E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garanci të plota për dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga përmbytja

Kryeministri Sali Berisha inspekton zonat e përmbytura në Shkodër dhe premton se, Qeveria nuk do të lërë përpjekje pa bërë që këto pasoja të kapërcehen me shpejtësi. Situata është në prag të kapërcimit të gjendjes emergjente, ndërkohë që garantohet dëmshpërblimi i plotë për të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja e funditKreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh dje nga Shkodra se ndodhemi në prag të kapërcimit të situatës emergjente, megjithëse nuk është shumë e thjeshtë. Shefi i ekzekutivit bëri këtë deklaratë gjatë inspektimeve në zonat e përmbytura në kryeqendrën veriore, ku ndoqi nga afër operacionet e Shtabit të Emergjencave Civile në shpërndarjen e ndihmave dhe evakuimin e banorëve nga rreziku. Berisha u shpreh në këto takime se do të ndërmerren të gjitha hapat deri në normalizimin total të zonës së përmbytur. “Me gjithë situatën, shpresoj në dalje të emergjencës ujore. Jemi në dalje, por një dalje jo e thjeshtë”, u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi angazhimin solemn të qeverisë që drejton për të përballuar të gjitha të papriturat e këtij dimri. Kryeministri siguroi se operacioni do të mbetet tërësisht i  përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e tyre, duke mbetur me përparësi madhore në furnizimin dhe ndihmën me çdo nevojë të të shpërngulurve dhe të atyre që nuk janë shpërngulur. Për këtë, Berisha kërkoi që të angazhohen në këtë proces të gjitha organizmat joqeveritare dhe ato fetare, për aspektin humanitar të popullatës. “Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë, por duhet ta çojmë atë në mënyrën më efiçente tek të gjithë ata që kanë nevojë”, tha kryeministri.Berisha siguroi edhe njëherë banorët e zonave të prekura, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë, gjëja e gjallë dhe kulturat bujqësore se do të kompensohen deri në qindarkën e fundit nga qeveria. “Do të regjistrojmë të gjitha dëmet dhe do t’i zhdëmtojmë ato, në çdo drejtim. E rëndësishme në të gjithë këtë situatë, është që nuk ka pasur humbje në njerëz. Gjithashtu duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë. E rëndësishme është që ju të evakuoheni”, tha kryeministri. Berisha i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike dhe asaj të Bujqësisë, të kenë të gatshme projektet për ndërhyrjet më energjike të rivendosjes së plotë të funksionimit të të gjithë sistemit të kanalizimeve dhe kullimit në zonë.Duke bërë një përmbledhje të situatës hidrike që nga muaji dhjetor në kaskadën e Drinit, Berisha u shpreh se lumi Drin ka vërshuar me një mesatare tej normales që llogaritet në 1280 m3. “Nga data 25 dhjetor deri më sot, vetëm lumi Drin ka vërshuar me një mesatare prej 1280 metër kub në sekondë, në ditë”. “Nga data 27 deri sot janë derdhur vetëm nga lumi Drin, pa llogaritur derdhjet e Kirit, Gjadrit, Moraçës, Përroit të Thatë, që të gjitha këto prekin direkt gjendjen ujore të Shkodrës, pra vetëm nga Lumi Drin janë derdhur, nga data 27 dhjetor e deri më sot, shkarkime të barabarta me 3 liqene të Vaut të Dejës. Shkrirja e rrufeshme e dëborës në ditët e janarit, për shkak të temperaturave pothuajse afrikane, që erdhën drejt Shqipërisë, me 20-24 gradë, dallgët e fuqishme të detit, rrebeshet e mëdha të Alpeve, të gjitha këto krijuan një situatë të paprecedentë ujërash, ndoshta edhe më shumë se në 100 vitet e fundit”, deklaroi kryeministri.Në këto rrethana, tha Berisha, qeveria vendore, qarku, prefektura, bashkia Shkodër, komuna Dajç, Ana e Malit, Bushat, Guri i Zi, dëshmuan një shkallë mobilizimi ekstreme. “Kësaj situate ekstreme iu përgjigjën me shkallë të lartë mobilizimi. Qeveria, ministritë, reaguan me një shpejtësi shumë të madhe. Deri më sot ne ia dolëm të shmangim një katastrofë njerëzore, kur ishim në prag të saj. Sot vërtetë kemi 10 mijë ha të përmbytur, por nuk kemi asnjë një jetë njeriu të humbur. Kjo është meritë e jashtëzakonshme një operacioni shpëtimi më të fuqishëm më të suksesshëm që vendi ka njohur. Me këtë rast unë dua të përgëzoj, të falënderoj, ata qindra e qindra burra e gra të komunave të Dajçit, Anës së Malit, Gurit të Zi, të Bushatit, të cilët, në bashkëpunim me autoritetet vendore, ato qendrore, me një përpjekje të jashtëzakonshme bënë që, në një betejë që vazhdon për mbi dy javë, të mos kemi as edhe një jetë të njeriu të humbur. Ky ishte dhe qëllimi më kryesor”, theksoi kreu i qeverisë Berisha.Në vijim, Berisha u ndal te vakuumi i popullsisë ku përgëzoi punën e autoriteteve në evakuimin e plotë të 5 mijë qytetarëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa vlerësoi se funksionon një rrjet i fuqishëm ndihme në të katër anët e këtyre zonave. “Vetëm nga qeveria qendrore, forcat e rendit, të ushtrisë, janë përkatësisht mbi 800 anëtarë të FA që operojnë në këto zonë, janë mbi 611 anëtarët e policisë që operojnë në zonë, janë 110 personeli shëndetësor që operon në zonë, janë 115 të punonjës të gardës së Republikës e të rezervave të shtetit që operojnë në këtë zonë, janë edhe disa qindra e qindra të tjerë, drejtues të komunave, të bashkisë së Shkodrës, prefekturës e qarkut të saj. Pra, operacioni në tërësi përfshin mbi 2000 ushtarakë, policë, civilë e zyrtarë të të gjitha rangjeve. Qeveria krijoi një komitet ndërministror, i cili në bashkëpunim me autoritetet vendore, ka marrë në dorë situatën dhe po e ndjek atë çdo minutë, 24 orë në 24 orë”, tha Berisha.Kryeministri vlerësoi edhe ndihmën e çmuar të vendeve fqinje të cilat shprehën solidaritet të plotë për gjendjen, ku vendet mike si Italia, Austria, Greqia, Franca, Kosova, Maqedonia dhe një sërë vendesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare, janë në Shqipëri dhe kanë dhënë ndihma të mëdha dhe tepër të çmuara....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›