“Kufijtë, të hapur për qytetarët dhe hermetikë për krimin”

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, u shpreh dje gjatë përshëndetjes së konferencës me temë për “Sigurinë e Kufijve” në prani edhe të 6 homologëve të tij të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se siguria kufitare dhe ajo rajonale është axhenda kryesore politike dhe diplomatike në mbarë botën dhe një nga angazhimet dhe sfidat e përbashkëta të rajonit të Ballkanit.
Basha deklaroi se ndërmarrja e angazhimeve për të thyer barrierat dhe konceptet mbi hermetizimin e kufijve dhe zëvendësimin e tyre me menaxhimin e integruar të kufijve, i cili tashmë nuk është një koncept, por një projekt në implementim e sipër me sukses të plotë në të gjitha vendet e rajonit. “Kjo konferencë vjen në një kohë decizive për rajonin tonë ku tre vende kanë përfituar tashmë nga procesi i liberalizimit të vizave me BE dhe rruga është hapur pas përfundimit të inspektimeve të Komisionit Europian në Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri që BE pa vonesa të plotësojë premtimin e tij edhe në raport me këto dy vende. Përkushtimi ynë është që kufijtë tanë të jenë të hapur, të lehtë për t’u kaluar për të gjithë qytetarët tanë dhe ata të vendeve të tjera, por hermetikë dhe të pakalueshëm për krimin transkufitar rajonal apo ndër rajonal”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Sipas ministrit Basha, shembulli më i mirë i bashkëpunimit ndër rajonal mes të gjithë vendeve dhe etnive është kundërshtari kryesor, krimi i organizuar.