E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon në 21 numri i kapitujve të miratuar të Pyetësorit të BE

Komiteti Ndërministror i Integrimit Europian, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi sot edhe 6 kapituj të tjerë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian (KE) për Shqipërinë.

Kryeministri Berisha, duke folur për ecurinë e hartimit të përgjigjeve për pyetësorin e KE-së, informoi se këto kapituj kanë së bashku 327 përgjigje, ose rreth 14 përqind të të gjitha pyetjeve të pyetësorit dhe e avancojnë në 21 numrin e kapitujve të miratuar nga KNI, nga 35 kapituj gjithsej. Për hartimin e këtyre përgjigjeve, - tha Kryeministri - janë angazhuar rreth 30 institucione, mbi 265 punonjës dhe drejtues të niveleve të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin dhe kontrollin e cilësisë së përgjigjeve.
Kryeministri theksoi se krahas punës intensive për hartimin e përgjigjeve, paralel me të po ecet edhe me përkthimin, ku janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 anekse apo shtojca.
Edhe në këtë takim të radhës të KNI-së, Kryeministri Berisha risolli në vëmendje porosinë që përgjigjet të jenë koncize, për t’u lexuar lehtësisht nga ata që do të bëjnë vlerësimin e tyre.
“Në Bruksel, - u shpreh Kryeministri - do të shkohet me një tekst nuk them të përmbledhur, por me një tekst pa ujë. Duhet që të dëshmojmë të gjithë përqendrimin tonë që të mund të shprehim qartë, plotësisht përgjigjet tona, realitetin, vizionin, por kjo të bëhet në mënyrë sa më të kursyer”.

Në fjalën e tij, në hapje të mbledhjes së KNI-së, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo mbledhje e Komitetit Ndërministror të Integrimit u thirr për të shqyrtuar 6 kapituj të pyetësorit, të cilët trajtojnë: kapitulli 4 - lëvizjen e lirë të kapitalit; kapitulli 10 - shoqërinë e informacionit dhe median; kapitulli 16 – tatimet; kapitulli 27 – mjedisi; kapitulli 32 - kontrollin financiar dhe kapitulli 33 - financat dhe buxheti.
Këto kapituj kanë së bashku 327 përgjigje, rreth 14 përqind të të gjitha pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian. Për hartimin e këtyre përgjigjeve janë angazhuar rreth 30 institucione, mbi 265 punonjës dhe drejtues të niveleve të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin dhe kontrollin e cilësisë së përgjigjeve. Me këto kapituj, ne avancojmë në 21 numrin e kapitujve që miratojmë në KNI, nga 35 që janë gjithsej.
Siç e shihni, po bëhet një punë intensive dhe paralel me të, po ecën përkthimi. Janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 anekse apo shtojca. Më duhet të shtoj se tek anekset mund të ketë shumë gjëra të përkthyera paraprakisht dhe janë përkthime të cilësisë shumë të mirë. Edhe një herë sjell në vëmendjen tuaj se në Bruksel do të shkohet me një tekst nuk them të përmbledhur, por me një tekst pa ujë. Duhet që të dëshmojmë të gjithë përqendrimin tonë që të mund të shprehim qartë, plotësisht përgjigjet tona, realitetin, vizionin, por kjo të bëhet në mënyrë sa më të kursyer, sepse është i njohur fakti se ka ndodhur në letërsi që shkrimtarë, që gjithë jetën shkruan me qindra vëllime, mbetën pa u bërë të mëdhenj vetëm nga volumet e mëdha, që nuk ua lexon dot njeri. Ndaj edhe ne duhet të kemi parasysh të jemi sa më koncizë, që përgjigjet tona të mos jenë të mundimshme për t’u lexuar nga ata që do të bëjnë leximin e vlerësimin tyre”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›