E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garancitë e munguara të kthesës së LSI-së

Makiavelizmi i javëve të fundit i Edi Ramës mund të ketë lënë të habitur shumë prej socialistëve të thjeshtë. Fillimisht, propozimi i Ardian Vishës si kandidat për KLD, më pas ajo që mund të cilësohet si "marrëveshja e fshehtë e Lalzit" me Ilir Metën dhe së fundi edhe ftesa publike për bashkëpunim me LSI-në, e vendosur në gojën e eminencës së re gri të selisë rozë, Ben Blushit. Të gjitha këto lëvizje po ndodhin më shpejt se kapaciteti përtypës i popullit opozitar. Në fakt, kjo strategji e re e "qëllimit që justifikon mjetin", motoja që krijoi aleancën artificiale të Ilir Metës dhe Sali Berishës në vitin 2009 dhe la në opozitë të majtët, mbetet e vetmja rrugë politike e pashkelur deri më sot nga zoti Rama. Një stepje për të mos kaluar disa barriera morale të politikës së vjetër, të cilat i kanë sjellë gjithnjë shumë kritika lidershipit socialist. Mund të jenë harxhuar me qindra faqe analizash e minutazhe debatesh televizive, me kritikën se Edi Rama nuk është politikan i mirëfilltë dhe si rrjedhojë nuk arrin të bëjë aleancat e nevojshme për t'i dhënë të majtës avantazhin në zgjedhje. Janë të njëjtët njerëz që kanë ngritur këtë imazh ndaj kreut të opozitës që tashmë po e vendosin atë me "shpatulla pas muri" duke i kujtuar sot moralin e humbur me afrimin e mundshëm me "kryehajdutin" Meta. Por, në fund të fundit kjo është politika, një sport që luhet në baltë dhe shpesh nuk e kursen edhe baltosjen. Nëse nuk do të baltosesh, do të mbetesh gjithnjë jashtë lojës dhe nuk mund të ndryshosh rregullat e saj. Pikërisht për këtë arsye, strategjia e fundit e Edi Ramës e kthen më tepër atë në nivelin e munguar të një politikani të vërtetë dhe pse jo, mund ta ndihmojë rritjen e imazhit të tij si një lojtar kryesor në skakierën e politikës shqiptare në sytë e ndërkombëtarëve. Një Ramë negociator, ndryshe nga Rama i mëparshëm rebel, grevist apo bojkotues do të ndryshonte portretin që i vizatohet liderit socialist në anglishten e raporteve konfidenciale të Brukselit dhe Uashingtonit. Nëpërmjet kësaj lëvizjeje të fundit, ambasadorët e huaj të impenjuar seriozisht në bllokimin e zgjedhjes së një presidenti të ardhur nga radhët e PD-së, mund të ndjehen më të sigurt se kryeministri nuk do ta injorojë ultimatumin e tyre. Pa një mbështetje të sigurt të LSI-së, të gjitha përllogaritjet e mundshme të votave të mazhorancës janë tepër të paparashikueshme për të plotësuar edhe vetë kufirin minimal të 71 votave.
Kjo është njëra nga pritshmëritë pozitive që duhet ta kenë motivuar kthesën e papritur të timonierit Rama drejt një afrimi të mundshëm me Ilir Metën. Por, sigurisht ashtu siç po artikulohet nga zërat pranë Ramës, qëllimi i vërtetë i çdo pakti të imponuar me LSI-në kalon zgjedhjen e presidentit për të synuar një rrëzim të mazhorancës, ndoshta edhe përpara vitit 2013. Një skenar i tillë, ai i zgjedhjeve të parakohshme me prishjen e mazhorancës PD-LSI, do të shpejtonte shpresat për një rikthim të së majtës në pushtet, por nuk do sillte asnjë siguri shtesë për këtë fitore. Së pari, për shkak se zgjedhjet e parakohshme do të pengonin reformën zgjedhore dhe si rrjedhojë, sistemi aktual zgjedhor do të përsëriste të njëjtat probleme për opozitën si ato të zgjedhjeve të fundit. Së dyti, sepse zgjedhjet e parakohshme do të dëmtonin konsolidimin dhe peshën elektorale të forcës së re që mund të marrë vota nga e djathta, partisë së zotit Topi. Kjo strategji e zgjedhjeve të parakohshme ka qarkulluar pak kohë më parë në media si një orvatje e mundshme e Berishës për të penguar çdo rrjedhje të votave të djathta. Për të dyja këto arsye, skenari i zgjedhjeve të parakohshme nuk sjell ndonjë stimul pozitiv për të majtën, qoftë edhe të bashkuar nën një aleancë të vetme.
Ndërkohë, pikëpyetja kryesore që mbetet pa një përgjigje të saktë në arsyet e afrimit të Ramës me plangprishësin Meta, është garancia apo shpërblimi që mund të ofrojë opozita për LSI-në në mënyrë që ajo të braktisë barkën e ëmbël të pushtetit. Çfarë oferte konkrete mund të japë Rama për ta garantuar divorcin e Metës me Berishën dhe besnikërinë e tij ndaj PS? Nëse e vetmja ofertë është bashkimi i votave për të zgjedhur një president nga LSI-ja (ndoshta edhe vetë Ilir Metën), i cili do të përmblidhte ironikisht nocionin e presidentit konsensual, pra një përfaqësues i mazhorancës i zgjedhur me votat e së majtës, atëherë këto negociata në gjirin e Lalzit do të shërbenin vetëm për të rritur më tej aksionet e bursës politike të Ilir Metës. Kryeministri Berisha është gjithnjë i avantazhuar për shkak të pushtetit për të ofruar më tepër portofole ministrore për partinë e Metës dhe më shumë emërime drejtorë doganash, patentash apo ndërtimorësh për familjarët e deputetëve. Po socialistët çfarë kanë në dorë për të yshtur konsumatorët e zakonshëm të ngjalave të Lalzit? Kjo është arsyeja që makiavelizmi i Ramës kërkon tashmë edhe disa përllogaritje dhe garanci të nevojshme që të mos kthehet në një bumerang politik për të dhe për të gjithë vendin.
Ashtu siç argumentonte kryeministri reformator Teng Hsiao-Ping në periudhën e kthesës së rëndësishme politike të Kinës komuniste: "Nuk ka rëndësi nëse macja ka ngjyrë të bardhë apo të zezë. Ajo është mace e mirë për ne nëse kap minjtë". Edhe sot, strategët socialistë mund të argumentojnë se duhet të kalojnë përtej ngjyrave të maces për të larguar minjtë në pushtet. Problemi që po anashkalojnë është fakti që minjtë e kamur të oborrit shqiptar e kanë ende "në xhep" këtë mace.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›