E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Anëtarësimi në BE mund të pezullohet”



Erald Kapri

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Libor Roucek deklaroi dje se ka ardhur koha që maxhoranca dhe opozita në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje. Në një deklaratë për mediat e shpërndarë nga Partia Socialiste, grupi parlamentar më i madh i së majtës në Parlamentin Europian, Aleanca Progresiste e Socialisteve dhe Demokratëve, shprehet se në rast të kundërt vendi rrezikon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij, Libor Roucek, i cili ishte edhe raporteri i ndihmës për përgatitjen e Rezolutës mbi procesin e integrimit në BE të Shqipërisë, tha se është përgjegjësi e Qeverisë që të gjejë zgjidhjen e kërkuar pa humbur kohë. “Ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje për krizën politike aktuale, mbi një bazë që do të mund t’i qëndrojë kohës. është përgjegjësia e Qeverisë të gjejë pa humbur kohë zgjidhje dhe mënyrë për të ecur përpara, çka i nevojiten vendit teksa ecën drejt BE”, tha Roucek. Sipas të njëjtit njoftim, theksohet, se në rast të kundërt, “ekziston një rrezik serioz që përpjekja e vendit për t’u anëtarësuar në BE të pezullohet”. Duke qëndruar tek gjetja e zgjidhjes, Roucek bëri me dije se Parlamenti Europian pret që palët të ulen se bashku për dialog. Sipas tij, kjo rrugë do të mund të ndihmojë Shqipërinë drejt BE-së. “Ne po presim që në Shqipëri palët politike të gjejnë mundësinë për dialog. Kjo, së bashku me votën e mbi raportin në tërësinë e tij, do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur me efikasitet drejt integrimit europian,” theksoi Roucek. Zëvendëspresidenti i PE-së përmendi më tej kriteret politike të Kopenhagenit, të cilat kërkojnë kushte të stabilitetit politik të një vendi për anëtarësimin e plotë të tij në Bashkimin Europian. Njëkohësisht ai përmendi edhe realizimin e reformave të rëndësishme të procesit të integrimit. “Progresi i secilit vend drejt BE varet nga përpjekjet e tij për t’ju përmbajtur kritereve të Kopenhagenit dhe kushteve të Procesit të Stabilizim Asocimit. Perspektiva e integrimit në BE është një nxitje për disa reforma,” përsëriti raporteri socialdemokrat, ndihmës për përgatitjen e Rezolutës për integrimin europian të Shqipërisë. Kjo deklaratë e Roucek dhe qëndrimi i grupit parlamentar të së majtëve në Parlamentin Europian erdhi pas miratimit të Rezolutës, e cila njeh domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit me anën e një Komisioni Hetimor Parlamentar sipas ligjeve dhe Kushtetutës. “Grupi kryesor Progresist në Parlamentin Europian shpreh shpresën që Qeveria dhe opozita shqiptare të kuptojnë qartë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve politike aktuale është vendimtar për progresin e vendit drejt integrimit evropian”, shprehet në fillim të reagimit të grupit parlamentar Aleanca Progresiste e Socialisteve dhe Demokrateve. Duke iu referuar mundësisë së transparencës së zgjedhjeve, ky grup parlamentar shprehet se duhet të ketë një ekspertizë të gjerë. “Grupi i nxit autoritetet shqiptare të implementojnë sa më shpejt të jetë e mundur një reformë konsensuale të rregullores së Parlamentit, çka do të sigurojë jo vetëm një legjislacion me cilësi të lartë të bazuar mbi një ekspertizë të gjerë, por edhe kapacitete të përmirësuara mbikëqyrëse për Parlamentin dhe të drejta e përfaqësim të mjaftueshëm për opozitën në komisionet dhe aktivitetet parlamentare”, thuhet më tej në njoftim. Nga ana e tij numri dy i Parlamentit Europian Roucek foli për procesin e liberalizimit të vizave duke thënë se “ne përshëndesim progresin që është bërë në lidhje me përgatitjet për liberalizimin e vizave dhe i nxisim autoritetet që të punojnë shumë për të përmbushur të gjitha kriteret deri në fund të 2010”.

Berisha: Të mos preken kufijtë në rajon

Kryeministri Sali Berisha tha dje në Samitin e Dubrovnikut se Tirana zyrtare kërkon ruajtjen e kufijve aktualë në rajon. Në fjalën e tij në takimin ku merrnin pjesë kryeministrat e disa vendeve të BE-së, Berisha tha se "jam kryeministri i Shqipërisë, një komb që jeton në tre shtete të tjera. Por, sido që të jetë, ky është një vazhdim gjeografik dhe etnik. Askush nuk është një enklave. Por unë e them me zë të lartë, se ruajtja e kufijve aktual është në interes të shqiptarëve. Për Shqipërinë, është shume e rëndësishme që të bëjë që idealet tona të prevalojnë. Kështu, unë mendoj që ruajtja e kufijve aktualë ka një rëndësi thelbësore". Duke folur për krizën ekonomike Berisha tha se Shqipëria nuk u prek prej saj, teksa ka regjistruar rritje ekonomike në dy vitet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›