Përrenjas, plagosen rëndë dy ushtarë italianë të KFOR
Udhëtimi i një autokolone të forcave të KFOR-it drejt Prishtinës është ndërprerë dje për rreth dy orë, për shkak të një aksidenti të rëndë, ku janë plagosur dy ushtarë italianë. E nisur nga qyteti i Durrësit, autokolona e gjatë e makinave ushtarake në të cilën udhëtonin ushtarë të KFOR-it, kalonte transit për në Shqipëri nëpërmjet aksit rrugor Durrës-Qafëthanë për të kaluar më pas po kështu në territorin e Maqedonisë, me destinacion final kryeqytetin e Kosovës. Por, një pakujdesi e njërit prej drejtuesve të mjeteve ushtarake në mes të autokolonës dhe shiu i butë që ka krijuar lagështi në këtë rrugë plot kthesa të forta ka bërë që një makinë të dalë nga rruga dhe të rrokulliset duke plagosur rëndë dy persona. Aksidenti ka ndodhur në mesditën e djeshme, përgjatë aksit rrugor Përrenjas-Librazhd, në vendin e quajtur kthesa e Pishkashit. Një makinë në mes të autokolonës ka dalë nga rruga duke u përmbysur në anë të asfaltit, në një gropë rreth dy metra e thellë. Patrulla e policisë rrugore e ka njoftuar shpejt qendrën e Policisë në Librazhd dhe prej aty është njoftuar edhe Drejtoria e Policisë së Elbasanit. Nga të dyja komisariatet, Librazhd e Elbasan, janë nisur makina të shpejta të policisë, të pajisura edhe me ndihmën e shpejtë drejt vendit të ngjarjes. Dy ushtarë të KFOR-it janë aksidentuar rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të Policisë së Librazhdit, mësohet se rreth orës 13.00, në aksin nacional Përrenjas-Librazhd, në vendin e quajtur kthesa e Pishkashit, një kamion i forcave ushtarake të KFOR-it, që udhëtonte në autokolonë me mjetet e tjera, ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë aksidentuar rëndë dy ushtarë me shtetësi italiane. Të njëjtat burime saktësojnë se të plagosurit janë një vajzë me emrin Pelegrina Kapco, 23 vjeçe dhe Pjetro Januçi, 31 vjeç. Me masat e marra edhe nga policia lokale, të aksidentuarit janë dërguar menjëherë në spitalin e Librazhdit për të marrë ndihmën e shpejtë. Sipas mjekëve, dy të rinjtë italianë kanë pësuar fraktura të rënda dhe pritet që të vendoset për transportimin e tyre drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, ose drejt Italisë. Mësohet se automjeti që është aksidentuar gjendej pothuajse në mes të autokolonës dhe shkak mund të ketë qenë mungesa e vëmendjes e drejtuesit të automjetit, si dhe mosnjohja e terrenit. Sipas specialistëve rrugorë, autokolona nuk ka udhëtuar më tepër se me 50-60 kilometra në orë, por terreni rrëshqitës dhe tërheqja e vëmendjes së drejtuesit të mjetit të KFOR-it, me targa, BG 653, që drejtohej nga 31-vjeçari Januçi, ka bërë që automjeti i rëndë të rrëshqasë fillimisht e më pas të përmbyset i tëri, duke u lënduar vetë Januçi dhe Pelegrina 23-vjeçare. I njëjti burim i policisë rrugore ka pohuar se fajtor mund të konsiderohet shoferi 31-vjeçar. Ndërkohë, mësohet se pak minuta para se të mbërrinte në vendin e ngjarjes, të njëjtin fat për pak sa nuk e ka pësuar edhe vetë kreu i Komisariatit të Policisë së Librazhdit. Në nxitim e sipër, për të mbërritur sa më shpejt në vendin e aksidentit, makina e shefit të policisë është përplasur me një autoveturë me targa të Kosovës, por nuk pati asnjë lëndim nga të dyja palët. Policia vendore, pas bllokimit për rreth një orë të qarkullimit në vendngjarje, ka stabilizuar lëvizjen e mjeteve në të dyja krahët. Deri në mbrëmjen e djeshme, mjekët e spitalit të Librazhdit nuk kanë konfirmuar ende lëvizjen e dy të plagosurve, pasi, sipas tyre, pritej një përgjigje nga Tirana, e për më tepër nga drejtues të lartë të KFOR-it.