E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Golem: Kabineti "Berisha" është qeveria e trokllëkut

Komuna Golem e Durrësit ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të diskutuar për problemet e bujqësisë. Gjatë bashkëbisedimit me banorët atje, ata kanë pohuar për probleme të furnizimit me ujë dhe problemet në vaditjen e tokave, si dhe kostot tepër të larta të punës me tokën. Kryesocialisti u shpreh se gjatë këtyre takimeve po përpunohet alternativa e re socialiste për fshatin, duke mbledhur të gjithë mendimet nga njerëzit të cilët janë kontributorët realë të këtij programi. "Kjo qeveri, qeveria e Sali Berishës, që flet për bollëkun, është qeveria e trokllëkut dhe ai nuk është Sali bollëku, por është Sali trokllëku", theksoi Rama. Sipas tij, janë trokë familjet shqiptare që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe veçanërisht familjet shqiptare në periferitë urbane e në fshat, të cilat nuk arrijnë dot të jetojnë, por vetëm mbijetojnë dhe mbijetesën e garantojnë falë ndihmës që ju vjen nga bijtë e bijat që janë në emigracion. "Familje këto të tradhtuara në të drejtën për të jetuar me punë të ndershme, qoftë sepse këtë punë shpeshherë nuk e kanë dhe këtë të drejtë shpeshherë nuk e kanë, qoftë edhe sepse kur e ka të drejtën për të jetuar me punë të ndershme vetëm mbijetojnë", nënvizoi Rama. Kreu i opozitës vlerësoi se puna e ndershme shpeshherë nuk arrin t‘ju japë njerëzve këtu në këtë vend atë që ju duhet për të jetuar kryelartë me dinjitet dhe pa borxhe. "Nga ana tjetër, dua ta theksoj, shumë qartë, që ne e kemi të domosdoshme të shikojmë përpara. E kemi të domosdoshme të lëmë pas shumëçka që po e trashëgojmë nga gjithë këto vite tranzicion rraskapitës dhe nga keqqeverisja e Sali Berishës në radhë të parë", u shpreh Rama. Teksa shtoi se njerëzit nuk kanë nevojë për gënjeshtra të reja. "Ju keni nevojë për zgjidhje. Ju nuk keni nevojë për premtime të reja që nuk mbahen. Ju nuk keni nevojë më për një kryeministër dhe për ministra që tallen me ju, që ju tregojnë se çfarë hovi të madh ka marrë turizmi, se çfarë hovi të madh ka marrë bujqësia, se çfarë zhvillimi të madh ka marrë Shqipëria, ndërkohë që realiteti është shumë i hidhur", insistoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›