Partizani e Vllaznia “peshkojnë” Shirokin e Koperin

Të martën, më 1 korrik u hodh në Nion të Zvicrës shorti i Kupës UEFA, ku marrin pjesë dy ekipe shqiptare, Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe Partizanit, vendi i dytë në sezonin 2007-2008.
PARTIZANI-SHIROKI BRIJEG
Partizani, nënkampioni i Shqipërisë, do të përballet në turin e parë të Kupës UEFA kundër Shiroki Brijeg, nënkampiones së Bosnjë-Hercegovinës. Skuadra boshnjake Shiroki Brijeg, është një emër i njohur për ambientin e futbollit shqiptar, pasi eliminoi Teutën në turin e parë eliminator të sezonit 2005-2006. Edhe pse durrsakët fituan ndeshjen e parë në "Niko Dovana" 3-1 humbën dy javë më pas në Bosnjë me rezultatin e pastër 3-0. Shiroki ka një moshë të afërt me Partizanin. Skuadra e kuqë është themeluar në vitin 1946, ndërsa ajo boshnjake në vitin 1948. Shiroki ka në palmarasin e vet 3 tituj kampion të Premier Ligës (2004, 2006, 2007) dhe katër trofe si kampione e Ligës së Parë boshnjake (1994, 1995, 1996, 1998). Bilanci i Partizanit në Europë është 41 ndeshje, 8 fitore, 6 barazime dhe 27 humbje.
KOPER-VLLAZNIA
Vllaznia duhet të jetë më e pakënaqura nga shorti, pasi kundërshtari i saj është skuadra sllovene Koper. Fituesja e Kupës së Shqipërisë, megjithatë sezonin e kaluar në turin e parë të Kupës Intertoto eliminoi pikërisht një skuadër kroate, NK Zagreb (1-2 në Kroaci, 1-0 në Shkodër). Bilanci i Vllaznisë në Europë është 28 ndeshje, 8 fitore, 1 barazim dhe 19 humbje. FCKoper është themeluar në vitin 1955. Ndeshja e parë do të luhet në Slloveni (17 korrik), ndërsa ajo e kthimit në Shkodër (22 korrik).
Kupa UEFA
Turi i parë
17-22 korrik 2008
Siroki Brijeg (Slloveni)-Partizani (Shqipëri)
Koper (Slloveni)-Vllaznia (Shqipëri)