E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë për kanabis, Shkodra lë pas Lazaratin

Autori i Lajmit: red.
Qyteti i Shkodrës këtë vit ka kaluar edhe Lazaratin për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike. Këtë e pohon shefi i sektorit kundër narkotikëve. Sipas tij, mësohet se të gjithë kultivuesit e kanabisit do të bien në prangat e policisë për të marrë më pas dënimin sipas ligjit. Drejtuesi i parë i sektorit antidrogë, tregon dhe aksionin në Lazarat ku ka pasur dhe përplasje me armë me vendasit. Ndërkohë, prej tij mësohet se deri më tani, janë proceduar rreth 40 persona vetëm në Vlorë, ndërsa arrestime priten dhe në vende të tjera. Tendenca, sipas tij, tregon uljen e kultivimit të kanabisit në qytete dikur problematike si Vlora apo Fieri. Ndërkaq ditën e djeshme një aksion antikanabis ka mbërritur në fshatin Hoshtevë të komunës Zagori të rrethit Gjirokastër dhe në fshatrat e Tepelenës. Burimet policore bëjnë me dije se aty u konstatua një parcelë toke, e hapur rishtas në mes të pemëve të larta në dalje të këtij fshati, dhe në këtë parcelë janë evidentuar 198 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa. “Këto bimë varionin nga 140 centimetra të larta deri në 180 centimetra”, - thanë burimet policore, duke shtuar se disa prej bimëve janë marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa bimët e tjera janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Parcela është evidentuar gjatë një kontrolli që forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër po zhvillonin në komunën Zagori dhe në momentin e evidentimit nuk është gjetur asnjë person në këtë parcelë. Policia po punon për evidentimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale, pasi deri më tani nuk ka të ndaluar. Krahas këtij aksioni, në fshatin Hormovë të rrethit Tepelenë është asgjësuar një tjetër parcelë me hashash. “Në momentin e evidentimit nuk është gjetur asnjë person në këtë parcelë. Policia po punon për evidentimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale”, - thanë burimet.

Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›