“Garantimi i sigurisë kombëtare, pjesë e reformave institucionale dhe ligjore”

Ministri Imami raporton në Komisionin Parlamentar të Sigurisë
Garantimi i sigurisë kombëtare, një çështje që bashkon çdo aktor dhe faktor shqiptar e kombëtar, ka qenë në fokus të diskutimeve në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë. Siguria kombëtare është pjesë e reformave të mëdha institucionale e ligjore, përfshirë reformimin e Forcave të Armatosura e ato të sigurisë, ashtu edhe me procesin e forcimit të aleancave strategjike e të bashkëpunimit të Shqipërisë me të gjitha vendet në kuadrin e iniciativave globale për sigurinë e njerëzimit në veçanti.
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, se sot kanë ndryshuar aktoret dhe faktorët që cenojnë sigurinë globale, ndaj dhe përgjigjja duhet të jetë e tillë.
“Qeveria është e angazhuar për një koncept të ri strategjik të mbrojtjes. Sot përballemi me rreziqe në shkallë botërore, si shtete të pa qeverisshme, katastrofa natyrore, armët bërthamore, terrorizmi, pirateria etj. Parterët e NATO-s dhe aleancat me vendet anëtare”, u shpreh Imami.
Ndërsa, zëvendësministrja e Jashtme Edit’h Harxhi, tha se parlamenti dhe legjislativi kanë një rol të rëndësishëm në hartimin e një strategjie të aleancës, në mbrojtjen globale.
“Shqipërinë shumë shpejt do ta vizitojë ekipi i ekspertëve të NATO-s, të urtët, në doktrinën e re, do të trajtohen dhe marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë. Shqipëria do të ketë një qëndrim të konsoliduar. Për herë të parë në këtë doktrinë futen dhe emergjencat civile”, u shpreh zëvendësministrja Harxhi.
Kërkesa e vendeve anëtare në NATO, kërkuan ndryshimin e saj që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Por një nga arsyet e ndryshimeve të kësaj doktrine, janë dhe ndryshimet klimaterike që kërcënojnë globin. NATO vlerëson kontributin e Shqipërisë në funksion të rritjes së sigurisë rajonale.