E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajisja e qytetarëve me karta identiteti po ecën nomalisht

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e ka cilësur normale ecurinë e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti, një dokument i rëndësishëm për standardet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ministri Nishani pati sot një takim me Kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore znj. Doris Pack dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë të cilit u ndal në procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti.  "Proçesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identitetit po ecën normalisht. Në bazë të kapaciteteve të vëna në dispozicion janë të gjitha mundësitë që deri ditën e zgjedhjeve, në 28 qershor, të pajisen me letërnjoftimet elektronike deri në 1.3 milion", informoi ministri Nishani. Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Brendshme, z. Nishani foli për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. "Krijimi i Regjistrit është një arritje e strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha njësive të qeverisjes vendore", tha ai duke vlerësuar dhe asistencën e BE-së, ku veçoi qeverinë austriake dhe atë norvegjeze. Sipas tij, krijimi i këtij regjistri siguroi përgatitjen e listave paraprake për zgjedhjet e 28 qershorit, për të cilat për herë të parë është respektuar afati i shpalljes së tyre.  Ministri Nishani informoi ndër të tjera se prioritarë në procesin e pajisjes me karta identiteti janë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportë, ndërsa theksoi "se kapacitetet e aplikimit dhe ato të prodhimit e kalojnë shifrën e 15 mijë personave në ditë". Përsa i takon interesimit të europarlamentarëve mbi propozimin e Partisë Socialiste për dhënien falas të letërnjoftimit elektronik, ministri Nishani informoi se "deri më tani janë bërë disa reduktime të çmimit të letërnjoftimit elektronik, përfshirë heqjen e taksave dhe favorizimet për kategori të caktuara, si pensionistë, studentë, persona me aftësi të kufizuar, ata që trajtohen me asistencë ekonomike etj. "Qytetari duhet të paguajë një çmim për këtë dokument identifikimi që ta ndiejë atë si pronë të vetën", theksoi ministri Nishani. Në regjistër figurojnë 3.133.248 milion votues shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë emigrantë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut. Nisur nga praktika e zgjedhjeve të kaluara, në votime përfshihet rreth 60 për qind e numrit të përgjithshëm në listën e zgjedhësve. Kreu i Ministrisë së Brendshme u ndal dhe në rezultatet e policisë në luftën kundër krimit. "Krimi i vrasjes në vendin tonë, gjatë vitit 2008 ishte në nivelin 2.3%, përkundrejt 2.5% që ishte niveli mesatar i vendeve të BE", tha z. Nishani, duke vlerësuar dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit e trafiqeve të paligjshme si dhe në rritjen e nivelit të sigurisë në vend.  Edhe bashkëpunimin kufitar me vendet fqinje ka qenë i shkëlqyer", tha ai, ndërsa nënvizoi se "tashmë Shqipëria pothuajse i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave me BE". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›