Gara në PS, mediat, jashtë debatit mes Ramës e anëtarësisë
Gara për kreun e Partisë Socialiste është zhvendosur në Fier, ku dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, takuan një pjesë të bazës socialiste, por pa praninë e mediave. Mediat nuk kanë qenë të pranishme në pyetjet e anëtarësisë drejtuar Ramës, por vetëm në mbajtjen e fjalës së kreut aktual të PS-së. Kamerat janë lejuar vetëm në fjalën e rastit të kreut në detyrë, Rama, dhe kandidatit Lakrori, por më pas atyre u është kërkuar të largohen dhe takimi ka vijuar me dyer të mbyllura. Mungesa e mediave vjen në një kohë kur baza socialiste në Shkodër, Vlorë, por edhe në qytete të tjera, i janë kundërvënë Ramës, duke lëshuar ndaj tij pyetje me shumicë. Rama nuk ka pranuar komente nga anëtarësia dhe është justifikuar se PS-ja më 28 qershor ka qenë forca e parë politike në vend. Në qytetin e Vlorës, pati edhe fyerje nga kryetari drejtuar anëtarëve të thjeshtë si dhe përjashtime nga salla. Kreu në detyrë, Edi Rama, deklaroi nga Fieri, pikërisht në këtë qark ku PS mori një mandat në Kolegjin Zgjedhor, se opozita nuk do të hyjë në Kuvend. Ai përforcoi akuzat dhe këmbënguli me forcë për marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin, duke deklaruar se pushteti aktual është ilegjitim. Ndonëse ka pasur ftesa nga mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar të cilët sugjerojnë që opozita të kthehet në Kuvend, Rama nuk tërhiqet. Gjithsesi, Rama nuk dha asnjë mundësi se si do të arrihen kërkesat e bëra nga ai për hyrjen në Kuvend. “Opozita, - u shpreh ai, - kërkon që përmes transparencës së këtyre zgjedhjeve të eliminohen të gjitha fenomenet e abuzimit të pushtetit, të fotografimit të votës, të numërimit të keq të votave, të lirimit të të burgosurve dhe fenomene të tjera të deformimit të rezultatit zgjedhor”. Ndonëse për një pjesë të këtyre akuzave është akuzuar edhe vetë opozita, si fotografimi i votës etj., Rama i ka cilësuar ato si të papranueshme.
Njëkohësisht, në Fier u bë e ditur se gara aktuale do t’i japë kryetarit të ri një mandat 4-vjeçar në krye të partisë. Kundërshtarët e Ramës në PS, si Ben Blushi, kanë deklaruar se rizgjedhja e Ramës apo zgjedhja e Lakrorit nuk mund të jetë më shumë se për 2 vite, për shkak se mandati i kryetarit Rama është ndërprerë. Ndërsa kandidati tjetër për kryetar i PS-së në katër vitet që vijnë, Maqo Lakrori, shpjegoi para anëtarësisë programin e tij për drejtimin e PS-së. Platforma e Lakrorit në vetvete për mban ndryshime statusore, përcaktimin e një programi qartësisht të majtë dhe ndryshime në strukturën organizative të PS-së. “Ne duhet ta përcaktojmë në programin tonë detyrimin që të gjithë përfaqësuesit tanë në ekzekutiv, në qeveri qendrore ose në qeveritë vendore, në të gjitha hapësirat që lejon potenciali ekonomik dhe kuadri ligjor, të zbatojnë programin e partisë. Ne me atë program shkojmë dhe kërkojmë votat, me program të majtë. Pra, duhet ta shndërrojmë në detyrim që maksimalisht sipas mundësive, në ekzekutiv qendror ose vendor të respektojmë këtë program”, - deklaroi Lakrori.
Bojkoti i opozitës, Withers: Do të flasim për të më vonë
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, nuk ka preferuar të japë një koment në lidhje me bojkotin e opozitës në Kuvend. “Kjo është një çështje politike dhe do të flasim për të më vonë. Duhet të përqendrohemi tani tek kjo ditë e rëndësishme dhe të flasim për politikën më vonë”, - tha Withers. Deklaratat e ambasadorit u bënë tek Kryegjyshata Bektashiane, ku ai uroi të gjithë besimtarët për Fiter Bajramin.