“Në këto zgjedhje, referencë e vetme mbeten Ligji dhe Kodi Zgjedhor”
Kryetari i LSI-së Ilir Meta takoi Ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti dje në mesditë në selinë e LSI-së, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Gjatë takimit Meta dhe Arvizu shkëmbyen mendime për situatën politike para zgjedhore duke vlerësuar si më të rëndësishme mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sesa rezultatin e kandidatëve në këto zgjedhje vendore.
Meta shprehu angazhimin e plotë të tij dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhje të ndershme dhe të lira në 8 maj.
Gjithashtu Meta falënderoi Ambasadorin Arvizu për ndihmën që SHBA po jep në proceset integruese të vendit si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri.
Gjatë bashkëbisedimit Meta duke shprehur mirënjohje për kontributin e OSBE/ODIHR në Shqipëri, ka apeluar për më shumë vëzhgues në këto zgjedhje pasi kjo do te ishte një garanci me tepër për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Më tej Meta rikonfirmoi angazhimin e të gjithë përfaqësuesve të LSI-së në të gjitha nivelet e administrimit të procesit zgjedhor, për të pasur si referencë të vetme në të gjithë sjelljen e tyre vetëm ligjin, kodin zgjedhor.