Meta: Asistencë rajonit për NATO-n
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut në Dubrovnik, ku në fjalën e tij ai theksoi se Shqipëria është e gatshme të asistojë vendet e rajonit për t’u bërë pjesë e NATO-s sa më shpejt. Në këtë takim merrte pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hyseni, ndërsa homologu i tij serb nuk ishte i pranishëm. “Ne shpresojmë që Serbia në të ardhmen të marrë pjesë, dhe së dyti, të mos kushtëzojë pjesëmarrjen e askujt tjetër”, tha Meta. Në fjalën e tij në samit, Meta u shpreh se vendet e rajonit si Mali i Zi e Bonjës-Hercegovina kanë ecur para drejt anëtarësimit në NATO. Në përfundim të takimit, vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një Komunikatë Finale, me anë të së cilës theksohet objektivi për stabilizimin afatgjatë dhe konsolidimin politik të Europës Juglindore, kontribute të përbashkëta në kuadër të operacionit ISAF në Afganistan, si dhe shprehet rëndësia e rolit të diplomacisë publike për rritjen e mbështetjes së publikut për anëtarësimin në NATO dhe operacionet e drejtuara nga Aleanca.