Kërkesat s’kanë bazë ligjore, PS është turrur kundër zgjedhjeve më të mira në histori

Reagon kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, reagon ndaj kërkesave të panegociueshme të Partisë Socialiste lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Kryetarja e Kuvendit, i cilësoi ato si absurde, ndërsa sqaroi shqiptarët se opozita është turrur kundër zgjedhjeve dhe institucioneve ligjore, pavarësisht se ato përmbushën standardet e ndërkombëtarëve.
Në hapje të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit, pa praninë e opozitës, kryetarja e Kuvendit deklaroi edhe njëherë se kërkesat e Partisë Socialiste për amendime në Kodin Zgjedhor dhe krijimin e komisionit parlamentar për hapjen e kutive, janë pa baza kushtetuese.
“Dëshiroj të jap disa shpjegime në lidhje me zhvillimet e fundit dhe për një përgjigje të sotme, meqenëse ka pasur një reagim nga PS-ja. Kryesisht unë do të doja që ky komunikim të bëhet për të sqaruar shqiptarët. Kam 15 vjet që jam në politikë, kam kaluar disa procese zgjedhore politike, disa procese zgjedhore lokale. Në të gjitha vitet jashtëzakonisht të vështira, kur kemi qenë në opozitë, dhe pastaj gjatë viteve në pozitë, pas 2005-ës, ndoshta është rasti i parë që përballem me një situatë që është vetëm absurde, ku nuk funksionon logjika, ku nuk ekziston racionaliteti dhe ke përballë një sjellje të paimagjinueshme se mund të ndodh edhe në 2010-ën. E them këtë, sepse nuk kam dëgjuar kurrë ndonjëherë në ndonjë vend të botës, që, ku për herë të parë ndodhin zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku për herë të parë këto zgjedhje të përcaktohen si zgjedhjet që përmbushin standardet kryesore të OSBE-ODIHR-it, të turren kundër zgjedhjeve, të turren kundër institucioneve shqiptare, KQZ, gjykatë, komisionerë socialistë, komisionerë të tjerë, të turren kundër Parlamentit e dalë nga zgjedhjet e ligjshme, të turren kundër jush, të turren kundër raportit të OSBE-ODIHR-it, të turren kundër raportit të Këshillit të Europës, kundër rezolutës së Parlamentit Europian, dhe nuk po vazhdoj më tutje që të them se cilat nga institucionet e tjera kanë mbetur pa iu turrur dhe pa e sulmuar”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke theksuar se është e paimagjinueshme që kjo situatë të ndodhë në 2010.
Ajo shtoi se seanca plenare do të caktojë datën për iniciativë të përshpejtuar për draftin që opozita ka dërguar në Parlament, ndërsa dha garanci të plotë se komisioni i ligjeve do të fillojë nga puna për t’i shqyrtuar këto kërkesa javën e ardhshme.
Kryeparlamentarja Topalli, deklaroi më tej se pas disa refuzimeve të lëshimeve të mazhorancës nga ana e opozitës, ata depozituan kërkesat e bazuara në draft dhe jo në ligj. Topalli tha se këto kërkesa të pabazuara mund të ishin kthyer mbrapsht, por u respektua opozita.
“U bë koncesioni tjetër, është futur në axhendë për të votuar kërkesat për komisionin hetimor bazuar në draft jo në ligj! Si Kryetare e Kuvendit duhet ta kisha kthyer mbrapsht dhe duhet t’i kisha thënë: Ruçi, merreni mbrapsht. Po të kalojë ligji, atëherë mund të sillni kërkesën për të ngritur komisionin hetimor. Por nuk fola. Nuk fola as kur solli projektligjin për ndryshimet që dëshironte të bënte, megjithëse janë kokë e këmbë antikushtetuese. Në këtë projektligj kërkojnë që hetimi i procesit zgjedhor të zgjasë 12 muaj. Por 12 muaj janë baras me destabilitet. Në këtë draft kërkohet që mazhoranca të kthehet në minorancë me ligj, për të hetuar zgjedhjet politike apo lokale. Vetëm në diktaturë mund të kërkohen gjëra të tilla. E treta, në draft kërkojnë që komisioni të jetë i pakushtëzuar dhe nuk lexojnë vendimet numër 18 dhe 20 të Gjykatës Kushtetuese që janë obligative, ku thuhet që “Komisionet hetimore nuk kanë kompetenca të pakufizuara””, tha më tej, Topalli.