E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Kirk e Engel: Të ulet “temperatura politike” në Shqipëri

UASHINGTON-Lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri, senatori republikan, Mark Kirk, nga Illinoi dhe kongresisti demokrat, Eliot Engel, nga Nju Jorku bëjnë thirrje për qetësi publike.

Sic bën të ditur sesioni shqip i Zërit të Amerikës, senatorët Kirk dhe Engel theksojnë se “retorika politike në Shqipëri është tepër e acaruar që palët të gjejnë rrugën për të dalë nga ky batak”. Ata i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve shqiptarë të zbutin gjuhën me të cilën flasin dhe të ulin “temperaturën politike”, në mënyrë që të fillojnë një dialog të efektshëm për të gjetur rrugën e daljes nga kriza.

“Aq shumë sa ne mbëshesim të drejtën e fjalës së lirë dhe tubimeve për popullin e Shqipërisë, ne besojmë se qëllimit të qetësimit të emocioneve dhe uljes së tensioneve do t’u shërbente më mirë pezullimi i manifestimeve masive dhe aktiviteteve politike, deri sa të rivendoset qetësia”, përfundojnë deklaratën e tyre Senatori republikan, Mark Kirk, nga Illinoi dhe Kongresisti demokrat, Eliot Engel, nga Nju Jorku.

Senatorët shprehin keqardhje për ngjarjet e 21 janarit 2011, siç i karakterizojnë ata, të tmerrshme, dhe u dërgojnë ngushëllime familjeve të viktimave.
“Ne mbështesim fuqimisht Shqipërinë dhe marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe jemi tepër të shqetësuar për vazhdimin e trazirave politike në Shqipëri”, thonë ligjvënësit amerikanë në deklaratën e tyre të lëshuar dje.

Ata bëjë gjithashtu thirrje për hetime të pavarura dhe të besueshme për ngjarjet e 21 janarit, duke theksuar se ato janë tejet kritike që populli të besojë në mundësinë e zgjidhjes së krizës politike në vend.
Kirk dhe Engel thonë se mbështesin fuqimisht institucionet kushtetuese në Shqipëri, të cilat do të kryejnë hetimet.

Ligjvënësit amerikanë shprehen se mirëpresin ndihmën teknike që u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara Prokurorja e Përgjithëshme. Shqipëria, thonë ata, është një vend demokratik që duhet të ruajë perspektivën evropiane. "Të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë të lira të kryejnë punën e tyre", citon zeri i Amerikes, senatoret.

(d.b/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›