“Mungesa e mbikalimeve në Laprakë, shkaku i aksidenteve me pasojë vdekjen”

Denoncon deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli
Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, tha dje se mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve mbetet një problem i pazgjidhur nga bashkia e Tiranës, megjithëse është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen në zonën e Laprakës.
Përmes një deklarate për shtyp, Kadilli solli në vëmendje disa statistika të Ministrisë së Brendshme për aksidentet në këtë zonë, si pasojë e mungesës së mbikalimeve.
“34 vetë kanë vdekur brenda 4 vitesh në Laprakë si pasojë e mungesës së mbikalimeve, gjerësia mes dy anëve të rrugës është 37 metra, distancë kjo që e përshkruajnë në këmbë, çdo ditë rreth 1 mijë nxënës”, tha Kadilli.
Sipas tij, “në çdo anë të rrugës jetojnë 50 mijë banorë, që u duhet të përshkruajnë këtë distancë për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme. Të gjithë këta njerëz rrezikojnë çdo ditë jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së bashkisë së Tiranës. Njësia bashkiake e Laprakës i ka paraqitur bashkisë qendrore kërkesën për ndërtimin e një mbikalimi, por kjo e fundit i është përgjigjur negativisht. Biznesmenët e zonës kanë kërkuar të pajisen me leje të ndërtimi për të ndërtuar privatisht një mbikalim, por edhe kësaj kërkese, bashkia e Ramës i është përgjigjur negativisht”, tha më tej Kadilli.
Ai theksoi se kjo situatë duhet të marrë fund, pasi qytetarëve u duhet një kryebashkiak që të zgjidhë problemet e tyre të përditshme dhe jo një kryebashkiak që është i fokusuar vetëm tek beteja politike kombëtare.