E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, Topi kërcënon maxhorancën



Presidenti Bamir Topi kërcënon se do të rrëzojë të gjithë emrat që vijnë nga Qeveria për t'i dekretuar, nëse ata nuk plotësojnë standardet e kërkuara. Kreu i shtetit e bëri këtë deklaratë një ditë pasi Kuvendi rrëzoi një nga dy dekretet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Duke folur në një prononcim për mediat, në përfundim të vizitës së tij në Theth, ku nën kujdesin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua Konferenca: "Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm - Paqe Sociale", Topi tha se "në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, "check and balance", shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë". Kreu i shtetit vlerësoi, jo pa ironi, procedurën e ndjekur nga komisionet e Kuvendit për dekretet e propozuara prej tij, teksa theksoi se dy kandidatë të rrëzuar dy vjet më parë, Altina Xhoxhaj dhe Medi Bici si anëtarë të Gjykatës së Lartë, tani u miratuan nga maxhoranca. "Dua të përgëzoj që është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit. Dhe në sajë të përmirësimit të kësaj metodologjie është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit. Pra, ky është një moment që unë si President i risjell Kuvendit dy kandidatura që i kam paraqitur një herë dhe ato miratohen. E dyta, që është një element shumë i rëndësishëm: ne duhet të marrim shembull si institucione nga njëri-tjetri", u shpreh Topi. Kreu i shtetit bëri sërish apel për zgjidhjen e krizës politike, duke theksuar se "ky vend ka nevojë t'i respektojë standardet politike në të gjitha pozicionet e mundshme, qoftë nga maxhoranca, qoftë nga opozita, të bashkëpunojnë, të mos mbajnë qëndrime unilaterale, sepse në fund fare janë njerëzit, është populli ai që i shikon, ai që i vrojton dhe ai që e pëson. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëse partitë politike bashkëpunojnë, shoqëria është më e qetë, problemet janë më të zgjidhshme". I pyetur për zgjedhjet lokale, Topi tha se do të dekretojë datën e mbajtjes së tyre në pranverën e vitit të ardhshëm. "Unë shikoj që forcat politike kanë një tendencë për të bashkëpunuar përtej debatit. Ajo që i takon Presidentit është që, duke ndjekur me rigorozitet detyrimet kushtetuese dhe të drejtat kushtetuese, të shpallë datën e zgjedhjeve administrative, apo zgjedhjeve vendore, në momentin kur ai ka detyrimin për ta bërë. E unë besoj që kjo është projektuar në pranverën e vitit që vjen", u shpreh Presidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›