Gashi: Kurti është dashur të ftohet në Gërmia Hill

Reagimi i ministrit Gashi vjen pas deklaratave të zëvendës ministrit te Punëve të Jashtme Petrit Selimi në mediat e Kosovës, se ministri i MMPH-së ka kërkuar pjesëmarrje në konferencën "Gërmia Hills” që po mbahet në Kosovë.
“Në një darkë private dhe në bisedë shumë private ministri Gashi e ka pyetur zv. ministrin Selimi se kush është ftuar dhe nëse MMPH-ja është e ftuar. Pyetja ka qenë e adresuar për arsye organizative të MMPH-së”, thuhet në reagim.
Për më tepër, ministri Gashi ka thënë se Albin Kurti në funksionin e tij si kryetar i Komisionit për politikë të jashtme ka merituar të ketë qenë i ftuar në konferencën “Gërmia Hill” dhe se ai personalisht si ministër i MMPH-së është i shqetësuar për mosrespektimin e funksionit të kryesuesit të një komisioni shumë të rëndësishëm të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe keqpërdorimin e një bisede private për arsyetime të palogjikshme për dobësi në protokollin shtetëror.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, dje e kanë hapur konferencën ndërkombëtare dyditore “Gërmia Hill”, por aty nuk është ftuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se mos ftesa nuk ka të bëjë me çështje personale, sepse ftesë për konferencë nuk i kanë bërë asnjë subjekti politik dhe as deputetëve.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një letër proteste dërguar MPJ-së, e ka quajtur sjellje të papranueshme faktin që subjekti i tyre nuk është ftuar për të marrë pjesë në konferencë. Vetëvendosje ka thënë se kjo sjellje nuk është e hishme për shkak se Kryetar i Komisionit të Kuvendit për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë ftesë vetëm e vetëm se është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndryshe shteti i Kosovës për herë të parë organizon një konferencë me mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të Jashtme, zv. shefa të shtatmadhorisë ushtarake, ekspert të shoqërisë civile, gazetarë, medie të famshme botërore, të cilët do të mblidhen në Kosovë për dy ditë dhe do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane.