mbledhjes së Kryesisë parashikonte diskutimin, thirrjen dhe organizimin e Grupit Parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit, përfshirjen në rendin e ditës së Kongresit të disa ndryshimeve në statutin e PS-së, përgatitjen dhe administrimin e Kongresit, garantimin e transparencës gjatë ditës së Kongresit si dhe diskutime për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS-së. Anëtarët e Kryesisë arsyetuan se në zbatim të nenit 27 të statutit sipas të cilit "Kryesia e PS mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj" në kushtet kur kryesia e PSSH nuk është mbledhur për një kohë të gjatë aps zgjedhjeve të 28 Qershorit në prag të Kongresit të jashtëzakonshëm si dhe në kushtet kur mandati i kryetarir të PSSH është ndërprerë vlerësojmë të nevojshme thirrjen e kryesisë".

Drafti

Ndryshimet statutore, çfarë

parashikon platforma "Blushi"

Paketa "Blushi" përmban dhjetë pika, duke synuar ndryshimin e shumë prej neneve të tij. Platforma synon zgjerimin e hapësirave demokratike, të cilat sipas kritikëve të Ramës janë ngushtuar ndjeshëm nga ky i fundit. Ndryshimi i statutit në nenin që nuk qartëson rikandidimin e kryetarit të partisë, në rast të dorëheqjes duket se do të jetë një prej pikave më të nxehta në Kongresin e Jashtëzakonshëm, pasi platforma kërkon rikonceptim për të drejtën morale për rikandidim. Një tjetër pikë synon që të rriten kompetencat e kongresit. Në të thuhet se kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen.

Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.

Kongresi

1500 delegatë, vendim

për zgjedhjet në PS

Rreth 1500 delegatë të kongresit do të duhet të vendosin mbi të ardhmen e Partisë Socialiste. Të zgjedhurit drejtpërsëdrejti nga anëtarësia do të duhet të miratojnë qëndrimin e mëtejshëm politik të Partisë Socialiste për sa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe për çështjen e kryetarit të ri. Pikërisht në kongres pritet të zyrtarizohen kandidatët për kryetarin e partisë dhe njëkohësisht të vendosin datën e zgjedhjeve. Përmes këtyre zgjedhjeve, anëtarësia do zgjedhë kryetarin e ri. Veç të tjerash, delegatët mund të përballen edhe me një paketë që synon ndryshime në statut, por kjo nëse më parë kalon në kryesi. Janë 1500 delegatë, nga të cilët 1000 delegatë janë zgjedhur drejtpërsëdrejti nga anëtarësia e PSSH-së në të gjithë territorin e vendit. Risi e veçantë është edhe fakti që të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit do të kenë delegatët përkatës. Rreth 90% e delegatëve janë me arsim të lartë, gjithashtu në zbatim të normës statutore, 30% e të gjithë delegatëve janë gra dhe vajza, pra rreth 350 gra do të jenë në Kongresin e PS-së. Të rinjtë do të përbëjnë rreth 40% të delegatëve të PS-së. Përzgjedhja e delegatëve të rinj u bë në zgjedhjet partiake të 2007-ës, duke rritur ndjeshëm numrin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›