E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardisti, vetëvrasje pas telefonatës me familjen

Një ushtar i Gardës i ka dhënë fund jetës në kushte të pashpjegueshme, duke u vetëvrarë në vendin e shërbimit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë, kur Gëzim Adri, teksa po kryente shërbimin, i ka drejtuar armën vetes dhe i ka dhënë fund jetës. Kjo ngjarje e rëndë ka ardhur menjëherë pas një telefonate që ai ka pasur me familjen, por nuk dihet nëse kjo ka ndikuar në këtë ngjarje të rëndë. Burimet policore të kryeqytetit thanë se rasti është regjistruar në repartin e Gardës së Republikës në Mullet, ku ushtari 19-vjeçar ka marrë tri plumba kallashnikovi në kokë. Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, rreth orës 21.00 të së mërkurës, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 u njoftuan se në repartin e Gardës së Republikës në Mullet është vetëvrarë me armë zjarri Gëzim Reshit Adri, 19 vjeç, lindur në fshatin Podgorie Korçë dhe me shërbim ushtarak pranë këtij reparti. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore për të hetuar. Nga kryerja e veprimeve hetimore e procedurale, si dhe nga deklarimet e marra, rezultoi se viktima kishte rreth pesë muaj që shërbente në këtë repart dhe pas marrjes së shërbimit të turnit, në vendroje, me armën automatike të shërbimit, ka vrarë veten duke qëlluar në kokë me tri plumba. Policia tha se menjëherë ka nisur hetimet dhe nga një telefon i gjetur aty ka rezultuar se akti i rëndë ka ardhur, pasi ai ka bërë një telefonatë me familjen. Por nuk është sqaruar nëse kjo telefonatë ka ndikuar në gjendjen e tij, e cila ka çuar drejt vetëvrasjes. Megjithatë, policia tha se po punon për zbardhjen e motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›