E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gardianët”, ngërçi që ka bllokuar Tiranën

Për gati 15 vjet me radhë, porta e 23-herë kampioneve ka qenë me më sigurta, këtë e dëshmon edhe fakti se në kuadratin bardheblu kanë qenë disa nga portierët më të mirë të futbollit shqiptar: nigeriani karizmatik Emanuel Egbo (tashmë pjesë e Bylisit të Ballshit), veterani Blendi Nallbani (i cili mban edhe rekordin si portieri më i ri në moshë që ka luajtur me një përfaqësuese në Uembli të Londrës) apo dhe Isli Hidi (portieri i kombëtares, i cili pas aventurës së shkurtër në Ukrainë me Krivbas Kirog, tashmë ka veshur fanellën modeste të qipriotëve të Alki Larnaka).
Tashmë katërkëndëshi bardheblu është shndërruar në një problem, madje të mprehtë. Nga ato që kërkon një zgjidhje të shpejtë, edhe pse Tirana, si rrallë herë nuk do të luajë në Europë (vendi i gjashtë në sezonin e kaluar).
SITUATA - Tiranë në dorë të "Tatës". Është një realitet. Veterani është aty. Në pritje të minutave të tij. Tashmë nuk ka asnjë rival. Të paktën në letër, rivalët e tij janë Klajdi Kuka (18-vjec) dhe Eni Malaj (17-vjec). Shumë pak për të konkurruar me një portier që ka luajtur mbi 300 ndeshje në Superligë. Shumë pak për të rikthyer në elitë Tiranën. Në kërkim të titullit të 24-t kampion apo të 14-in në Kupën e Shqipërisë.
ALTERNATIVAT – Shkodrani Armir Grima (i përjashtuar dhe i rikthyer te Vllaznia) ishte një alternativë, ashtu si durrsaku Orges Shehi (i lirë nga Partizani). Por nëse në fillim të presidencës "Halili", dy emrat ishin në bllokun e shënimeve të Refikut, tashmë "fleta është grisur". Dy emrat më të fundit në qarkullim - përpara se Tirana të nisë, më 10 korrik fazën përgatitore për sezonin e ri – janë Arion Mustafa dhe Ervin Llani. I pari i lirë nga Kastrioti (i rrezuar në Kategorinë e Parë) dhe i dyti mes dyzimit për të qenë pjesë e Shkumbinit, Partizanit, Elbasanit e Tiranës.
VERSIONI "MUSTAFA" -Tirana, klubi më i pasur në Shqipëri (shpenzimet sezonale shkojnë në 1 milion dollarë), nuk do ta ketë vështirë të joshë këdo, të paktën financiarisht, por problemi qëndron në faktin sesa të aftë do të jenë këta portierë të përballojnë një ambient heretikësh si ai i "Big Mamës", ku së pari mendojnë për të ndërtuar, e paralelisht për të hequr tullën e radhës. Gjithsesi, Mustafa i qetë, i cili ka provuar edhe portën e Vllaznisë, Partizanit, Skënderbeut, Besës e së fundi edhe të Kastriotit, mund të formonte një dyshe të mirë alternative me Blendi Nallbanin, i cili ndonjëherë edhe më shumë "heretik" se sa duhet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›