E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit të Andis Harasanit

Prokuroria e Përgjithshme i ka paraqitur dje zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, kërkesën e saj për autorizimin të ndjekjes penale ndaj deputetit të PS-së, Andis Harasani. Kërkesa vjen pas një konflikti të ndodhur dy muaj më parë, më 11 shtator, mes deputetit socialist dhe oficerëve të Gardës, për dy kalli misri pa kokrra... Oficerët e Gardës kanë depozituar në prokurori një kallëzim penal, me pretendimin se janë goditur nga deputeti socialist, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, pasi nuk e kanë lejuar deputetin të fusë në sallën e Kuvendit sende që nuk i lejon rregullorja, konkretisht disa kallinj misri pa kokrra. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është bërë e ditur dje në sallën e Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbyllje të seancës parlamentare. Në zbatim të rregullores së Kuvendit, Kryetarja Topalli është e detyruar të mbledhë Këshillin e Imuniteteve dhe Rregullores për të shqyrtuar kërkesën e depozituar nga organi i akuzës. Në bazë të rregullores, këshilli vendos për heqjen ose jo të imunitetit të Harasanit për t‘i hapur kështu rrugë hetimit nga organi i akuzës. Vetë deputetit Harasani, pas bërjes publike të këtij njoftimi, është shprehur se akuzat e ngritura ndaj tij, nuk janë gjë tjetër veçse akuza qesharake të formuluara nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nuk është hera e parë që Kuvendi vihet para presionit të organit të akuzës për të vendosur heqjen e imunitetit të deputetëve me qëllim hapjen rrugë të hetimit të tyre. Gati një vit më parë heqja e imunitetit është kërkuar për ministrat Basha dhe ish-ministrin Mediu, të cilët janë nën hetim për korrupsionin. Ndërsa për deputetin Hajrulla Paturri, i cili goditi me grushte një arbitër në fushën e lojës dhe këtë veprim e pranoi edhe vetë në një konference për shtyp, këshilli i imunitetit nuk vendosi për heqjen e imunitetit të tij. Vendim për heqjen e imunitet u zvarrit nga Kryetarja Topalli më shumë se tre muaj dhe në bazë të rregullores nëse brenda tre muajve nuk merret vendimi, atëherë kërkesa bie poshtë dhe prokuroria është e detyruar të mbyllë dosjen, pasi nuk mund të hetojë një person, i cili ka imunitet. Por a do të ndodhë dhe kjo gjë me deputetin Harasani? Kjo mbetet për t‘u parë, pasi veprimi i kryer prej tij nuk mund të krahasohet me veprimin e kryer nga deputeti Paturri, i cili goditi me grushte një arbitër në krye të detyrës. Vetë deputeti Harasani, dy muaj më parë, pas incidentit ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përplasje me Gardën, as fizik po as ndonjë sharje apo ofendim mes tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›