E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau shokun, përfundon në qeli

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së të riut Ervis Çapo. Gjatë mëngjesit të ditës së djeshme Policia e Tiranës ka vënë në pranga Shukri Damzin, 28 vjeç, nga Kamza, pasi në bashkëpunim dhe me një tjetër person, qëlluan me mjete të forta në kokë, duke i sjellë vdekjen 27-vjeçarit Çapo. Shukri Damzi, 28 vjeç, banues në Kamzë pranë Tiranës, është arrestuar dje efektivët e Seksionit kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, thanë burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Ervis Çapo u vra duke u goditur me kaçavidë, pas një sherri banal për një të gërvishtur të makinës gjatë rrugës. I riu sapo kishte dërguar të fejuarën në shtëpinë e saj, kur më pas ka ndodhur vrasja. Çapo do të martohej për një javë, por zënka e ndodhur në vendin e quajtur Paskuqan 2, i mori jetën, duke mos mundur që të merrte gruan që sapo e kishte çuar në shtëpi.
ARRESTIMI
Vrasja që ndodhi dy javë më parë në qendër të Paskuqanit 2, ka çuar në pranga një nga autorët e saj. Në orët e para të ditës së djeshme është arrestuar Shukri Damzi, 28 vjeç, me banim në Kamëz, pasi akuzohet se së bashku me Arben Doçin, pas një zënke banale, ka qëlluar për vdekje Ervis Çapon. “I arrestuari akuzohet se pas një konflikti për motive të dobëta, i mori jetën 27-vjeçarit Ervis Çapo, me banim në lagjen e Alliasit”, - thanë dje, burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit. Autorët u identifikuan nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës menjëherë pas ndodhjes së krimit, por u ndaluan vetëm pak ditë pas ngjarjes. Dëshmitarët okularë në vendngjarje kanë ndihmuar menjëherë të dëmtuarin Ervis Çapo duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe e dërguan atë në Spitalin Ushtarak Tiranë, por nuk mundi të mbijetonte.
VRASJA
Ngjarja ndodhi më 19 korrik kur 28-vjeçari Shukri Damzi, pas një grindjeje të çastit, goditi me sende të forta viktimën e tij Ervis Çapo, në prani të një personi të dytë për të cilin nuk ka ende të dhëna për shkallën e implikimit. Dëshmitarët okularë në vendngjarje ndihmuan të dëmtuarin Ervis Çapo duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak Tiranë. Çapo gjeti vdekjen në spital pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore. Nga hetimet u hodhën dyshimet se vrasja erdhi pas një konflikti të nisur mes dy të rinjve, pranë një furre buke. Autori e qëlloi viktimën e tij me një kaçavidë në mes të rrugës, fare pranë dyqanit të bukës duke i shkaktuar plagë të rënda. E gjithë ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe në vend të rrahur nga banorët e zonës. Tani, pasi ra në pranga, 28-vjeçari Damzi akuzohet për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë nuk ka ende të dhëna për bashkautorin e dyshuar të krimit.

Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›