Inxhinieri italian: Situatë plotësisht e kapërcyeshme
08/01/2010 Qeveria italiane ka dërguar në vendin tonë një ndër specialistët më të mirë për përballimin e situatave emergjente për të asistuar vendin tonë në gjendjen e rëndë të krijuar pas përmbytjeve të mëdha. Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim të veçantë këshilltarin special të kryeministrit italian Silvio Berluskoni për Komitetin e Mbrojtjes së Digave në Itali, inxhinerin Roberto Guercio, i cili shoqërohej nga ambasadori italian në Tiranë, Saba d’Elia. Gjatë këtij takimi shefi i ekzekutivit shqiptar e njohu të dërguarin italian me situatën e krijuar si rezultat i prurjeve të jashtëzakonshme ujore në basenin e Drinit si dhe me problematikat e shkarkimeve të ujit përgjatë të gjithë kaskadës së këtij lumi dhe me problemet e përmbytjeve në ultësirën e Nënshkodrës. Nga ana e tij Gurcio theksoi se e njeh situatën në Shqipëri, digat dhe specifikat e tyre, si dhe kompetencën e inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë. Ai u shpreh i bindur se kjo situatë është plotësisht e kapërcyeshme dhe se nuk ka vend për panik. “Është e rëndësishme që qytetarët të shohin dhe të vlerësojnë se autoritetet dhe profesionistët po përballojnë me seriozitet situatën, duke qenë të sigurt në administrimin e asaj që ka ndodhur dhe në projeksionin e evenimenteve që do të vijnë”, ka deklaruar i dërguari special i qeverisë italiane. Po gjatë ditës së djeshme inxhinier Guercio ka pasur një takim me ministrin e Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Mësohet se inxhinieri italian ka pohuar se kryesisht ekzistojnë probleme që kanë të bëjnë me menaxhimin e shkarkimeve. Ai tha se në bashkëpunim me teknikët shqiptare do të krijohet një grup permanent për të menaxhuar këtë fazë krize, që nuk do të përfundojë aktivitetin vetëm për këtë situatë meteorologjike, por do të prodhojë një program aktiv investimesh për të ardhmen për të azhurnuar nivelin e sigurisë së këtyre strukturave.