"Rama ka organikë të fryrë në bashki"
Demokratët riaktivizojnë sulmet politike drejt Bashkisë së Tiranës. Kryeministri Sali Berisha ka vazhduar dje ‘telenovelën‘ me akuza në drejtim të kryebashkiakut të Tiranës, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. "Kryetari i Bashkisë së Tiranës në zyrat qendrore të tij, ka shumë më tepër punonjës se sa kancelaria gjermane. Nuk është ky sensi. Ky sens është dramatik. Qeveria gjermane ka 15 për qind më pak punonjës se sa Bashkia e Tiranës, sesa shtabet apo zyrat qendrore të zotit Rama", theksoi Berisha. Sipas Kryeministrit, kjo nuk do të tolerohet. "Shqiptarëve u është premtuar një qeveri e vogël. Unë dua t‘ju garantoj ju se kam qenë dhe do të jem promotor i rritjes së rrogave të punonjësve të qeverive vendore. Nuk dua të bëj asnjë dallim me inkurajimin e rritjes së pagave midis punonjësve të administratës qendrore me punonjësit e administratës vendore, por kriterin do e respektojmë", tha ai. Këtë nismë, kryetari i qeverisë e specifikoi se "kjo nuk do të thotë të rrisësh fondin e pagave, duke dyfishuar numrin e punonjësve. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe krijon një barrë të rëndë mbi shpatullat e brishta të qytetarëve shqiptarë e nuk mund të bindësh kurrë njeri se Tirana qenka 14 herë sa Durrësi". Sipas tij, premtimi i PD-së për qeverisje të vogël është premtim solemn, i cili buron nga interesi jetik i taksapaguesve shqiptarë, që paratë e tyre të shndërrohen në shkolla, në rrugë, në ujësjellës, në kanalizime dhe jo në qelepir, në rroga. "Për të mos hyrë në analizën e tyre, sepse nuk kam ndërmend të bëj politikë, është abuzuar në mënyrën më të papranueshme me fondet e buxhetit të taksapaguesve shqiptarë", tha ai. Kryeministri Berisha shtoi se "për mua është e dhimbshme kur kam vetëdije se mbi 30 apo 40 për qind e rrugicave të Tiranës janë në baltë, siç kanë qenë 300 vjet më parë, në një kohë kur ne kemi komuna të tëra që nuk kanë rrugicë të paasfaltuar". Për këtë, Kryeministri citoi edhe batutën e radhës, ku u shpreh se "natyrisht, kur i merr paratë dhe i shndërron në rroga, ato nuk mbeten për të asfaltuar rrugët, nuk mbeten për gjelbërim, nuk mbeten për shkolla, nuk mbeten për kopshte dhe nuk mbeten për qytetarin, në një kohë kur shërbimet po i dixhitalizojmë".