Hamilton shkëlqen në Kinë

Ngasësi i McLarenit, Lewis Hamilton tejkaloi një problem mekanik para nisjes dhe fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Kinës në Formula 1 duke tejkaluar kampionin në fuqi, Sebastian Vettel në Red Bull, pesë xhiro para fundit.
Vettel konsiderohej favorit për ta fituar garën e tij të tretë të njëpasnjëshme në sezonin e ri në Formula 1, por nuk arriti t’i rezistojë Hamiltonit, i cili bëri një ndalje më tepër në bokse, por kishte goma më të freskëta se gjermani në fazën përfundimtare.
“Kjo ishte njëra prej garave më të mira që kam përjetuar”, tha Hamilton. “Ndihem shkëlqyeshëm me këtë fitore. Jam jashtëzakonisht i lumtur. Jam krenar dhe mirënjohës për punën e mirë të ekipit”, shtoi ai.
Ngasësi tjetër i Red Bullit, Mark Webber përfundoi i treti duke zhvilluar një garë të shkëlqyeshme pas nisjes nga pozita e 18-të. Hamilton ishte afër të dalë nga konkurrenca qysh para fillimit të garës kur një rrjedhje e vajit nga motori rrezikoi që ai të niset nga bokset.
Por, konstruktorët e McLarenit rregulluan problemin dhe ai u nis nga pozita fillestare, e treta. Kolegu i tij, Jenson Button përfundoi i katërti para Nico Rosbergut në Mercedes dhe Felipe Massas nga Ferrari, të cilët të gjithë udhëhoqën përkohësisht në pistën Shanghai International.
Fernando Alonso në Ferrari ishte i shtati para Michael Schumacherit nga Mercedesi. Vitaly Petrov nga Renault dhe Kamui Kobayashi nga Sauber morën pikët e fundit. Vettel u nis nga pozita e parë por ishte tejkaluar nga dy ngasësit e McLarenit para kthesës së parë.
Por, ai arriti të kthehet para tyre në rrethin e parë të ndaljeve në bokse. Por, pas raundit të dytë Red Bull vendosi që të mos bëjë ndryshime të tjera dhe pas përfundimit të garës Vettel pranoi se strategjia për 25 xhirot e fundit me të njëjtat goma “nuk ishte më e mira”. Hamilton ishte i katërti, 16 xhiro para fundit dhe të gjitha pit-stopet e kompletuara.
Ai tejkaloi Rosbergun për pozitën e tretë në xhiron 42, e dy më vonë, më pas edhe Massan duke dalë i dyti, 4.6 sekonda prapa Vettelit.
Hamilton ngushtoi disavantazhin brenda tetë xhirove të ardhshme, ndërsa arriti ta tejkalojë Vettelin në kthesën e shtatë, pesë xhiro para fundit dhe krijoi epërsi të mjaftueshme ndaj gjermanit duke arritur fitore dhe duke e ndërprerë serinë pozitive të kampionit nga Red Bull.
Rezultatet e garës:
1 Lewis Hamilton1:36:58.226
2 Sebastian Vettel+ 5.198 sek.
3 Mark Webber+ 7.555
4 Jenson Button+ 10.000
5 Nico Rosberg+ 13.448
6 Felipe Massa+ 15.840
Renditja e përgjithshme:
1 Sebastian Vettel68 pikë
2 Lewis Hamilton47
3 Jenson Button38
4 Mark Webber37
5 Fernando Alonso26
6 Felipe Massa24