E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Jemi të angazhuar që këto zgjedhje të 8 majit të jenë zgjedhjet më të mira”

04-05-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit takon kreun e misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR për zgjedhje, Jonathan  Stonestreet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi sot shefin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODHIR në Shqipëri, për zgjedhjet lokale të 8 Majit, Jonathan Stonestreet.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, kryetarja Topalli vlerësoi punën e këtij misioni dhe angazhimin e rëndësishëm e serioz të vëzhguesve për monitorimin e situatës parazgjedhore dhe të ditës së votimit në Shqipëri.
Ajo shprehu bindjen se shumica e kandidatëve po bëjnë një fushatë pozitive; ata kanë vënë në fokus qytetarët me problemet dhe pritshmëritë e tyre dhe po prezantojnë programe e projekte, që synojnë të ofrojnë zgjidhje. Nga ana e tyre, qytetarët po dëshmohen shumë më të interesuar për të ndjekur dhe vlerësuar ofertën më të mirë, në interes të tyre. Një masë e  rëndësishme e ndërmarrë nga qeveria për këto zgjedhje ishte vendimi i saj për të ndaluar përdorimin e logjistikës së administratës publike, në funksion të fushatës. “Unë besoj, tha Topalli, se qytetarët shqiptarë me votë të lirë do të zgjedhin alternativën që përfaqëson progres dhe zhvillim për jetën e qytetarit”.
Kryetarja e Kuvendit  theksoi se natyrisht, faktorët kryesorë në zgjedhje janë partitë, por përsa na takon ne, po bëjmë gjithçka që këto zgjedhje të 8 majit të jenë zgjedhjet më të mira, më  të ndershme, më të drejta dhe më paqësore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›