E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqartësitë me shpronësimin e truallit dhe leja e sheshit të ndërtimit e bëjnë haram xhaminë e re

04-05-2011 / Gazeta 55

Komuniteti Mysliman i thotë jo premtimit mashtrues të Edi Ramës

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar ndaj projektit  të prezantuar dy ditë më parë nga kryetari aktual i bashkisë Edi Rama. Ky komunitet kërkon të zgjidhen disa çështje përpara se ai të fillojë të zbatohet. Në radhë të parë ka paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë. Duke qenë se paqartësitë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kanë mbetur akoma pa përgjigje, shpalljen e projektit fitues ky institucion e vlerëson si të parakohshëm.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet kundër xhamisë së re që ofrohet nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama, duke deklaruar dje zyrtarisht se “shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”.
Duke marrë shkas nga paqartësitë e besimtarëve myslimanë dhe mbarë opinionit publik lidhur me projektin e xhamisë së re në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë tha se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të Komuniteti Mysliman të Shqipërisë kanë mbetur akoma pa përgjigje.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë pohoi se procesi i projektimit të xhamisë, megjithëse duhet të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, në çdo hap është mbështetur dhe përkrahur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
“Që në fillimin e tij, në takimet e bëra me Bashkinë e Tiranës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje”, thuhet në reagimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni përfaqësues i të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe ka si organ më të lartë vendimmarrës Këshillin e Përgjithshëm, të përbërë nga 92 anëtarë nga mbarë vendi.
Në mbledhjen e tij të fundit të mbajtur me 20 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të xhamisë së re në Tiranë, doli me konkluzionin se, “Këshilli i përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera”.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se që nga deklarata e Këshillit të Përgjithshëm, ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme.
“Duke qenë se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kanë mbetur akoma pa përgjigje, shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”, thekson Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Ai thekson edhe se, në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar.
Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përfundon me këtë kujtesë duke bërë të ditur se, “Xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›